
Nga Uran Butka, anëtar i jurisë/
Çmimi “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë në fushat e publicistikës, eseistikës dhe studimtarisë, është i rëndësishëm sepse mban emrin e Mid’hat Frashërit (Lumo Skëndo), një personalitet madhor i historisë dhe kulturës shqiptare.
Në këtë ceremoni , po kumtoj vetëm për lidhjen e Lumo Skëndos me Librin, meqenëse prilli është muaji i Librit, por edhe se ky çmim sivjet jepet për.një botim të shkëlqyer të studiuesit Ilir Ikonomi “Fan Noli –apostulli”.
Lumo Skëndo, kur ishte 17 vjeç, në Stamboll, ku jetonte në familjen e Sami Frashërit dhe pranë Naimit dhe mes bibliotekave të pasura të tyre, ai themeloi Bibliotekën personale “Lumo Skëndo” 1897, gjë që rrëfente pavarësinë e tij intelektuale. Librat ishin miqtë e tij, dashuria e tij më e madhe, pasuria e tij, jeta e tij.
Në vitin 1898, kur ishte 18 vjeç, Lumo Skëndo u bë shpirti dhe mendja e “Kalendarit Kombiar”, me botues Kristo Luarasin. Në çdo numër të “Kalendarit Kombiar”, kësaj enciklopedie të vërtetë të kulturës shqiptare, gjendet pena dhe mendja e Lumo Skëndos.
Gjithë përpjekja e tij u bë misioni për ringjalljen shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve nëpërmjet gjuhës shqipe dhe librit, diturisë së librit.
Në këtë periudhë të fundit të Rilindjes, ai hartoi dhe botoi librat e tij për shkollat shqipe “Këndimet për çunat”, metodat për mësimin e gjuhëve te huaja, kujtimet për Abdyl Frashërin, Sami Frashërin, Naim Frashërin si edhe më pas studimet për veprën e Naim Frashërit, ku janë mbështetur studiuesit e mëvonshëm për Naimin, pa e cituar Lumo Skëndon.
“Po e shohim se tani se fuqia e njeriut nuk është vetëm te fuqia e grushtit, si në kohë të shkuara, por te qytetaria,, diturija e librit, puna, mbrothësia” shkruante ai
Kjo veprimtari për gjuhën dhe diturinë e çoi te Kongresi i Manastirit, kryetar i të cilit ai u zgjodh kur ishte 27 vjeçar, ndërmjet mjekrave të shquara, për miratimin e alfabetit plotësisht latin dhe botimet e librave më këtë alfabet.
Më 14 korrik 1908 ai botoi gazetën “Lirija” e cila i solli shërbime të mëdha lëvizjes kombëtare dhe kulturës shqiptare.
Në vitin1909 botoi revistën Kulturore “Diturija”
. Padyshim “Diturija” (e Lumo Skëndos) është sot për sot mjerisht e vetmja gjë për mua, që po e shndrit pakë a shumë qiellin e diturisë së vrazhtë të Shqipërisë”shkruante Gjergj Pekmezi, albanolog.
Vlerësime të çmuara kanë dhenë edhedhe albanologët Holger Pedersen, Norbert Jolkli , Gustav Ëeigand, të abonuar në këtë revistë.
Deviza e Lumo Skëndos ishte, “Lufta për gjuhën dhe diturinë ështe një formë tjetër e luftës për të rrojtur”.
Në vitin 1913 dha dorëheqjen nga qeveria e Ismail Qemalit dhe shkoi mësues filloreje në Elbasan, qendër e kulturës në atë kohe. Jepte mësimin e shqipes dhe të diturisë. Në filim të vitit 1914 ai shpalli një nismë, me rastin e vizitës së Edit Durham në Shqipëri, që qytetarët e Elbasanit të jepnin nga një grosh për t’i blere Mis Durhamit një stilograf të florinjtë, për librat e saj mbi Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Nga një grosh, që të kishte një pjesëmarrje sa më të gjerë (ekziston në arkiv lista e tyre ). U ble stilografi i florinjtë dhe një delegacion me ne krye Lumo Skendon ia dhuroi mbrojtëses se madhe të kombit tonë, kur ajo zbriti në Vlorë, 1914
Në vitin 1914 si shumë patriotë u mërgua nga Shqipëria për shkak të lëvizjes haxhiqamiliste dhe shembjes së shtetit shqiptar. Në Bullgari nis botimin e librave të tij të çmuar “Hi dhe Shpuzë” (proza poetike), “Letra nga një udhetim në Zvicër” (publicistike) dhe “Popullsia e Epirit” (histori). I vazhdoi botimet në Zvicër 1919 me veprat historike në frëngjisht “Shqiptarë e Sllavë”, “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarët ne vend të tyre dhe jashtë”, “Pritmi i Shqipërisë”, “Çështja e Epirit”, etj, vepra që ua dërgonte personaliteteve të politikës dhe kulturës botërore, që do të vendosnin për fatin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.
Në vitin 1921, kur ishte kryetar i delegacioni Shqiptar në ate Konferencë, ai në bashkëpunim me albanologun Mario Roques, çeli katedrën e gjuhës shqipe në Universitetin e Gjuhëve të huaja dhe jepte mësime per gjuhën dhe literaturën shqiptare.
Në vitin 1924 boton librin me ese “Plagët tona” ku vinte gishtin mbi plagët e shoqërisë dhe rrëfente si shëroheshin ato.
Në vitet 1923-1925 kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi. Ai mbrojti si askush çështjen çame dhe promovoi kulturën shqiptare dhe librin shqiptar. Në bisedën e Mid’hat Frashërit me kryeministrin grek, Venizelosi pranoi:
“Në Paris qeshë i shtrënguar të mbronj interesat e Greqisë, bëra detyrën time, si edhe ju bëtë tuajën. E shoh që kishit të drejtë. Teza juaj ishte më e vërteta dhe unë përulem para jush”.
Dha dorëheqjen si ambasador i Shqipërisë në Athinë, me motivin “Asgjë të mos japim nga trupi i mëmëdheut” si protestë për faljen e Shën Naumit dhe majës së Kelmendit, u kthye në vendin e tij dhe bëri jetë private, kryesisht me veprimtari kulturore. Çeli në Tiranë librarinë “Lumo Skëndo”, të cilën e ktheu në një vatër të librit dhe kulturës shqiptare, por edhe evropiane. Mjafton të përmendim kujtimet e vetë Lumo Skëndos për këtë librari me titullin “Kujtimet e një librari”
Ndërkohë ku botoi një mori studimesh e artikujsh problemorë dhe shkencorë për të gjitha çështjet shqetësuese të shoqërisë shqiptare të viteve ’30 e ’40, theksojmë biografitë, bibliografitë shqiptare për të gjitha botimet e autorëve shqiptare e të huaj, botimi i veçantë “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, rubrikat kritike “Duke lexuar një libër”, “Tribunë gramatike”, studimet për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Fjalorin e Marko Boçarit,studimet për autorët e vjetër të letersisë etj, etj.
Ai i kundërvihet errësirës së asaj kohe, duke përhapur dritë, dritën e diturisë e të kulturës. Një nga ngjarjet më befasuese kulturore të kryeqytetit shqiptar ishte hapja nga Mid’hat Frashëri e dy ekspozitave të librit shqiptar. E para, me gjithë botimet e Kristoforidhit; e dyta, me veprat e shkrimtarëve të vjetër të shqipes. “Meshari” i Buzukut (broshurë), veprat e Bogdanit, Bardhit, Budit, Matrangës, Kavaliotit, De Radës, Dorsës, Kamardës, shkrime të vjetra fetare, shkollore, gjuhësore. Gjithashtu, ai çeli në Tiranë edhe një ekspozitë dokumentare e fotografike për Lidhjen e Prizrenit si edhe një ekspozitë me botimet shqiptare e të huaja për Skënderbeun.
Popullariteti i Mid’hat Frashërit rritej gjithnjë e më shumë, ai u shndërrua në një institucion kombëtar kulture.
Ai vazhdoi të punonte me këmbëngulje për themelimin e Bibliotekës Kombëtare, të pasuruar më pas me thesarin e bibliotekës së tij madhore në 40 mijë volume. Në testamentin e tij 1929, ai shprehu vullnetin që bibliotekën e tij dhe çdo pasuri tjetër të tundshme dhe të patundshme i linte për krijimin e një Instituti Albanologjik, që të ishte qendër e studimeve shqiptare edhe nderi e lavdi ynë personal”.
Dëshira a tij u plotësua në vitin 1916, kur me ndihmën humane e financiare të Agron Shehaj ngritëm së bashku Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo”, ku po botoj 12 vëllimit e veprës se zgjedhur të tij, një pasuri kulturore e panjohur dhe e paçmuar e historisë dhe kulturës shqiptare.
Në vëllimin IX veç të tjerash, vijon edhe leterkëmbimi i famshëm i Lumo Skëndos, me figurat e shquara të botës shqiptare, natyrisht edhe me Fan Nolin, si edhe me personalitetet më të shquara politike, shteterore dhe kulturore të Botës. Mes tyre edhe një letërkëmbim me kryministrin Shefqet Vërlaci Tiranë, ku Kryeministri e fton në ditën e 28 nëntorit 1937.
Zoti Kryetar,
Ju ngjatjetonj për telegrafin dhe jam fort mirënjohës për nderin që më bëni.
Mjerisht unë kam një shëndet të dobët, që nuk më permeton të marr pjesë në ceremonira. Veç kësaj edhe Z. juaj e kupëtoni se në përfaqësi të tilla është mirë të zgjidhet një njeri që të mos jetë dyqanxhi.
Midhat Frashëri
Po e mbyll bisedën me letrën e të dashurës së tij rumune, Angele Romano, me të cilën pati plot 25 vjet letërkëmbim të bukur. Ajo e ftonte të bashkëjetonin së bashku në një vend më të qetë e të sigurt. Më 28 Nëntor 1933 ajo i dërgonte një kartolinë: “Po të shkruaj me nxitim, ngase nuk doja të shpëtonte kjo ditë pa të thënë që nuk e harroj, përvjetorin e një dite të lumtur për vendin tënd. 28 nëntorin. Jam krenar për ty dhe për vendin tënd”.
Por Mid’hati mes Shqipërisë dhe Angeles zgjodhi vendin e vet, mes dashurisë dhe detyrës zgjodhi pasionin për kombin e tij.
Ilir Ikonomi është shpallur fituesi i Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2023.
Libri i tij “Fan Noli – Apostulli” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës.