Shkruan: Sami Repishti, Ph.D./
Ridgefield, CT.- Këtu, fillimi i vitit të ri 2020, ka qenë i qetë; por, shpejt u çfaq nji kercënim me përmasa shkatërrimtare. Simbas të gjithë përshkrimeve, besohet se zanafilla e kercënimit, nji virus pak i njohun ma parë dhe që u quejt “coronavirus COVID-19” ka qenë krahina kineze Wuhan, ku virusi u përhap shpejt dhe alarmoi botën mbar.
Sot, ma shumë se 38.6 miljonë amerikanë kanë humbë punën pa pritmas. Qeveria ka vue në dispozicion 2.2 trillion (2.2 + 12 zero) për ndihmë, dhe demokratët kërkojnë me shpenzue edhe ma shumë për lehtësimin e vuejtjeve, sidomos të klasave të vorfna. Miljona qytetarë të tjerë kanë humbë sigurimet shëndetsore në pamundësi me pague kuotat mujore, dhe luftojnë me sigurue mbijetesën e familjeve të tyne me shumë fëmijë. Sot numrohen afërsisht 98.000 viktima nga smundja dhe 1.6 miljonë të infektuem. Ekonomia ka pësue nji ramje të shpejtë e të randë. Pyetja: çka duhet të bajmë aper rimekambje ashtë ba subjekti kryesor i diskursit publik, tue fitue përparësinë mbi problemin e pandemisë. Që tani duket se do të gjindemi para nji situate ku do të detyrohemi jo me rindertue ekonominë por “me ndryshue”, frazeologji revolucionare jo e zakontë për Shtetet e Bashkueme. Ka mundësi që ky qendrim do të jetë rezultati final i pandemisë që përjetojmë sot…
Disa shtete, si Koreja e Jugut dhe Taivani (ish Formosa) përballuen me guxim virusin që në fillim dhe dolën me sukses. Të tjerë, sidomos kolosët e ekonomisë botënore, SHBA, Rusia, dhe Kina ndoqën dy rrugë të ndryshme. Kina dhe Rusia, dy shoqëni të mbylluna, preferoinë me mshehë sekretin e virusit nga bota e jashtëme për arsye politike. SHBA preferoi mos me e përfillë fillimisht. Presidenti Trump e neglizhoi fare, pohoi se kishte vetëm 1 të infektuem që mbahej nen kontroll, ma vonë vetëm 15 veta të infektuem. Ndërsa Kina ka pasë nji dozë suksesi ma vonë, SHBA përballohet sot me nji pandemi që kalon çdo parashikim. Perspektivat janë dëshpruese, dhe frika e popullsisë mbulon vendin. Ekspertët në mjekësi parashikojnë se në fillim të muejit Gusht numri i viktimave do të arrijë rreth 150.000…..
Si do të përfundojë kjo krizë? “Simbas historianëve,”shkruen analistja Gina Kolata e NYTimes, “pandemitë përfundojnë në dy tipa: sherim “mjeksor” që rezulton në pakësimin e viktimave dhe të masave të infektueme deri në shumje të plotë; ose, përfundim “social”, kur pandemia arrinë kulmin e zhvillimit me dame të mëdha, dhe mbyllet në shumje, bashkë me frikën e përgjithëshme të popullsisë.
Suedia paraqet nji solucion të tretë: imunitetin e masava (“herd immunity).
Në përgjithësi, rruga e ndjekun nga SHBA ka marrë karakter politik të imponuem nga Presidenti Trump, me rrjedhime të frikëshme. Arsyeja e këtij qendrimi ashtë dami i madh që i ka kushtue ekonomisë, sot të mbyllun, amerikane dhe shumave marra-mendëse që shpenzohen me furnizue organet qeveritare: vendore, shtetnore e federale, Sot, SHBA ashtë e mbytun në borxhe publike, pagesa e të cilëve do të nxirret nga taksat e reja për popullsinë tashma të lodhun…..!
“Përfundimi i pandemisë zakonisht ashtë shumë, shumë i vështirë”. shkruen Prof. Dora Vargha (Exeter U.). Për cilin përfundon pandemia? Sigurisht jo për të vorfnit që mbeten të vorfën…! Punëtori, bujku, nëpunsi i vogël, polici, zjarrfikësi, pastruesët e tjerë punëtorë krahu ose të dalun krejtësisht të vorfnuem dhe në nevojë ndihme urgjente shtetnore të përjetëshme!. Ka shumë mundësi që kërkesa kryesore e klasave të vorfënueme do të jetë sigurimi shtetnor afatgjatë për rastet e vështira, siç janë mungesa ose humbja e të ardhunave të zakonshme. Punëdhanësit dhe ruejtësit e pasunive të mëdha do të gjinden para presionit me bashkënda nji pjesë të pasunisë tyne me vuejtësit e vorfën, me anë taksash mujore, ose taksash me përqindje ma të naltë, për krijimin e fondeve të asistancës së përgjithëshme
Ish presidenti Barak Obama e përcaktoi këte situatë në SHBA “absolutely a chaotic disaster”. Edhe sot, udhëheqsit politikë dhe institucionet tona janë të pa aftë ose pa deshirën me zgjidhë problemin racial në Amerikë, miljonët e denuem me vorfëni të përjetëshme; me zgjidhë problemin e qytetarëve të moshuem dhe pa mjetet e nevojshme me përballue jetën e përditëshme, dobësimin e berthamës familjare që krijon batalionet e fëmijve dhe të rinjve pa strehë, dobësimin e arsimit, sidomos ate foshnjor dhe fillor veçanërisht për të vorfnit, dhe kaosin ekonomik që deshmojmë çdo ditë për arsye të punës shfrytëzuese. ”Atëherë, pyet analisti Matthew Walther, pse duhet të veprojmë sikur nuk kemi deshmue të përditëshmen, ramjen tonë të vazhdueshme?”(The Nation,13 maj ’20)
Akademikët dhe specialistët e mjeksisë mendojnë se fundi i pandemisë do të jetë “social” para se të deklarohet “i sheruem” nga medicina. Prof. Naomi Rogers (Yale U.) mendon se “…elementi psikologjik i lodhjes dhe kufizimeve shtërnguese do të përfundojë në nji moment kur populli do të thotë:’Mjaft!’. Na meritojmë me u kthye në jetën tonë normale”. Me nji popullsi prej ma se 38 miljonë kryetarë familjesh të pa punë ”stomakët e zbraztë” do të rrezikojnë me përfundue në deshprim. Atëherë, arsyeja humb autoritetin e saj; uria predominon mendimin e aksionin tonë!
Keqësimi i situatës në çdo vend të botës, detyroi organizatën ndërkombetare UNICEF, që kujdeset veçanërisht për femijtë, me deklarue botënisht me 15 maj se ”nji rrezik i ri kercënon fëmijtë dhe nji valë smundjesh mendore vjen pastaj”. Qeveritë e vendeve të ndryshme kanë vrejtë edhe nji rrjedhim të mbylljes mbrenda mureve të shtëpisë dhe kufizimeve tjera: dhunën në familje…..Miljona fëmijë janë të rrezikuem nga vdekja, njoftoi UNESCO, jo nga COVID-19 por nga shkaqe që mund të evitohen. Në pamundësi me shkue në spitale për kurim, sepse janë të zanuna vendet nga të smurët me virus, ma shumë se nji miljon fëmijë (në botë) nen moshën pesëvjeçare do të vdesin çdo gjashtë muej,” shkruehet në Raportin e UNICEF-it.(The NYTimes,15.V.2020)
OBSH (WHO), grupi për shëndetsi që punon me koordinue përpjekjet globale që luftojnë smundjet e virusit, paralajmëron nji krizë nga smundjet mendore, si rezultat i “izolimit, frikës nga vdekja, pasigurisë dhe kaosit ekonomik”. Zhvillim dëshprues!
*****
Në nji Editorial nga fletorja The Neë York Times, e datës 1 maj, dedikue rolit të udhëheqsit në momente kritike të historisë thuhet: “Shprehja ‘udhëheqje’ ashtë e vështirë me u përcaktue në kohë krize, por ashtë e lehtë me u identifikue. Ajo gjindet aty ku ka kurajo, vendosmëni, empathi, respekt për shkencën, dhe nji ndershmëni elementare. Kështu dhimbja e popullit në krizë pakësohet…” Nji fenomen i këtill u përjetue me qendrimin e vendosun të disa udhëheqësve në të katër anët e globit: Zelanda e Re, përjetoi kufizimet ma të mëdha në historinë moderne nga populli, dhe të imponueme nga Zonja Jacinda Ardern kryminister, sepse ky ishte shansi ma i mirë me ndalue zhvillimin e virusit. Njikohësisht, ajo kërkoi: ”Ju lutem, bahuni të fortë, të njerëzishëm, dhe të bashkuem kundër Covid-19”. Të njajtën shembull ndoqi edhe KM Scott Morrison i Australisë. Të dy vendet dolën me sukses. Me 25 maj, Sllovenia deklaroi fitoren mbi virus COVID-19 si rezultat i masave kufizuese.
Shembuj të këtill udhëheqje treguen edhe Gjermania (KM Angela Merkel), Norvegjia (KM Erna Solberg). Taivan (KM Ing-ëen), Danimarka (KM Mette Frederiksen), Finlanda, (KM 34 vjeçare Sanna Marin), Islanda (KM. K. Jakobsdottir), Koreja e Jugut, Greqia, etj. Ajo që tërhoqi vemendjen e publikut botënor ashtë fakti se pothuejse të gjitha këto vende drejtohen nga zonja të edukueme e të kushtueme mirëqenies së vendeve të tyne (nji dëshirë e ime e vazhdueshme!). Ata u duertrokitën në vendet e tyne dhe në botën mbar për aftësitë e tyne udhëheqse. Edhe në Greqinë fqinje, KM Mitsotakis mori masa energijke që në fillim dhe shpëtoi vendin nga katastrofa njerëzore dhe ekonomike. “Karakteristikë e përbashkët: shtete kompakte, homogjene dhe të përparueme”,shkruen gazeta. Edhe Kosova meriton mirënjohje me gjithë situatën e saj të ngarkueme politikisht.
Vendosmënia me marrë masa të forta dhe të menjiherëshme pa marrë parasyshë çmimin që mund të paguhet “politikisht” ashtë padyshim nji cilësi superiore e nji udhëheqje të vertetë. Kjo cilësi spjegon arsyen pse Kina dhe Rusia ruejnë sekretin e smundjes që të mos damtojë prestigjin e udhëheqjes së vendit para syve të botës, me rezultate shkatërrimtare per popujt e tyne. E kundërta ashtë me KM Angela Merkel të Gjermanisë: e thjeshtë, modeste, e ndershme në qellimet e saja, në mendime e në aksion. Në nji fjalim lamtumire ajo u shpreh:” Kujdesohuni për vehten tuej, dhe dueni të afërmit tuej!’ Thjeshtësi madhështore që nuk blihet me dollarë….!
Kështu ngjau me Great Depression të viteve të para 1930-ës. Fenomeni i depresionit hodhi në rrugë miliona, dhe zbuloi thyeshmëninë e ekonomisë dhe pabarazinë e viteve mbas-1920 qartësisht të dhimbëshmë. Por Amerika u përgjegj me rishikimin e rregullave në punë e afarizëm, dhe na mund ta bajmë përsëri” shkruen Prof. Margaret O’Hara. Ashtë imperative! Na duhet të përfitojmë nga kjo tragjedi e pameritueme të pakëten dobinë e rishikimit të terrorit të L2B dhe akoma ma shumë terrorin e diktaturave te posa-kalueme. Koha po shlyen gjurmët fizike e kujtimet që kalojnë në boten e harresës, dhe duhet të ndërgjegjsohemi se kemi ra në gjumin e nji epoke plot andrra të frikëshme, e duhet të zgjohemi. Polarizimi që dëshmojmë sot në Shqipëri ashtë në esencë ma shumë mosrespekt, nji valë e madhe urrejtje për njeni tjetrin. Ky qendrim ashtë nji lloj forme “dehumanizimi”,çveshje e kundërshtarit nga natyra e tij njerëzore. Sot gjindemi para derës së të ardhmes, pa asnji synim me u kthye mbrapa, “Me u rilindë”, pavarësisht se si kuptohet, ashtë ideja që na kemi për identifikimin e disa ideve unifikuese, siç ashtë p.sh. ideja e sherbimit kombëtar vullnetar, dhe përqendrimi rreth saj në këto ditë të vështira.
Prof. Gene C. Sperling, ish këshilltar i Presidentit W.J.Clinton quen deklarata të këtilla “qytetari universale akademike”. subjekti i të cilave ashtë shqetësimi për qytetarët me të ardhuna të kufizueme, sidomos qytetarët studentë, të cilët janë potenciali për nji motor të fuqishëm me ngritë mobilizimin e vendit tonë, studentë të vorfën dhe klasave punëtore. Na duhet të ndertojmë nji shoqëni me barazi, dhe bisedimet për nji orientim të këtill të fillojnë tashti, nen presionin e virusit që na mundon.
Shtypi amerikan ashtë i mbushun me sugjerime dhe ide për të ardhmen post-virus, dhe shumica e ideve janë “progresive”, me theks përmirësimin e jetës së klasës së lanun mbas dore e të vorfnueme. Presioni publik ashtë sidomos për klasën politike udhëheqse, kryesisht për Partinë Demokratike Amerikane që mban flamurin e reformave. Udhëheqsit demokratë deklarojnë se në rastin kur ata marrin pushtetin (kallndor 2021) do të jenë të përgatitun me shpenzue shuma kolosale në ndihmë të ekonomisë së damtueme, me ndertimin e superstrukturës së vjetrueme (rruga, ura, hekurudha, aeroporte etj.) shumë ma shpejt se kanë veprue ma parë, me nji program progresiv për ndihmë punëtorëve dhe bujqëve, legjislaturën e nevojshme, me zgjanue rrjetin e sherbimeve mjeksore dhe sigurimet, në ndertimin e banesave për të pastrehët, si dhe programe sherbimesh për fëmijë. Nji shembull që meriton studimin tonë ashtë rasti i vendeve skandinave.
Ashtë fjala për nji program të gjanë dhe “transformativ” që na kujton periudhën rooseveltiane të mbas krizës botënore (1929-1933). Qytetarët amerikanë që kanë nevojë për ndihmë, duhen ndihmue në se dëshirojmë me mbajtë të gjallë “the American dream”: liri e drejtësi për të gjithë! Në nji fjalim të mbajtun pak ditë ma parë, ish N/Presidenti Joseph Biden bani të qartë se pikësynimi i tij nuk ashtë me “rindertue ekonominë” por “me ndryshue ekonominë”. Tue komentue këte deklaratë, Lee Saunders, udhëheqsi i njenës nga sindikatat e mëdha amerikane tha: ”Unë mendoj se ai (Biden) dëshiron me përpunue nji plan, dhe me përkrahë familjet punëtore, dhe se ashtë i interesuem me studjue programe. Ai (Biden) shpreson me ringjallë demokracinë liberale tue marrë inisiativa të mëdha për ndryshime të mëdha. Vemendje e veçantë u dedikohet përpjekjeve me përkrahë idenë e ‘nji të ardhmje të sigurueme për të gjithë’ ose “me ofrue të ardhuna për të gjithë të garantueme nga nji premtim federal”. Tue ndryshue rregullat e punës, kandidati Biden mendon me rritë sa ma shumë fitimet nga puna për punëtorët tashti me të ardhuna të ulëta…..Senatori demokrat Michael Bennett (D.Colo) ish kandidat për President, shpreson se “Presidenti Biden do të ndjekë nji politikë ekonomike e cila do të fuqizojë punëtorët dhe klasën e mesme që u damtuen, e jo klasën “super-rich” shumë të pasun “, shkruen gazeta The New York Times e 18 majit .
Vendi i parë industrial në botë, Shtetet e Bashkueme të Amerikës, duket si i paralizuem nga pandemia. i pa aftë me furnizue landët e nevojshme për luftimin e virusit, pa orientim të studjuem, me nji presidencë që ka humbë inisiativën e organizimit –siç e shohim në vendet nordike. Me folë shtrue Amerika përballet sot me “nji anarki në terma politike” shkruen Prof. Walther – The Nation të 13 majit. “E gjithë kjo në Amerikën fortesë që gjatë L2B Presidenti F.D. Roosevelt mobilizoi të gjithë potencialin industrial të vendit në luftën kundër nazi-fashizmit gjerman e italian dhe militarizmit japonez, mobilizim që prodhoi katër aeroplanë luftarakë çdo orë, ditë e natë, deri në fitoren e plotë”.
Ajo që kemi mësue nga eksperienca e jonë me COVID-19 në se dëshirojmë ballafaqimin e suksesshëm me virusin ashtë se kemi nevojë për nji orientim të ri dhe udhëheqje ma të ndërgjegjshme e profesionalisht ma të aftë. Shpresojmë që populli i shgënjyem nga paaftësia federale të marrë mësimin e duhun: na duhen udhëheqës të pjekun, serioz dhe të pergatitun me udhëheq, udhëheqës që refuzojnë aventurën, që tregojnë kujdes dhe empathi, dhe që i dedikohen shërbimit të përgjithshëm.
Amerika ka nevojë për nji udhëheqje të këtill. Këtu, dhe tashti!
Tue dëshmue para Dhomës së Përfaqsuesve të Kongresit Amerikan, drejtori i Autoritetit per Studime të Avancueme dhe Zhvillime Bio-mjeksore, Dr. Rich Bright, deklaroi:
”…Ne kemi shkencëtarët ma të mëdhej në botë e ata duhet të lejohen me udhëheqë. Ndërsa ashtë e frikëshme me pranue përmasat e sfidës (së pandemisë) me të cilen përballohemi aktualisht, fakti i pamohueshm ashtë se do të ketë nji ringjallje të COVID-19 këte vjeshtë, tue komplikue në masë të madhe sfidat e gripit sezonal, dhe tue vendosë nji tension të papamë në sistemin tonë të kujdesit shëndetsor. Pa planifikim dhe zbatim të qartë të hapave që unë dhe ekspertët tjerë shkencorë kemi parashtrue, viti 2020 do të jetë dimni ma i errtë në historinë moderne” raporton “Zëri i Amerikës”.
Në situata të këtilla shkenca flet; na, të gjithë na, duhet të ndigjojmë mesazhin e saj, në se dëshirojmë me evitue rrjedhimet katastrofike që na kercënojnë. “Publikut duhet t’i thuhet e verteta, jo e filtrueme politikisht!”, përfundon Dr. Rich Bright. Nuk duhet të harrojmë: COVIC-19 ashtë ende nji mister për ne!
———–
(Shenim: Gazeta The NYTimes e datës 21 maj, f. 1, botoi shkrimin me titullin: “Ndersa pritshim për mbylljen me kufizime, na humbëm 36.000 jetë njerëzore”:“Sikur SHBA të kishin fillue masat e kufizimit të lëvizjeve, “distancën shoqënore” nji javë ma parë rreth 36.000 jetë njerëzore do te ishin kursye nga coronavirus, simbas vlerësimeve të bame nga Columbia U.
Dhe sikur vendi të kishte izolue qytetet dhe të kishte kufizue kontaktet shoqënore me 1 Mars, dy javë para se popullsia filloi të vetë-izolohet , shumica dërmuese e viktimave- rreth 83 përqind- do të kishte evitue vdekjen…..”Kjo ashtë nji diferencë e madhe. Ajo sasi kohe e shkurtë, po të kishim kapë në dorë fazën e rritjes së smundjes do te kishte qenë jashtëzakonisht kritike në pakësimin e numrit të vdekjeve” deklaroi Prof. Jeffrey Shaman, epidemiologjist ne Columbia U. dhe udhëheqës i skuadrës së kërkimeve mjeksore……