Nga Dritan Mishto
Ish Kryetar i Federatës Vatra 2017-2020
Ikja e Dalipit ishte e papritur dhe e beftë, si ato shpërthimet e tij kur nuk duronte ndonjë padrejtësi apo vendim të marrë nxitimthi. Por, Dalipi gjithmonë qetësohej dhe pas dallgës së shpërthimit duhet të kishe durimin të duroje valët e parreshtura të argumenteve të tij.
Dalip ishte i mirë. Kjo është një fjali e thënë thjesht, por nuk mund të gjesh në gjuhën tonë ndonjë vendosje fjalësh që të mund të përmbledhë aq shkurt cilësinë më të lartë të njeriut: Të qënurit i mirë.
Dalipi është i vecanti mes editorëve të Diellit, të cilët kanë bërë shumë në raport me kohën kur punuan. E themeluan Diellin, e vunë në majën e shpatës së kritikës në momente dhe epoka të rëndësishme të kombi tonë. Por, Dalipit tonë i ra në pjesë të ishte Editor i Ringjalljes, procesit më mistik që mund të hasë historia. Dalipi filloi Editor i një gazete, që ishte e mbyllur dhe që numrin e fundit nuk dihej kur e kish nxjerrë, ashtu si ai plaku i lagjes që del më të rrallë në gurin e portës, e që nuk dihet jeton a ka vdekur. Dalip Greca doli në rrugën e madhe të gazetarisë shqiptare dhe e ktheu sërish Diellin në shkëlqimin e tij, në një botë gazetareske ku ka shumë diej të rremë.
Dalipi ishte përparimtar, epitet ky që këto ditë, kur shqipja jonë për të cilën janë vrarë e prerë sa e sa gjuhëdashës, është mbushur plot me fjalë të huaja e moderne, mund të duket si një fjalë e pagjetur. Por, në fakt është e vështirë të jesh përparimtar dhe të tregohesh i tillë në momente kyce të historisë së jetës tënde. Dalipi, me një forcë të thellë karakteri e tregoi këtë cilësi, jo vetëm në hapjen e gazetës ndaj cilitdo apo forumeve të debatit, por edhe në vetë ngjarjet e Federatës Vatra, ku spikat përgatitja nga ana e tij e frymës për ndryshim dhe reforma të thella, që pasuan Kuvendin Historik të Federatës VATRA të vitit 2017, e ku të gjithë së bashku me anëtarët e simpatizantët e ngritëm Vatrën tonë në një nivel më të lartë, e ku të mëpasmit po e ngrejnë edhe më.
Dalip ishte i fortë dhe na provoi se për të qenë i fortë nuk duhen muskujt, mustaqe, mjekra, xhamadan apo qeleshe. Duhet Fjala. Dalipi ishte njeri i fjalës së dhënë dhe të mbajtur, i bindjes dhe tërheqjes kur e shihte se argumenti tjetër qëndronte. Dalipin e kishe në krah kurdoherë që mbështetja e tij të duhej.
Festimi i 110 vjetorit të Diellit më 2019 ishte një ngjarje e madhe, që u festua si e tillë falë Dalipit dhe nuk kaloi e mbyllur në muret e një salle, si ajo e dekadës së shkuar, por ushtoi në Kongresin Amerikan dhe në mbarë botën gazetareske shqiptare. Ishte dita e Dalipit, dita e të gjithë editorëve ndër dekada, të cilët Dalipi i donte e vlerësonte pandarazi.
Kam bashkëpunuar prej afro pesëmbëdhjetë vjetësh, e së fundi si dy ish drejtues, unë i Federatës Vatra e Dalipi i Gazetës Dielli. E si ecën punët, sillnim gjithmonë ndërmend shprehjen, që u kthye në postulat jashtë vullnetit tonë: Është më e vështirë të jesh “ish” kryetar i Federatës Vatra dhe “ish” Editor i Diellit se sa të jesh Kryetar e Editor. Sepse duhet ruajtur dinjiteti i drejtuesit, për të cilin dinjitet sikur të mos kujdesesh përditë, e sheh tek të shket këmbëve pakthimurazi.
Gjithnjë në biseda mes miqsh shtrojmë pyetjen: Cfarë misteri ka Vatra, që vazhdon të jetojë dhe as ka ndërmend të shuhet? E ju mund të pyesni cfarë e lidh këtë mister me Dalipin tonë të dashur? Ai ishte njeriu i vetëm që kishte informacionin më të plotë për historinë e Federatës Vatra që nga themelimi e deri më sot. Kishte skeda, shënime, skema të detajuara për pothuaj cdo gjë. Dukej sikur zotëronte këtë sekret. Dalipi po punonte për botimin e një libri historik mbi jetën e punën e Editorëve të Diellit, të ndërthurur me periudhat e drejtimit të Vatrës nga kryetarët e saj. Do të ishtë një libër jo vetëm interesant, por i pashoq, që do të hidhte dritë edhe mbi Misterin e ekzistencës së Federatës Vatra. Fatkeqësisht, Dalipi iku duke marrë me vehte edhe këtë mister. Duket si një provë që ky mister nuk do të dalë kurrë, ashtu sic Vatra e Dielli nuk do të shuhen kurrë.
I përjetshëm kujtimi i mikut tonë Dalip Greca!