Sokol Paja/
Familja, të afërmit, miqtë, vatranët, kolegët e bashkëpunëtorët e Dalip Grecës e përkujtojnë sot me nderim, respekt, lutje e vlerësim në ditëlindjen e tij të 72-të. Dalipi i mungon familjes mbi të gjitha e padyshim neve që kemi kaluar pjesën më të madhe të ditës në punën e përditshme dhe në përpjekjet për të qenë zëri dhe pasqyra e komunitetit shqiptar e vatranëve tanë të shtrenjtë në Amerikë e më gjërë. Sot na mungon Dalipi si njeri, Dalipi si gazetar, Dalipi si vatran, Dalipi si qytetar, Dalipi si patriot. Urtësia, mençuria, humanizmi, sakrifica, maturia, vendosmëria, nervi, profesionalizmi i Dalipit na mungojnë sot të gjithëve. Ikona e shtypit të shkruar shqiptar në Amerikë, Editori epokal i Diellit 2009-2021, vatrani i veçantë, patrioti i spikatur, veprimtari i dalluar, njeriun që komuniteti e deshi dhe respektoi aq shumë, edhe pse u largua fizikisht prej nesh, vepra e tij do ta sjellë të gjallë e të paharruar Dalip Grecën.
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra ka në proces përgatitjeje për botim 2 vepra të Dalip Grecës çka jo vetëm do të përjetësojë kujtimin për të por do ta memorizojë punën e veprën e tij, përkushtimin e dedikimin me të cilën për 12 vite Dalip Greca punoi në Diell e në Vatër. Dalip Greca ngjalli gazetën Dielli, rifreskoi qelizat e Federatës Vatra, transformoi çdo realitet ku ai u bë pjesë, guxoi dhe u investua maksimalisht për të realizuar atë për të cilën ai besoi dhe nuk hoqi kurrë dorë. Duke qenë zëdhënës i Vatrës, gazeta Dielli, nën drejtimin e Dalip Grecës kreu misionin e shenjtë me paanësi, korrektesë e profesionalizëm në kohë shumë të vështira. Dalip Greca me të gjithë ata që punoi ishte një bashkëpunëtor besnik, një familjar shembullor, një shqiptar i dalluar në diasporën e Amerikës.
Federata Vatra e Gazeta Dielli ngushëllojnë familjen, të afërmit, miqtë, të njohurit dhe bashkëpunëtorët e shumtë të Dalip Grecës në këtë përvjetor të 72-të të ditëlindjes së tij në amshim.