Në 94-vjetorin e lindjes së Prof. Shaban Demiraj, Akademik/ Nga Enver Memishaj/
Profesor Shaban Demiraj lindi në Vlorë, më 11 janar 1920, në një familje atdhetare dhe fetare, prandaj fillimisht ai nisi një shkollë fetare, por u largua andej për t’u dhënë më pas studimeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe.Në vitin 1948 përfundoi Institutin e Lartë Pedagogjik 2-vjeçar të Tiranës dhe atë 4-vjeçar, në vitin 1954. Ishte nxënës i Kostaq Cipos e Aleksandër Xhuvanit dhe më pas i Eqrem Çabejt, të cilët e rekomanduan dhe ai u emërua pedagog në ish-Institutin e Lartë Pedagogjik.Në vitin 1957 u emërua pedagog në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të sapo krijuar. Titullin “Profesor”, e meritoi në vitin1972. Me krijimin e Akademisë së Shkencave, prof. Shaban Demiraj u zgjodh ndër anëtarët e parë të saj dhe në vitet e demokracisë, 1992 kryetar i Akademisë.
Gjatë viteve 1962-1989, ka shërbyer si përgjegjës i katedrës së gjuhës shqipe. Në vitin 1977, iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit”.Ne vitin 1979 u nderua me “Çmimin e Republikës” të klasit II, dhe në vitin 1989 me “Çmimin e Republikës” të klasit I.
Ai ka një korpus të madh të veprës së tij studimore e pedagogjike të cilat e prezantojnë si një personalitet të shquar të albanistikës, brenda dhe jashtë kufijëve të Shqipërisë.
Objekti specifik i studimeve të tij është morfologjia e gjuhës shqipe, por ai është zgjeruar në gramatikën historike dhe më pas të fonetikës historike. Njohja e shumë gjuhëve të huaja klasike e bashkëkohore e bëjnë atë një autoritet të shquar të kulturës shqiptare të të gjithë kohëve. Vepra e tij është përfshirë në albanologjinë botërore.
Provën e parë e dha me tekstin e gjuhës shqipe për shkollat e mesme pedagogjike (1953) dhe më pas vazhdoi pa u ndalur me vepra të tjera:
“Morfologjia e gjuhës së sotme shqipe”(1961) dhe e ribotuar në Prishtinë (1971),
“Çështje të sistemit emëror të gjuhës shqipe”(1972),
“Sistemi i lakimit në gjuhën shqipe”(1975),
“Morfologjia historike e gjuhës shqipe”(I e II, 1973 e 1976) dhe ribotuar në Prishtinë (1980),
“Gramatika historike e gjuhës shqipe”(1986) e ribotuar në Prishtinë (1988),
“Gjuha shqipe dhe historia e saj”(1988) dhe ribotuar në Prishtinë (1989).
Ne vitin 1990 botoi monografinë, kushtuar jetës dhe veprës së dijetarit tonë të madh e kolegut shumëvjeçar të tij, prof.dr. Eqrem Çabej-Akademik.
Në vitin 1994 botoi në Shkup (shqip e maqedonisht) veprën “Gjuhësi ballkanike”
dhe më 1996 “Fonologjia historike e gjuhës shqipe”.
Me interes mjaft të madh është vepra kushtuar çështjes së prejardhjes së shqiptarëve, duke e vështruar këtë aspekt kryesisht në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe. Rreth kësaj çështjeje madhore, ai botoi librin e vlerësuar: “Prejardhja e shqiptarëve, nën dritën e dëshmive të Gjuhës Shqipe” (Tiranë, 1999).
Studime të tij me interes të veçantë janë edhe ato për filologjinë e arbëreshëve.
Disa nga veprat e mësipërme janë botuar në vende të ndryshme të Evropës.
Ai ka marrë pjesë dhe ka referuar në disa Kongrese e Konferenca, kombëtare e ndërkombëtare, për gjuhën e kulturën shqiptare dhe ka botuar artikuj të shumtë shkencorë, në revista të vendit e të huaja.
* * *
Me rastin e 94 vjetorit të lindjes unë po publikoj një anë tjetër të panjohur të Prof. Shaban Demiraj, ndofta edhe vetë Prof. Shabani ka harruar se dikur në rininë e tij dhe pikërisht në moshën 17 vjeçare shkruante poezi, të cilat po i botoj më poshtë. Në poezinë e tij që nuk dimë që Profesori jonë ta ketë vazhduar vihet re qartë talenti, ndjenja e dashurisë së madhe për atdheun dhe veçanërisht per Vlorën e tij. Po i botojmë poezitë pa bërë asnjë ndryshim, që t`i kujtojmë se si shkruante profesori në rininë e vet dhe po deshi t`i korigjojë ai vetë e t`i sjellë në gjuhën e sotme letrare.
25 VJETORIT NE VLORË
Lulëzo dhe krenou moj Vlora kreshnike,
Me bujë festo vjetorin e Lirisë,
Dhe me përpjekjet e tua Patriotike,
Me radhë tregoua bijëve t`Arbërisë.
Kur zgjedhën barbare Shqipëria vajtonte,
Dhe gjith Kombi mbarë përpiqesh për shpëtim,
N` qiellin t`ënt Flamuri u ngrit të valonte,
Prej Burrave, q`i dhanë ksaj toke lirin.
Vatër lirimtare të tokës Arbërore,
Të njeh i gjith kombi me Mbretin në Krye,
N`ty këndoi së parit zhgaba dy krenore,
Kur zgjedh` e barbarit nga kish ardh u kthye.
Njëzet e pes mote mbushi sot lirija,
Qysh se ti e shpalle për herën e parë,
Prandaj po gëzon e gjith djalëria,
E udhëhequr vet nga Prisi Shpëtimtarë.
Këndoni, vlonjat, rreth Varrit Historik,
Kurorën i thurni çliruesit Kombëtar,
I tregoni Plakut tonin melodik,
Lumturinë, që ndien sot populli shqiptar.
I thoni që shkuan njëzet e pes vjetë,
Që dor` e Tij Flamurin lartësoi,
Dhe shqiptarët sot falnderjen e vërtetë,
U bëjn` atdhetarëve, që kjo tokë ndriçoi.
Festo – e, pra, Vlorë njëzet e pes vjetorin,
Mblidhuni ju djem të gjith pa u ndarë,
Me gazmend kremtoni njëzet e tet Nëntorin,
Dhe një zërit thrrisni: “Rroft ZOGU i PARË”
Botuar në gazetën “Jeta e Re”, Vlorë, dt. 28.11.1937, f. 4
28 NËNTORIT
Flamur` i Kastriotit me zhgabë dy krenore,
Valon sot an` e mbanë në tokën arbërore,
Dhe pal` e tij e bukur ngjyruar kuq e zi,
Mbulon me valëvitje të bukurën Shqipëri,
Ku pes qint e ca vjetë sundoi zgjedha barbare,
Dhe dy krenor` i ynë s`u pa të valoj fare,
Por sot ja ku valon ashtu siç i ka hije!
Dhe djalërin e mbush me çaste lumturije,
Me çaste lumturije mbush djalërin o Vlorë!
Që plot hare feston njëzet e tet Nëntorë.
* * *
“O nipa t`Kastriotit, o bijt` e Arbërisë!
Kremtoni gjith së bashku vjetorin e Lirisë,
Njëzet e tet Nëntorin plot gas ju e festoni,
Mbasi lirin e shtrenjtë kudo po e gëzoni.
Të gjith për rreth Flamurit ju lidhuni me besë,
Për nderin e Atdheut kushdo me gas të vdesë,
Kushdo me gas të vdes për nderin e Atdheut,
Siç bën` burrat e motit në koh` të Skënderbeut,
Dhe, kur të jeni lidhur me besën Shqiptare,
Prej sulmit të armikut mos u frikoni fare,
Pse Bes` e Arbreshëve nuk e lejon tradhëtinë,
Por burrërisht mpron Nderin, Atdheun dhe Lirinë”.
* * *
Dhe, ndërsa Kryezeza lirinë po kremton,
An`mb`anë Shqipërisë një zë se ç`po gjimin:
Është nderi, që gjith Kombi dëshmorëvet u kushton,
Është Besa rreth Flamurit në qiell që po tingëllon,
Ësht Bes` e djalërisë, që jep për rreth Flamurit,
Se do të mprojë Atdheun e Lekës dhe të Burrit.
* * *
Pra, sa të jetë bota Flamur` i yn valoftë
Dhe Shqipëri e dashur për jet`e lirë rroftë!
Botuar në gazetën “Jeta e Re”, Vlorë, dt. 28.11.1938, f. 4