NGA NDUE BACAJ/
Nënë Tereza ka lindur me 26 gusht 1910 në qytetin Shkupit nga bashkeshortet patriot shqiptarë Kolë e Drane Bojaxhi.. Emri i saj si krijesë e brishtë e kësaj bote ka qenë GONXHE, dhe këtë emër e mbajti derisa kjo gonxhe çeli lulen e shenjtë, që pas thirrjes shpirtërore nga vetë Jezu Krishti, kjo bijë e racës sonë ju përkushtua me sakrifica besimi , ndjeja njerzore e hyjnore , për të sjellë shpresë te të pashpresët, për të sjellë jetë tek ata që po vdisnin, për të sjellë shërim tek të sëmurët, për të sjellë besim tek të paorinetuarit, për të sjellë dritën hyjnore te të terratisunit e jetës… Është fat i paçmuar për Racen tonë Iliro –Shqiptare që vetë Krijuesi bëri emer që bija jonë të shenjtërohet, pasi në trupin e saj kishte dërguar shpirtin e shenjtë, duke e bërë misionare dhe shenjtore të kësaj bote. “Zgjedhja” e bijës sonë Nënë Tereza nuk kishte qenë e rastësishme, pasi nga Raca jonë ndër dy-mijë vite Kristianizmit, i kishim falur rreth 600 shenjtorë e martirë, që gjaku dhe veprat e tyre janë në themelet e këtij besimi e qytetërimi, frutet e të cilit i gëzojnë edhe ata që nuk e duan sot në fillimet e shekullit XXI… Nënë Tereza u bë misionare e bamirësisë, tek motrat Loreto e pastaj krijoi misionin e saj që e përhapi në 123 vendet e botës, ku India e Largët ishte epiqendra, e deri në atdheun e saj të sapo çliruar nga diktatura komuniste. Misioni i shpresës së bamirësisë së Nënë Terezës ishte aq i madh sa e njohën jo vetëm shtete e qeveri, por edhe vetë Vatikani. Misioni i Nënë Terezës zgjati rreth 60 vite, kohë që e bëri të thirrej bijën tonë Moter, Nënë e më në fund Shenjëtore, të të gjithë botës. Bota e civilizuar jo vetëm ja njohu veprat e bamirësisë e mëshirës për njerëzit në nevojë, por e vlerësoi me çmimin NOBEL (në vitin 1979) , ndërsa mjerisht shteti jonë komunist në ato kohë e anatemonte dhe nuk e lejonte të vinte as tek varret e njerëzve të saj të dashur në Tiranë (Nënës e Motrës). Shqip “Ne” duke i mbyllë dyert bijës sonë, Nënë e Botës, ne i mbyllëm vetvehtes shpirtin e Shenjtë që Zoti kishte dërguar mbi ne … Gjithsesi Nënë Tereza na fali ne shqiptarëve, sepse e dinte se nuk jemi ne populli që e përbuznim e mbyllnim dyert, por ishin djajtë e kuq që na kishin kapur për fyti (ndoshta si sprovë nga vetë Krijuesi). Nënë Tereza lutej për të gjithë popujt e botës që vuanin nga mjerimi, skamja, padrejtësia , sëmundjet e epidemitë, dhe ndër lutjet më të fuqishme duket se kishin qenë edhe ato për popullin shqiptar që lëngonte nga epidemia e kuqe komuniste dhe (Kosova) nën pushtuesit serbë.. Nënë Tereza e kishte çuar zërin e saj në mbrojtje të popullit nga kishte lindur deri te Presidenti i SHBA-s Bill Klinton, të cilit i ishte drejtuar me fjalët : “Biri im bëj diçka për shqiptarët e mi”. Ndersa Bill Klintoni do të deklaronte : “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar; ndihem krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe vlerave të lirisë”… Në pak vite që i kishin mbetur mbi këtë tokë bijes sonë të Shenjtë Nënë Terezës, ne e nderuam e respektuam si asnjë popull tjetër në botë, ndërsa bija jonë hyjnore na fali e na njohu si “GJININË” e saj, shpesh mëkatare jo për fajin tonë… Fatësisht vetë selia e shenjtë me anë të ish Papës famëmadh Gjon Pali II falenderoi kombin tonë për këtë bijë të shenjtë që i dhamë kësaj bote halleshume, ku ndër të tjera thoshte “… Edhe në kohën e Izolimit të plotë të Shqipërisë kjo rregulltare e përvuajtur ishte ajo që përçonte emrin e atdheut tuaj në mbarë Boten. Në personin e Nënë Terezës Shqipëria është nderuar gjithmonë, pasi ky ishte misioni i saj dhe i gjithë atyre ndjekësve të vërtetë të Krishtit dhe Apostujve të tij që përhapnin dashurinë dhe jetën mbi dhembshurinë e kësaj bote. Për këtë ju falenderoj sot (Ju shqiptarëve) në emër të Kishës Katolike, që i falët botës këtë bijë të madhe të tokës e popullit tuaj…”. Vlenë të cilësohet se edhe presidenti i asaj kohe i republikes Islamike të Iranit , Muhamet Khatani (pas vdekjes së Nënë Terezes) do të thoshte : ”Madheshtia e Nënës Tereze konsiston në shpirterimin e madh nga mendimet e mëdha të vlerave morale dhe fetare, që ajo mbante per të miren e njerzimit.”. Nga ky vlersim i mrekullueshem per Nënë Terezen (nga një Presidenti me profil të lartë fetar) ,“gjejne” mbeshtetje edhe fjalet proverbiale të Papa Gjon Palit dytë se në ketë botë ka dy FE apo besime, ata që besojne ne Zot , dhe ata që nuk besojnë. Vatikani që nga 19 tetori i vitit 2003 nisi proçesionin e Shenjtërimit të Nënë Terezës , procesion që “kulmoi” me firmosjen e dekretit të shenjtërimit të Nënë Tereze me daten 4 shtator 2016 nga Papa Francesku. Vlenë të shenohet se nëse ne shqiptaret si ditë perkujtimi e feste per Nënë Terezen , që nga viti 2004 kemi shpallur edhe 19 tetorin , në shtetin e Nju Jorkut , Senati dhe Asambleja e këtij shteti kanë shpallë (në 2017) , 4 shtatorin festë zyrtare që do njihet si të gjitha festat e tjera të veçanta. Neper Botë në përgjithësi e në trojet etnike Shqiptare në veçanti filluan t’i kushtojnë shumë vepra arti e emërtime të ndryshme, ku spikat ndertimi i Katedrales kushtuar Shenjtores Terezë në Prishtinë (Kosovë) , shugurimi i të cilës u bë me 5 shtator 2017 , me rastin e 20 vjetorit që Nënë Tereza ndërroi jetë. Në Vau të Dejës është ndertuar katedralja kushtuar Shenjëtores. Ndërsa para disa viteve në Shkodër, pas shumë vështirësive (që suallen disa paragjykime me mendësi antieuroperëndimore) , u bë e mundur që në qendër të qytetit të kemi “truporen” e saj , e cila me sa duket do të zëvendësojë për Shkodrën e Malësinë- Zojën e Shkodrës, të larguar nga rreziku i pushtuesve turko-aziatikë që në vitin 1467… Në këtë shënim perkujtimor për ditlindjen e shejnëtores Terezë nuk po mundem të qëndroj pa ju drejtuar me një lutje me shpresë se do të ma dëgjoj Shenjëtorja Terezë.: “SHENJTORJA TEREZË LUTU PËR NE MËKATËNORËT TË KTHEHEMI NË SOFRËN EUROPERËNDIMORE, TË LARGUAR PREJ KOHËSH PADREJTËSISHT DHE PA DËSHIRËN E SHUMICËS SË SHQIPTARËVE…” Lutu Shenjtorja Terezë edhe për shtetaret, pushtetaret dhe institucionet shtetrore që të kujtohen se mund të bëhën më njerzor… Duke u ardhur fundi ketyre fjalëve zemre për shenjetoren Tereze mendova ta mbyllë duke cituar disa nga fjalët-lutje të nënë Terezes me 10 dhjetor 1979 me rastin e marrjes të çmimit nobel në Oslo- Norvegji.
“O Zot, më bëj të jem mjet i paqes Sate:
ku ka urrejtje, bëj ta sjell dashurinë,
ku ka fyerje, bëj ta sjell faljen,
ku ka mospajtim, bëj ta sjell bashkimin,
ku ka dyshim, bëj ta sjellë fenë,
ku ka gabim, bëj ta sjell të vërtetën,
ku ka dëshpërim, bëj ta sjell shpresën,
ku ka pikëllim, bëj ta sjell gëzimin,
ku ka ërrësirë, bëj ta sjell dritën…”
VOO: Citimi i këtyre fjalëve-lutje të Nënë Terezës, janë marrë nga përkthimi i Rev. “DRITA” ku ka pasur për bazë fjalimin original në anglisht,të Oslos Norvegji 10 dhjetor 1979, i postuar tek web faqja zyrtare e Çmimit Nobel: /http://www.drita.info/