
Nga Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI/
Dita e çdo banori të Shqipërisë fillon dhe mbyllet ndryshe nga ajo e një banori të një vendi normal perëndimor. Në Shqipëri, njeriu sa zgjohet mund të ndodh që ngrihet dhe ska ujë për të larë sytë dhe as energji për të pare, por nëse je me fat që të kesh kushtet për t’u bërë gati, sfida fillon sapo hedh hapin e parë nga dera e shtëpisë. Në pallat mund të mos punojë ashensori sepse ndonjë i ka futur ndonjë shqelm derës ose nuk vjen disa minuta sepse dikush e mban me zor. Nëse zotëron një automjet mund të ndodh që nuk del dot nga garazhi sepse ndonjë ka parkuar natën para daljes apo se rruga e daljes është bllokuar nga makina që thuajse në të dy anët. Në momentin që provon të futesh në rrugë si këmbësor, apo edhe si drejtues automjeit, rrezikon që të marr para ndonjë makinë që lëviz me shpejtësi marramendëse edhe pse është lagje dhe fëmijët kanë nisur të shkojnë për në shkollë. Zakonisht këto makina janë me xhama të zinj dhe që kushtojnë sa qimet e kokës, por drejtohen e zotërohen nga cunakë që nuk kanë punuar kurr në jetë apo nga drejtues të tjerë që zor se dinë të shkruajnë as emrin e tyre. Pa dal më tutje përballesh me një varg makinash që kanë bllokuar rrugën sepse një “i fortë” ka ndaluar makinën dhe po bisedon me një të fortë tjetër që është kryqëzuar, apo që nga makina po ngacmon ndonjë vajzë që po kalon rrugës në punën e saj. Sapo hapet rruga mendon që ke shpëtuar, por shikon që përballë apo pas teje është futur në mes të rrugës me dy kalime një automjet tjetër që është duke lëvizur si rrufe apo një varg makinash që i janë vënë pas ndonjë ambulance apo automjeti shërbimeve të tjera urgjente të cilit sapo i ke hapur rrugën. Pa kaluar shumë minuta, jo rrall herë mund të shikosh makina që janë përplasur me njëra-tjetrën apo këmbësorë që i kanë marrë para. Sapo përfundon udhëtimi, fillon mankthi i parkimit dhe kur mendon që gjete një parkim, kujdes sepse mundet që ndërkohë që po lëviz për t’u futur në parking, dikush të futet me shpejtësi para teje dhe kjo mund të jetë një ftesë për t’u sharë, për t’u rrahur dhe madje edhe për t’u vrarë. Pasi lë makinën në parking, nëse ta mban xhepi mund të ulesh të konsumosh një kafe, por sa të ulesh do kuptosh që nuk je në kafe, por në një lokal ku muzika zakonisht pa asnjë shije artistike për të qenë, është në një volum që të çmend dhe nëse tenton t’i kërkosh një kamarieri ta ulë, përgjigja që do marrësh është, jo sepse e ka vendosur pronari dhe nuk e ulim dot. Sapo të mbarosh kafen që ta ka çuar stresin në kulm, fillon dita e punës që është tepër e veçantë. Nëse punon në shtet dhe ke fatin e keq të kesh shef, në shumicën e rasteve do të duhet të pranosh të drejtohesh nga injorantë sepse shumica e tyre të tillë janë, ndërkohë, do të duhet të jesh i vëmendshëm që të mos jesh ekzekutuesi i dëshirave të shefit për të shkelur ligjin që të mos përfundosh në burg, por ndërkohë të duhet të ruash vendin e punës. Nga ana tjetër, edhe nëse je vet shef, mund të ndodh që një ditë të bukur të zëvendësohesh nga ndonjë truthatë apo truthar apo ndonjë që s’ka fare tru, por që e ka vendosur ose partia, ose gadishmëria për të bërë gjithcka i thonë ose thjesht hiret. Ndërkohë, në privat thjesht në shumicën e rasteve punonjësi është një skllav modern. Nejse, dita vazhdon dhe nëse je me fat që ta mban xhepi mund t’i lejosh vetes një drekë apo ushqim të shpejt, por nëse do dalësh në atë kohë, do shohësh që baret dhe restorantet, janë plot e përplot me njerëz që nuk kanë kanë punuar kurr në jetë, që vijnë me automjete super lluksoze, për veshje mbajnë disa qindra apo mijëra euro dhe që sigurisht shoqërohen në çdo rast nga femra, kryesisht të reja, sharmante në maksimum, por që në shumicën e rasteve janë në rolin e koketave apo të “aksesorit” të ndonjë kaposhi të veshur me markat më të shtrenjta, me ora disa mijë euroshe, tek tuk edhe me stilin e viteve 90’ që xhinxhiret e florinjt i nxjerrin sipër bluzave, kryesisht me mjekra për të rritur peshën e pranisë së tyre dhe që porosisin shishe pijesh që kushtojnë sa gjysma apo rroga e plotë mujore e shumicës së Shqiptarëve, që pagujnë me para në dorë dhe që kujdesen që kur të pagujnë të nxjerrin në pah tufën e prerjeve të mëdha të parave të huaja apo lekëve. Nëse je me fat, dreka mbyllet paqësisht dhe thjesht pamja që pate fatin të shikosh, të bën të bësh shuma analiza mbi atë çfarë shikove, çfarë mund të ishte dhe çfarë do të doje ti të kishe parë, por tek e fundit edhe pse thonë që njeriu vuan më shumë nga fantasia e tij sesa nga realiteti, përsëri ky i fundit mund të mbyllet edhe duke qenë dëshmitarë i ndonjë atentati, ku mund të hash edhe ndonjë plumb kot nga vrasësit me pagesë që mund të vrasin edhe për qindra euro apo mund të jesh pjesë e një paketë “paguaj një dhe një e merr falas”. Ndërkohë që ngrihesh për t’u kthyer, mund të mos jesh në gjendje të mbash mend rrugën, sepse atje ku ke kaluar pak ditë më parë mund të ketë mbirë ndonjë pallat sipër ndonjë lulishtje, rruge, prone shtetërore, apo edhe ndonjë parku kombëtar. E ndërkohë, ndërsa vazhdon rrugën mund të dëgjosh edhe kalimtarë që i tregojnë njëri – tjetrit se si mund të kenë blerë vetë apo ndonjë tjetër një kat të tërë apo me shumë në këto pallatet një ditë më parë me para në dorë dhe vetë fillon e mendon për madhësinë e cantës që ka mbajtur paratë për të paguar deri në 4 apo edhe më shumë mijë euro për një metër katror. Pasi kthehesh, në zyrë mund të vij për vizitë ndonjë biznesman i ri në treg, që ka hapur një shoqëri me 100 lekë kapital para pak ditësh, por që ka marr një tendër shumë milionësh pas pak ditësh, krahas ndonjë konçesioni, konçesion i thënshin sepse çdo gjë e paguan shteti. Pasi mbaron punën, në kthim për shtëpi, kalvari i gjithçkaje përsëritet ndoshta me dozë të rritur falë edhe ngarkesës së ditës tek njerëzit dhe normalisht trafiku të shoqëron gjatë gjithë kohës edhe pasi është rritur çmimi i naftës. Thjesht, shqiptarët s’duan t’ia dinë, janë magjistarë që me paga qesharake ia dalin të mos i zbresin kurr makinës. Ritmi i javës mbetet thuajse i njëjtë, derisa vjen fundjava dhe këtu ndarja e klasave midis skllavopronarëve dhe skllevërve modern bëhet shumë më e prekshme. Qejf që vjen e fundjava, por edhe hall, sepse shumica e njerëzve nuk ia lejojnë dot vetës të prishin pagën e muajit në një fundjave, ndërkohë që nëse je me fat mund t’i lejosh vetes të hash ndonjë drekë apo darkë me familjen apo të shkosh në plazh gjatë verës. Gjithësesi, të shkosh në plazh mund të rezultojë një përvojë tepër depresive, si fillim nuk do gjesh vend në shumicën e hoteleve dhe nëse gjen, çmimi do të jetë special dhe tejet i rritur nga ankandi që do zhvillosh me paranë e pisët që derdhet vu nga tek çmimet e hotelit, tek shampanja apo tek ndonjë shezllon mbi ndonjë tarracë betoni që kushton 200 apo edhe më shumë euro, thjesht sepse ndodhet diku ku rrijnë të fortët apo të pasurit e vendit, të shoqëruar gjithmonë nga koketat e tyre të përhershme, zakonisht tek e tek, por nuk mungojnë edhe rastet kur paraqiten në formën e tufës. Normalisht, përshkrimi i këtyre deformimeve shoqërore mund të vazhdonte pafundësisht dhe kushdo që e bën këtë analizë, kupton që shoqëria jonë është tërësisht e deformuar, ku thuajse asgjë nuk është në vendin e as në kohën e duhur, si dhe nuk bëhet as në mënyrën dhe as nga njerëzit e duhur. Natyrisht, shkaqet janë të shumta dhe të gjithëllojshme, por shkaku themelor që pjell thuajse të gjithë shkaqet e tjera, është injoranca, që tani është shndërruar në një fenomen masiv që sa vjen dhe rritet vazhdimisht, si pasojë e dërrmimit të sistemit arsimor dhe braktisjes së shkollës, si dhe ndër të tjera edhe për shkak të rënies së vlerës së arsimit në marrëdhëniet shoqërore në vendin tonë. Eh në një vend ku injoranca bëhet masive, edukata, kultura e çdo fenon tjetër pozitiv bëhen gjithnjë e më të rrallë dhe vendi sa vjen e bëhet më i çuditshëm dhe më pak i banueshëm për njerëzit normal. Sigurisht, në një vend të tillë është e kotë të flasësh për demokraci, shtet të së drejtës, shtet social, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe për ndjesinë e të jetuarit si një njeri i lirë në një shtet ku gjithsecili merr atë që i takon. Tashmë, deformimet shoqërore në Shqipëri kanë arritur nivele aq të larta sa asnjë mekanizëm normal shoqëror nuk mund t’i rivendosë ekulibrat e humbura dhe vetëm një revulucion i gjithanshëm mund të ringjalli shpresën për shndërrimin në një vend normal, revolucion i cili duhet të fillojë nga arsimi. Ndërkohë, për fatin e keq, investimi në arsim, kërkon shumë vite dhe për pasojë edhe përmirësimi i gjendjes edhe nëse do të fillonte menjëherë, do të merrte shumë vite.Eh, gjithësesi, Shqipëria e deformimeve, vazhdon të mbetet vendi i Shqipeve, e pikërisht ky fakt të mban gjallë shpresën se një ditë do jemi si vendet e tjera dhe ndoshta edhe më mirë, por kjo gjë s’do të ndodh kurr derisa çdo Shqiptar të fillojë ndryshimin nga vetja e tij, nga familja e tij e kështu me radhë, që mund ta bëjmë Shqipërinë vend të njerëzve të lirë dhe krenarë për historinë e tyre!