


PhD Artan Hoxha
Fundjava e sprasme e nëntorit 2021 që ishte e gjatë sepse përkonte me festën e Shpalljes së Pavarësisë dhe atë të Çlirimit të Shqipërisë nga ushtritë naziste u festua, të paktën në Tiranë, ashtu si zakonisht kalohen të gjitha festat. Baret, pub-et, birraritë, restorantet u mbushën plot me njerëz të të gjitha grupmoshave dhe paraja u derdh lum. Flirtet nuk munguan: vajzat joshnin me hiret femërore përmes dekolteve dhe minifundeve kurse djemtë, me mjekrat e stiluara dhe flokët me brilantinë ekspozonin muskujt dhe trupat e tyre të palestruar pas bluzave enkas të ngushta. Platformat instagram, facebook e tiktok shpërthyen nga imazhe të shumëllojshme. Duhet të kërkoje shumë mes këtyre pamjeve të mbushura me eros për të shquar ndonjë mesazh patriotik. Politika nuk dukej në horizontin e këtyre festave në një shoqëri që, ashtu si edhe në Europë e Amerikën e Veriut, është e përfshirë katërçipërisht në konsumerizmin dhe hendonizmin e epokës postindustriale. Këto ditë të shënuara të pedagogjisë patriotike dhe ritualit nacionalist, treguan se shoqëria shqiptare po depolitizohet gjithnjë e më shumë. Në pjesën më të madhe të tyre, shqiptarët janë të shqetësuar për të ardhura më të larta dhe për të zgjeruar mundësitë për të zbuluar dhe shpalosur potencialet e tyre; më shumë se sa tek e shkuara ata janë të përqendruar tek e tashmja dhe e ardhmja. Duket sikur thënia e Monteskjesë se “të lumtur janë ata që nuk kanë histori” gjen vend në Shqipërinë e sotme – e në shumë e shumë vende të tjera, gjithashtu – ku, edhe pse historia ka një peshë shumë të madhe mbi të tashmen, ajo gjithsesi zë një vend fare të papërfillshëm në mendjet e shumicës së njerëzve. Por historia, sidomos ajo komuniste, rëndon e shqetëson eksponentë të caktuar brenda forcave kryesore politike në vend dhe festat e 28-29 Nëntorit u dhanë atyre një mundësi të qarkullojnë sërish idetë e tyre. Një fantazmë po u fanitet shpirtrave të këtyre personazheve që lundrojnë mes politikës, medias dhe akademisë. Është fantazma e komunizmit dhe e Enver Hoxhës.
U bënë disa javë tashmë, që një nga fjalët çelës të debatit mediatik është bërë çështja e dekomunistizimit. Bujar Çela, një deputet i Partisë Socialiste, figurë krejtësisht anonime e politikës shqiptare, gjeti mundësinë të bëhej i njohur duke uruar Ditën e Pavarësisë me një fotografi, ku krahas flamurit kombëtar qëndronte edhe portreti i Enver Hoxhës. Kaq mjaftoi për të vënë në lëvizje Partinë Demokratike, që nëpërmjet nënkryetarit të saj kërkoi fillimin me urgjencë të dekomunistizimit. Në një deklaratë për shtyp, Enkelejd Alibeaj, theksoi se bashkë me nazizmin edhe komunizmi është i dënuar nga Bashkimi Europian. Që prej atij momenti, aktivistë të lidhur me forumet drejtuese të Partisë Demokratike në media dhe akademi, kanë nisur një fushatë të vërtetë kundër të kaluarës komuniste dhe kërkojnë edhe kalimin e një ligji mbi dekomunistizimin duke iu referuar në vijimësi një rezolute të Bashkimit Europian. Besoj se e kanë fjalën për rezolutën e 2 prillit të vitit 2009, që dënon të gjitha krimet e regjimeve naziste apo komuniste si dhe njeh se nazizmi, stalinizmi, regjimet komuniste dhe ato fashiste janë një trashëgimi e përbashkët europiane me të cilat, banorët e kontinentit duhet të ballafaqohen përmes një debati të ndershëm dhe konstruktiv. Pra, Europa nuk bashkohet vetëm nga rrënja e përbashkët qytetërimore greko-romake, kristiano-judaike dhe tradita intelektuale laike e iluminizmit – për të cilën ajo mburret – por edhe nga fatkeqësitë e mëdha që tronditën nga themelet arritjet e humanizmit europian.
Qysh prej 28 Nëntorit, debati në Shqipëri ka marrë një tjetër drejtim. Së pari, asnjë nga ata që bëjnë thirrje për dekomunistizim nuk arrijnë dot të përgjigjen se çfarë kuptojnë me këtë term. E po njëlloj, nuk dinë dhe nuk njohin rezolutën e 2 prillit të vitit 2009. Sipërmarrësit mediatikë e politikë që kërkojnë me forcë dekomunistizimin, nuk shprehen mbi dënimin e krimeve të regjimeve që ndiqnin ideologji ekstreme të majta e të djathta, si një reflektim mbi një të shkuar të përbashkët europiane, që nuk i dallon shqiptarët nga europianët e tjerë por i bashkon ata në një trashëgimi të përbashkët historike. Përpos kësaj, ligjërimi që ata përdorin është në shumicën e rasteve revanshist. Ndërsa kërkojnë vendosjen e drejtësisë, ata trumbetojnë për dënimin e krimeve të komunizmit me një gjuhë urrejtjeje. Por, nëse i referohemi sërish Bashkimit Europian, ky e dënon gjuhën e urrejtjes dhe anatemimin e kujtdo për shkak të besimit fetar apo ideologjik, orientimit seksual, gjinisë, racës, klasës, etj. Në fakt, regjimet komuniste dhe fashiste i kanë mbështetur programet e tyre politike mbi ideologji dhe mbi një fjalor, që ushqente urrejtjen për armikun, qoftë ai klasor apo racor. Ndërkaq, në këto dy javë, topat zbrazen kundër komunizmit duke keqinformuar publikun me dashje ose padashje, se kjo ideologji është e dënuar nga BE-ja. Sesi mund të jetë komunizmi i dënuar nga Bashkimi Europian në një kohë kur thuajse në të gjitha vendet e unionit ka parti komuniste dhe kampuset universitare janë të mbushura me marksistë, për këtë askush nga nismëtarët e dekomunistizimit nuk flet. Ndoshta edhe nuk janë të informuar, nuk i dihet. Padija, ashtu si edhe harresa, i bëjnë njerëzit të lumtur dhe i mbushin plot vetëbesim në atë që mendojnë se është kauza e tyre. Në sjellje, këta janë po njëlloj si edhe ata që dënojnë.
Madje, sipërmarrësit e djathtë të dekomunistizimitas nuk pranojnë, e madje e kundështojnë të skandalizuar faktin seKarl Marksi ka qenë një filozof humanist. Që nga ky pohim del qartë se as nuk e njohin dhe as nuk e kanë lexuar Marksin. Si antikomunistë, ata nuk e marrin mundimin ta lexojnë atin e komunizmit “shkencor”, sepse për ta ai është “largqofti” – tjetër çështje, pastaj, sesa janë në gjendje ta kuptojnë atë. Këtu nuk po bëj apologjetin e Marksit, të cilin kam më shumë se 20 vjet që e lexoj dhe sa më shumë i rikthehem, aq më shumë kuptoj se nuk mbështes idetë e tij, sidomos determinizmin e tij historik dhe mëtimin e historia udhëhiqej në rrugëtimin e saj nga një logjikë dhe ishte drejtuar drejt një destinacioni të pashmangshëm: shoqëria komuniste. Si vinte në dukje me mjaft mprehtësi Albert Kamy “sa më shumë njerëzit besojnë te historia, aq më shumë ata humbasin përgjegjësinë për jetët e qenieve njerëzore”. Por kjo nuk do të thotë se duhet të deklaroj se Marksi nuk ishte humanist apo, edhe më keq, ta shpall armik apo heretik. Filozofi i madh gjerman vijon të jetë një figurë qendrore e historisë së mendimit evropian dhe botëror dhe çdo intelektual i mirëfilltë angazhohet seriozisht me veprën e tij. Në këtë rast, do të ishte e nevojshme të kujtonim Volterin, që në një rast i shkruante një oponenti të tij: “me ty nuk jam dakord dhe mendimet e tua nuk më pëlqejnë, por jam i gatshëm të luftoj deri në vdekje që ti të kesh të drejtën t’i shprehësh ato”.
Në fakt, mënyra se si flasin partizanët e dekomunistizimit të këtij fundiviti dhe sesi e ndërtojnë gjithë ligjërimin e tyre, të bën të kuptosh se ata janë po aq përjashtues, e po aq mohues ndaj “Tjetrit” sa edhe revolucionarët e tipit leninist. Më shumë sesa me ithtarët e lirisë, këta shëmbëllejnë me inkuizitorët. Kërkesave dhe akuzave të tyre u kundërpërgjigjen “specialistë”, “ekspertë”, “studiues” dhe politikanë të së majtës shqiptare apo të lidhur e në shërbim të saj. Në shtyp e televizion ata nisin e rendisin krimet e forcave antikomuniste gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, por pa përmendur krimet që kanë kryer forcat komuniste dhe regjimi i PPSh-së gjatë dyzetë e pesë vjetëve të pushtetit të tij. Mos vallë duan të deligjitimojnë kërkesat e PD-së duke heshtur mbi krimet e PKSh-së dhe të PPSh-së? Kjo heshtje e tyre tregon se ata e legjitimojnë represionin dhe dhunën që ushtroi regjimi komunist mbi kategori të tëra shoqërore. Kështu, debati hyn në rrugë qorre dhe reflektimi i nevojshëm dhe klima e diskutimit prishet përfundimisht nga “profesionistët” e palicencuar të të dy krahëve të spektrit politik.
Edhe më shqetësuese janë kategoritë kolektive që përdorin në zhargonin e tyre “dekomunistizuesit” e këtij fundiviti. Repertori konceptual që ka si njësi analize grupin, në rastin konkret “komunistët” në numrin shumës, tregon se sa të pashkëputur janë ata nga tradita intelektuale e shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX. Nga sa i njoh, ata janë të pavetëdijshëm për këtë fill që lidh mendimin e tyre më atë të një shekulli e ca më parë, kohë kjo kur u ngjiz komunizmi, nacionalizmi, eugjenizmi, racizmi shkencor dhe të gjitha ideologjitë që kërkesat e tyre, i artikulonin mbi bazën e të drejtave që i takonin grupit ose grupeve dhe jo individit. Ky i fundit humbiste në kategoritë e gjera sociale ku e vendosnin ideologjitë. Deri ne mesin e shekullit XX është folur për të drejta kombëtare, etnike e klasore. Po njëlloj ndodhte edhe me armikun, i cili identifikohej mbi bazën e disa cilësive që i mvisheshin grupit shoqëror ku ai bënte pjesë. Në Europë, situata do të ndryshonte vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, që përkon me rritjen e skajshme të ndikimit amerikan në kontinentin e vjetër dhe kur në këtë të fundit do të depërtonte konceptimi individualist i të drejtave. Tanimë, do të flitej për të drejtat e njeriut dhe jo më të qytetarit, ky i fundit i kuptuar si një subjekt ekskluzivisht politik i angazhuar në jetën politike kombëtare. Individualizimi i të drejtave, i dha fund edhe asaj që është quajtur “tirani e qytetarit” dhe bashkë me të u depolitizua çështja e të drejtave, që i takonte ose i përkiste të gjithë njerëzve, pavarësisht statusit të tyre politik.
Në Shqipërinë e vitit 2021, ata që predikojnë “dekomunistizim” shkojnë në drejtim të kundërt me këtë prirje që ka më shumë se pesëdhjetë vjet që ka hedhur rrënjë në Europë dhe në segmente të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Kodet gjuhësore dhe konceptuale që përdoren janë thellësisht kolektive. Në vend që ta trajtojnë problemin e regjimit komunist si një dukuri historike shqiptare dhe botërore, ata vënë në shënjestër kategori të caktuara sociale të cilat i godasin dhe kërkojnë t’i bëjnë përgjegjës me çdo kusht. Nuk flasin për reflektim por për ndëshkim, ose më mirë për ostracizim shoqëror. Historinë e shkruajnë si kanë qejf, shpesh duke e shitur veten si studiues, ndërkohë që nuk janë dhe nuk kanë asnjë formim për të bërë punë akademike serioze, të paktën jo për periudhën komuniste. Ndaj edhe kur e bëjnë këtë, e vënë në shërbim të agjendës së tyre apo edhe të promovimit të vetes. Kërkojnë të përdorin dekomunistizimin si mjet për të politizuar mjedisin gjithnjë e më të depolitizuar shqiptar dhe problemin e drejtësisë ndaj viktimave të komunizmit synojnë ta shndërrojnë nga një problem mbarëshoqëror, që kapërcen të majtën e të djathtën, në një instrument partiak.Në të vërtetë, depolitizimi i shoqërisë shqiptare që ne shohim sot, është tregues i zbehjes gjithmonë e më të madhe të trashëgimisë komuniste. Regjimi komunist donte të përshkonte çdo pore të shoqërisë dhe të kontrollonte çdo sferë të jetës përmes politizimit.Distancimi gjithnjë e më i madh i shoqërisë shqiptare nga ky politizim dhe debatet që prodhojnë vazhdimisht partitë politike, përfaqësojnë një dekomunistizim spontan e të pakomanduar nga lart.
Në fakt, ata mëtojnë se Partia Demokratike ka të drejtën morale dhe historike të drejtojë dekomunistizimin, kjo me pretendimin se ish të përndjekurit janë elektorati historik i PD-së. E para, pohime të tilla tregojnë qartë se sipërmarrësit politikë dhe mediatikë që kërkojnë dekomunizstimizin, e shohin këtë proces ekskluzivisht si një nismë politike të një partie të vetme duke përjashtuar çdo formë dialogu pluralist që përfshin brenda saj edhe shoqërinë civile. E dyta, ata e rrudhin këtë proces vetëm tek drejtësia për ish të përndjekurit. Sipas këtij arsyetimi, PD ka akaparuar ish të përndjekurit dhe pa të djathtën ata janë jetimë, kurse e majta nuk i sheh si shtetas shqiptar që kanë të drejtën e tyre kushtetuese të dëmshpërblehen moralisht dhe materialisht për të gjitha vuajtjet e tmerrshme që kanë kaluar gjatë regjimit komunist. Nga ky moment, ky problem nuk i takon më shoqërisë dhe të gjithave forcave politike, por vetëm Partisë Demokratike.
Dekomunistizimi dhe monopolizimi i këtij procesi shndërrohet kështu në një mundësi për të fituar kapital politik dhe për të goditur kundërshtarin politik, në këtë rast PS-në, duke e etiketuar atë thjesht dhe vetëm si trashëgimtare të PPSh-së dhe jo si partinë kryesore të së majtës që përfaqëson një pjesë shumë të rëndësishme të elektoratit shqiptar. PS, sipas kësaj logjike, ka ndryshuar emër por jo përmbajtje. Në këtë mënyrë, duke e lidhur dekomunistizimin me rezolutën e vitit 2009 të BE-së dhe europianizimin, PD kërkon të delegjitimojë sa më shumë brenda dhe jashtë vendit PS-në. Përtej padijes dhe zellit të tyre për të ndjekur dhe asgjësuar fantazmën e Enver Hoxhës dhe të komunizmit, arsyeja pse ithtarët e dekomunistizimit flasin dhe përdorin kategori kolektive që vënë në thepin e shënjestrës së tyre grupime të tëra, kanë qëllime të qarta politike të ditës. Duke akuzuar PS-në e vitit 2021 si trashëgimtare të PPSh-së që kishte për ideologji udhëheqëse marksizëm-leninizmin dhe duke deklaruar komunizmin si ideologji të dënuar nga BE-ja, praktikisht kupola e PD-së dhe të gjithë ata që janë në shërbimin e saj, kërkojnë të delegjitimojnë forcën politike që ka pushtetin. Kjo është një nga nismat e shumta që tanimë janë bërë të modës në jetën politike shqiptare, ku opozita kërkon me çdo kusht të polarizojë gjendjen në vend dhe të delegjitimojë partinë që ka fituar zgjedhjet.
Prandaj edhe instrumentalizimi i “dekomunistizimit” ka për të qenë një flluskë sapuni për sa kohë udhëhiqet nga qëllime segmentare që nuk rrokin në gjithë gjerësinë e tyre mbarë shoqërinë shqiptare. Kështu, ndërsa Enkelejd Alibeaj kërkon distancim nga Enver Hoxha, ai nuk sqaron se çfarë do të thotë distancim dhe nëse distancimi është alternativa e duhur për të reflektuar mbi të shkuarën. Përpos kësaj, zëvendëskryetari i PD-së nuk kërkon reflektim dhe hetim të gjithë atyre që kanë kryer krime në këtë vend. Dhe krime nuk kanë kryer vetëm komunistët, por jo rrallë herë edhe ata që e quanin veten si antikomunistë, sidomos në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Atëherë kur nismat e kësaj natyre, që kërkojnë përfshirje të gjerë, sidomos të shoqërisë civile, lindin nga nevoja politike të ditës dhe i përgjigjen interesit të ngushtë dhe të momentit të një partie të vetme, ato përgjithësisht veniten po aq shpejt sa edhe shfaqen.
Reflektimi mbi komunizmin dhe krimet e tij, kërkon pikësëpari të njohim se çfarë e mbajti aq gjatë atë regjim në këmbë. Në çfarë mënyrash dyzet e pesë vjetët e periudhës komuniste kanë farkëtuar modele që riprodhohen sidomos në kulturën politike dhe në korrupsionin e madh politik që ka përfshirë vendin? Cilat janë pasojat e shumta ekonomike, kulturore, shoqërore të atij regjimi? Si e kaluara komuniste rëndon mbi të sotmen? Kjo nuk mund të arrihet duke e nxirë atë periudhë dhe duke i adresuar asaj të gjitha problemet me të cilat ndeshet sot shoqëria shqiptare. Ndryshe, do të përfundojmë si Hrushovi me destalinizmin. Duke i mveshur Stalinit të gjitha problemet e Bashkimit Sovjetik, Hrushovi e shfajësoi sistemin që kishte lejuar Stalinin të kryente krimet që bëri – dhe në realizimin e të cilave ishte përfshirë edhe vetë Hrushovi. Duke u marrë më fantazmën e komunizmit dhe të Enver Hoxhës, e duke i cilësuar mbështetësit e diktatorit stalinist shqiptar si të këqij, nuk do arrijmë asgjë veçse do riprodhojmë, nën një petk tjetër, të njëjtin qëndrim të pakompromistë ndaj kundërshtarit, të cilin intrazigjenca e tipit leninist e shndërron në armik.
Shumë instruktive për këdo partizan të dekomunistizimit është domethënia e obeliksut të Nikita Hrushovit, bërë nga skulptori rus me prejardhje hebatike, Ernst Neizvjestni. Në vitin 1962, Neizvjestni pati një debat shumë të ashpër me Hrushovin. Udhëheqësi komunist e quajti artin bashkëkohor të skulptorit si të degjeneruar, akuzë kjo, të cilës ai iu përgjigj se Sekretari i Parë i Partisë Komuniste të BRSS-së ishte thellësisht injorant në fushën e artit. Nuk ka nevojë të përshkruaj sesi u shpreh Hrushovi kundër Neizvjestnit. Gjithsesi, në vitin 1972, familjarët e Hrushovit, që kishte vdekur një vit më parë, i kërkuan të bënte qivurin e ish-liderit sovjetik. Neizvjestni pranoi. Obelisku përbëhet nga blloqe graniti të bardhë e të zi, të cilët janë të ngërthyer në pika të ndryshme me njëri-tjetrin. Duke përdorur një konceptim dikotomik dhe kundërvënien midis dy ngjyrave të kundërta, Neizvjestni përmes kësaj vepre vinte në dukje pikërisht kontradiktat e shumta brenda të cilave ishte kapur Hrushovi. Me qëllime reformatore dhe besimtar i utopisë komuniste, i vendosur të shkëpuste vendin nga trashëgimia staliniste, liberalizues i jetës ekonomike dhe sociale, ai në fund shtypi me tanke lëvizjen hungareze të vitit 1956, ndaloi lirinë artistike ku ishte vetë nismëtar, vijoi përndjekjen fetare me të njëjtin zell si Stalini dhe ekonominë e lejoi të qëndronte e mbërthyer në duart e planifikuesve qendror në Moskë. Përballja mes idealeve dhe realitetit, ndeshja me trashëgiminë staliniste që e kishte formësuar edhe atë vetë, bilanci pozitiv dhe negativ, e bënin Hrushovin një figurë tejet komplekse, gjë që Neizvjestni e shprehu edhe në veprën e tij. Përmes artit të tij dhe gjuhës së ngjyrave të granitit, skulptori i talentuar rus, mblodhi në një monument të vetëm historinë e Hrushovit si njeri dhe të vendit ku ai jetoi dhe drejtoi.
Ndoshta, qivuri i ish-liderit komunist mund të na tregojë shumë më tepër sesi t’i qasemi të shkuarës, pa mllef, por të etur për të kuptuar dhe mësuar sa më shumë prej saj, duke respektuar viktimat por duke bërë kujdes se si të identifikohen xhelatët. Mbi të gjitha, të mos e pikturojmë komunizmin si një distopi tmerri. Duhet kuptuar pse pati mbështetje, sepse gjurmimi i legjitimitetit dhe humbjes së tij nga regjimi komunist, na ndihmojnë më shumë për të kuptuar sesi struktura e pushtetit ndërlidhet me shoqërinë dhe sesi këto përshtaten në mënyrë të ndërsjellë me njëra-tjetrën. Kjo do kohë dhe punë. Në pikturën e tij të njohur “E vërteta, koha dhe historia”, piktori spanjoll Fransisko Goja e portretizonte “kohën” si një burrë me krahë engjëlli që mbante nga dora dhe ndihmonte të “vërtetën”, të portretizuar si një grua, të qëndronte në këmbë. Poshtë tyre, e personifikuar si një vashë thuajse e zhveshur dhe e ulur mbi një shkëmb, qëndronte “historia”, e cila regjistronte ngjarjet, gjë që nënkuptonte se me kohën del e vërteta. Goja ishte bir i kohës së tij dhe besonte plotësisht tek e vërteta. Sot jetojmë në epokën e post-modernitetit dhe siguritë e mëdha të iluminizmit janë tronditur shumë rëndë nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga diktaturat e egra të shekullit XX. Unë nuk e kam më besimin e Gojas për arritjen e të vërtetës, sikundër jam shumë skeptik në objektivitetin e historisë apo në emërtimin e saj si shkencë. Gjithsesi, “E vërteta, koha dhe historia” zbut pesimizmin intelektual të kohës që jetojmë dhe tregon se me kohë, nëse e kaluara studiohet për sa më shumë të jetë e mundur, e zhveshur nga qëllimet sektare – si edhe vasha që personifikon historinë – atëherë do të jetë e mundur të zbërthejmë më mirë të shkuarën tonë dhe përmes saj të kuptojmë se ku jemi e ku duam të shkojmë.