-Senatori amerikan Ron Johnson: Shtetet e Bashkuara përkrahin të gjitha përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon/
-SHBA përkrahje Kosovës në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare/Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ PRISHTINË, 9 Shtator 2018/ Mbërriti sot në Kosovë një delegacion nga Kongresi Amerikan, i kryesuar nga senatori Ronald Johnson.Delegacioni nga Kongresi Amerikan, sipas axhendave të njoftuara, në orën 18:00 u prit nga presidenti HashimThaçi, ndëra në orën 18:40 nga kryeministri Ramush Haradinaj.
KOMUNIKATAT /
Presidenti Thaçi priti senatorin Johnson, biseduan për dialogun dhe forcimin e paqes në rajon/
Prishtinë, 9 shtator 2018 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur senatorin amerikan Ron Johnson, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në mes të vendeve të rajonit.Duke e falënderuar senatorin Johnson për vizitën në këtë kohë të zhvillimeve të rëndësishme, sipas presidentit Thaçi, siç është zgjidhja e kontestit rreth emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, kreu i shtetit theksoi se po punon për arritjen e një marrëveshjeje që do të ketë efekte pozitive për rajonin.
“Marrëveshja do të jetë e vështirë të arrihet”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se nëse arrihet, ajo do të jetë plotësisht në përputhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me BE-në, si dhe do të jetë marrëveshje e zbatueshme.Në anën tjetër, senatori Johnson u shpreh i kënaqur me zhvillimet në rajon.“Shtetet e Bashkuara përkrahin të gjitha përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon”, u shpreh senatori Johnson.Presidenti Thaçi shtoi se është me rëndësi që të gjithë liderët e rajonit po angazhohen të marrin vendime që janë në të mirë të shteteve të tyre, edhe nëse këto nuk janë vendime popullore. Duke folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se po “eksplorojmë të gjitha mundësitë për marrëveshje” dhe shtoi se marrëveshja do të jetë në “të mirë të vendit, të rajonit dhe në pajtim me SHBA-në dhe BE-në. Në interes të vendeve tona dhe të investimeve perëndimore në rajon”.“Në fund, do të jenë qytetarët ata që do ta thonë fjalën e fundit për marrëveshjen”, përfundoi presidenti Thaçi.
Kryeministri Haradinaj: Përkrahja e SHBA-ve në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar është e domosdoshme për Kosovën
Prishtinë, 9 shtator 2018/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion nga Kongresi Amerikan, të kryesuar nga senatori Ron Johnson, me të cilët ka biseduar për aktualitetin politik dhe zhvillimor të Kosovës dhe partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve tona.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar senatorin për prioritetet e Qeverisë, progresin në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit, përmbushjen e obligimeve në rrugën euroatlantike, për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, avancimin e procesit të reformave të gjithanshme të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve.Kryeministri Haradinaj ka falënderuar delegacionin amerikan për ndihmën e pakursyer që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Kosovën dhe qytetarët e saj në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve në vend dhe tani në procesin e fuqizimit ndërkombëtarë të Kosovës.
“Marrëdhëniet bilaterale miqësore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë treguesi më i mirë se Kosova dhe populli i saj janë përjetësisht falënderues për kontributin e shtetit mik në zhvillimin e gjithanshëm të shtetit tonë dhe të përkushtuar që ky partneritet të jetë i përjetshëm”, tha kryeministri Haradinaj.
Në takim është biseduar edhe për procesin e tranzicionit të FSK-së në Ushtri, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në INTERPOL dhe dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast kryeministri Haradinaj ka thënë se përkrahja e ShBA-ve është e domosdoshme në avancimin e këtyre proceseve.
Duke folur rreth zhvillimeve të fundit politike, kryeministri Haradinaj, tha se Kosova është e përkushtuar për ndërtimin e relacioneve të mira ndërfqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit për të kontribuar në paqe dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë dhe në arritjen e paqes finale me Serbinë.
Senatori amerikan Ron Johnson, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke vlerësuar progresin e Kosovës dhe gatishmërinë e ShBA-ve për përkrahjen e Kosovës në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Kryeministri Haradinaj e ka nderuar senatorin Johnson me medaljen e Skënderbeut, në shenjë mirënjohje përkontributit të tij dhënë Kosovës.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie