-Kosovë, qeveria sot dy mbledhje drejt ratifikimit në Kuvend të demarkacionit me Malin e Zi/ -Në mbledhjen e parë të qeverisë u konstatua se tre vota ishin abstenim dhe siç u pa janë nga përfaqësuesit e Listës Serbe/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/
PRISHTINË, 20 Shkurt 2018/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj, zhvillon sot dy mbledhje, ndërkohë që nuk është mbajtur dhe është shtyrë për një ditë të pacaktuar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila ishte ftuar për në mbremjen e 18 shkurtit, në orën 18:00.
Në mbledhjen e parë të qeverisë së orën 10:00 në axhendë ishte “Miratimi i kërkesës drejtuar Kuvendit të Republikës së Kosovës për tërheqje të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”.
Në komunikatën zyrtare nga mbledhja thuhet: “Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar mbledhjen e tridhjetë e një me radhë, në të cilën ka miratuar vendimin për tërheqjen nga procedurat e miratimit në Kuvendin e Kosovës, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Vendimi për tërheqje nga shqyrtimi në Kuvend të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, është bërë me qëllim të plotësimit dhe ndryshimit të këtij Projektligji duke reflektuar në rrethanat e reja, përkatësisht në Aneks Marrëveshjen e nënshkruar më 16 shkurt 2018 ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për rishikimin dhe korrektimin e sektorëve në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhlepit.
Projektligjin e ndryshuar, Qeveria do ta ri procedojë për miratim në Kuvendin e Kosovës, po sot, në mbledhjen e thirrur që do të mbahet në ora 16:00”.
Pas mbledhjes, kryeministri Haradinaj në konferencë shtypi deklaroi se ishte mbledhja e 31-të e qeverisë së Republikës së Kosovës me vetëm një pikë të rendit të ditës. “I drejtohemi Kuvendit për të tërheqë Projektligjin me qëllim të inkorporimit në ligj të marrëveshjes së dy presidentëve, të Kosovës e Malit të Zi. Brenda ditës së sotme, rreth orës 16:00, Projektligjin ia kthejmë Kuvendit dhe që nesër jemi të gatshëm për seancë”, deklaroi Haradinaj.
Pas votimit në mbledhjen e qeverisë u konstatua se tre vota ishin abstenim dhe siç u pa janë nga përfaqësuesit e Listës Serbe.
Megjithatë, pas mbledhjes, kryeministri Haradinaj, tha se “kjo ishte shumë shenjë e mirë që ishin në takim të qeverisë, zakonisht në disa tema të ndieshme e keni vërejtë kanë munguar”.
Në mbledhjen e dytë të qeverisë sot në ora 16:00 në axhendë është “Plotësimi dhe ndryshimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi’”.
Në 16 shkurt, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen ku morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.“Konform kërkesës, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 18 shkurt 2018, në orën 18:00”, theksonte njoftimi i mbrëmjes së të premtës.
Të premtën paradite presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë shtypi ka prezantuar deklaratën e përbashkët që ka nënshkruar me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
“Tani ka hapësirë të mjaftueshme për të proceduar me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke i hapur rrugë kështu liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, është shprehur ai.
Liberalizmi i vizave, vijoi presidenti kosovar, është dhurata më e mirë që mund të ndodh në këtë 10 vjetor të pavarësisë së Kosovës.
“Prandaj, jam i sigurt se partitë politike parlamentare do të kenë vullnet politik që pa humbur kohë ta ratifikojnë marrëveshjen”, theksoi Thaçi.
Deklarata e përbashkët e presidentëve u njoftua pas dy ditëve të vizitës zyrtare në Kosovë të kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markoviç.
Të shtunën ë 17 shkurtit në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Haradinaj prezantoi para kabinetit qeveritar, siç u tha, aneks marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për rishikimin dhe korrektimin e drejtimit të Çakorrit dhe Kullës, e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar për t’ia përcjellë Kuvendit të Kosovës për miratim.
Kryeministri Haradinaj tha se kjo është një e arritur e institucioneve të Kosovës, në këtë rast e të gjithëve që ishin përfshirë në këtë temë. “Mendoj se me këtë deklaratë të përbashkët të presidentëve, si aneks i marrëveshjes së mëhershme janë krijuar rrethanat dhe mundësitë që e drejta e Kosovës në territor të respektohet në tërësi dhe bazuar në këtë po ashtu janë krijuar rrethanat që Parlamenti i Kosovës të jetë unik dhe të votoj marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo marrëveshje si e tillë ka po ashtu një element shumë të rëndësishëm që është vullneti politik i institucioneve të Kosovës por edhe atyre të Malit të Zi që vërtet rishikimi dhe korrektimi të jetë substancial dhe të respektohen të drejtat e bazuara në të gjeturat e trupave punuese, në këtë rast të Komisionit të ri shtetëror të Kosovës dhe njëkohësisht krijimi i trupës së përbashkët Kosovë-Mali i Zi.
Kryeministri Haradinaj përgëzoi Kosovën për këtë marrëveshje të arritur, duke theksuar se institucionet po e tregojnë zotësinë që të gjitha temat e vështira në tavolinë t’i zgjidhin duke e respektuar të drejtën e popullit të Kosovës.
Ndërkohë që marrveshja për demarkacionin pritet të jetë në axhendë të një seance plenare të Kuvendit partitë parlamentare kanë ftuar konferenca për shtyp dhe kanë dhënë qëndrimet e tyre edhe me deklarata. Nga ana e opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se do e votojë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin ashtu si është.
Sias shtypit të sotëm të Prishtinës, Lista Serbe nuk ka garantuar se do ta votojë Demarkacionin me Malin e Zi, duke i kushtëzuar votat me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë.
“Kështu koalicioni qeverisës pa votat e Listës Serbe dhe të Vetëvendosjes besohet se nuk i ka më shumë se 77 vota për Demarkacionin, ndonëse për një marrëveshje të tillë ndërkombëtare duhen së paku 80 vota të deputetëve”, thekson shtypi.
“Jemi në proces të zgjidhjes së çështjes së demarkacionit”, deklaroi dje kryeministri Haradinaj, dhe shtoi: “Historia do ta tregojë që nga e gjithë kjo ne kemi fituar të drejtën territoriale të vendit dhe lirinë e lëvizjes dhe e kemi nxjerrë Kosovën nga një pozicion shumë i rëndë. Këtë nuk kishim arritur ta bëjmë të vetëm, pa mirëkuptimin e shumë të tjerëve dhe tash ka rëndësi ta kemi mirëkuptimin e të gjithëve, Listës Serbe, Vetëvendosjes dhe çdo deputeti në Kuvend, se është një moment që duhet të jemi të gjithë bashkë”.
Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.
Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.
Në 4 gusht 2016 qeveria e Kosovës, e udhëhequr atëherë nga kryeministri Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
“Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen, mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha kreu i atëhershëm i qeverisë, Mustafa.
Më pas, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.
Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Ramush Haradinaj i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqin, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.
Në 22 shtator, qeveria e re e Kosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimindhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij”, u theksua në mbledhje.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike rinisi të shqyrtohet në 26 dhjetor 2017 në një mbledhje ku përfaqësues të Komisionit shtetëror për kufirin prezantuan raportin e prezantuar më parë para qeverisë në 4 dhjetor.
Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike u mblodh edhe pse më parë ishte njofuar se Kuvendi i Kosovës ishte në pushim dimëror.
“Konform përfundimit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimi në shqyrtim të dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit.
Nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, Kuvendi është në pushim dimëror”, theksohej në njofimin zyrtar në 25 dhjetor.
Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015) ishte pikë e parë e axhendës në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në 4 dhjetor 2017.
Qeveria miratoi Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). “Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje.
Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.
Në mbledhjen e qeverisë mori pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kryesuesi i të cilit, Shpejtim Bulliqi, tha se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar nuk është plotësisht në përputhme me vijën kufitare të Kosovës në kohën e autonomisë së vitit 1974, kur ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëherëshme.
Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.