Nga Alfons Grishaj/Takimi i shumëpritur i Qeverisë së Socialistëve në Diasporë mori goditjen e parë. Megjithse militantë të PS bënë me qindra telefonata për të mbushur një nga sallat e Troy Community Center, organizuesit u shtrënguan të përfundonin në një klasë të vogël prej pesëdhjetë personash, përfshi këtu kameramanët dhe gazetarët. Sqaroj se, komuniteti i shqiptarëve në Michigan, numëron mëse 200 000 persona që jetojnë dhe punojnë në këtë shtet. Diaspora në Michigan preferoi ta injoronte totalisht takimin e Majkos, që përveçse një farsë politiko-mediatike nuk premtonte shprehjen e ndonjë ideje apo vizioni lidhur me raportet e ardhshme të shtetit shqiptar me pjesët dhe potencialin e shkëputur nga trungu. Për më tepër, Diaspora shqiptare këtu në Amerikë, e tradhëtuar nga vota e shtetit të origjinës kundra USA në OKB, kishte të drejtën të mbante qendrim ndaj Ministrit të “Diasporës”, si antar i atij kabineti që ka katandisur në nivelin më të ulët marrëdhëniet mes dy shteteve që prej shembjes së diktaturës. Ky qendrim, bëhet kuptimplotë kur kujton se në Amerikë jetojnë më se gjysëm milioni shqiptarë, të cilët, duke qenë nënshtetas dhe të betuar për flamurin amerikan, ndjehen historikisht në mënyrë legjitime si ura kryesore që mban të lidhura këto marrëdhënie. Para takimit në Troy Community Center, Majko u mundua që të bënte takime kortezie në institucionet fetare dhe ishte habitur për formën dhe nivelin e lartë të organizimit, duke parë me sytë e tij, që shqiptarët në Amerikë, edhe për shkak të një tradite tashmë kohëgjatë por edhe sepse kanë ndjekur modelin amerikan, janë shumë më përpara nga qeveritë e Shqipërisë në shumë aspekte, dhe përveç respektit dhe një programi demokratiko-gjithëpërfshirës, nuk presin asgjë tjetër nga shteti i tyre. Ata janë organizuar rreth institucioneve fetare dhe partive tradicionale nacionaliste pa ndihmën e askujt. E vetmja “ndihmë” e qeverive komuniste ka qenë futja elementeve përçarëse në diasporë.
Në Troy Community Center, Majkos iu bënë disa pyetje që e vunë “me shpatulla për mur”. Atij iu kërkua llogari për votimin e shumicës parlamentare që la jashtë procesit elektoral diasporën, cilësuar si një akt pushtetmbajtës në një demokraci që vetquhet bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë takim të Majkos, ish-zv/Kryetari i të Burgosurve Politik, Gjon Kaçaj, e akuzoi atë për rikthimin e simboleve komuniste, për heshtjen ndaj 29 viktimave që vdiqën me 9 Janar 2004 në kanalin e Otrantos, për vrasjen e të riut Ben Delaj nga RENEA në sy të prindërve dhe murgeshave me këshillë të Pandeli Majkos. Kaçaj, duke analizuar qëllimin e vërtetë të vizitës së ministrit, e pyeti: “A keni ardhur këtu me fytyrën e ëngjëllit, të diallit apo të Judës, dhe a do të jeni dhe ju me Ramën, Tahirin në rrjetën e Ambasadorit Lu?”. Majko u mundua t’i dredhonte pyetjes së tij, por Z. Kaçaj, i tha se ai nuk kish kthyer përgjigje për pyetjet duke e shtrënguar atë të kthehej në mënyrë të papritur duke pohuar: “Kam bërë gabim!”
Tjetër veprimtar në diasporë (pjesëmarrës me 2 Prill 1991 dhe ish-Kryetar i Unionit Studentor i Universitetit Luigj Gurakuqi), Valentin Lumaj, kërkoi nga antari i kabinetit që qeveria shqiptare të tregohej serioze në marrëdhëniet me shtetin amerikan që të mund të gëzonte statusin për të negociuar mbi fatin e emigrantëve të palegalizuar, të cilët, në rrethanat aktuale rrezikojnë të deportohen. Z. Lumaj, pyeti: “Zoti ministër, siç e thatë, ekziston një numër i madh emigrantësh të papajisur me leje qendrimi, sidomos këtu në USA. Nuk e di a jeni në dijeni për një fushatë deportimesh të ndërmarra nga administrata amerikane për emigrantët pa leje qendrimi. Ju si ministër i diasporës, a keni mundësi nëpërmjet pozitës apo kanaleve tua politike të ndërhyni në shtetin amerikan që të ndalet ky deportim i shqiptarëve dhe paisja me dokumentacion? Unë e kuptoj pozitën tuaj të vështirë, pasi qeveria shqiptare është pozicionuar kundër administratës së Presidentit Trump”. Në sallë plasi një ilaritet, që e vuri Pandeliun në vështirësi, sa u detyrua t’i ndërpriste fjalën Z. Lumaj: “Shqiptarët në Amerikë nuk duhet të mendojnë apo të kenë frikë se qendron një përçarje mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane… Mos merrni për bazë një gafë apo një qendrim emocional të çastit të kryeministrit!”. Pasi e kuptoi shkarjen e tij, Majko iu lut kameramanëve me nënqeshje, që mos të publikonin fjalët e fundit, se mund t’i sillnin problem me shefin e tij…
Pyetjet që pasuan, ishin të porositura, pyetje mikluese socialistësh, të cilët u munduan ta gicilonin nën këpucë.
Takimi u mbyll me një dështim të plotë, së pari për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrësve, nja tridhjetë socialistë, pesë gazetarë dhe ndoshta po aq kurreshtarë e demokratë… Por sigurisht, dështimin takimit ia garantoi vetë ministri, me një vizitë pa motiv, pa axhendë institucionale, pa mesazh dhe pa ndonjë dokument paraprak, duke e trajtuar ngjarjen më shumë si një vizitë private apo turistike.