Reportazh nga Rafael Floqi/
Një ceremoni madhështore e organizuar bukur e me sqimë nga Kapitulli i Detroitit mblodhi në Konventën Jubilare të AANO, Albanian American National Organization ( Organizatës Kombëtare Shqiptaro- Amerikane) në kuadër të 75-vjetorit të krijimit të saj, në Down Town Detroit, nga data 3-6 gusht 2023, në hotelin Fort Pontchartrain, ku u organizuan një seri veprimtarish sa edukative kulturore dhe patriotike me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga gjithë degët e saj në SHBA dhe Kanada. Pjesëmarrësit ishin bashkatdhetarë të diasporës historike, por edhe të asaj të re, që erdhën në këtë event për në një praktikë pune dhe argëtimi mjaft interesante që ngërthente në vetvete experiencën dhe kulturën amerikane me shijen dhe me patriotizmin kuq e zi të gjenit shqiptar.
“Qëllimet tona kryesore janë të ruajmë trashëgiminë, kulturën dhe gjuhën tonë dhe të promovojmë edukimin e mëtejshëm të të rinjve tanë përmes Fondit tonë të Bursave. Duke mbështetur këto synime, ne po pasurojmë dhe përjetësojmë të ardhmen e komuniteteve tona shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara. Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane u shërben komuniteteve shqiptare të Amerikës së Veriut qysh nga viti 1946,” na thotë organizatorja kryesore dhe drejtuesja e kapitullit të Detroitit të A.A.N.O, Julia Black.
Julia bashkë me motrën e saj Aleksandra, me familjet e tyre e me anëtarët e Kapitullit të Detroitit së bashku me miq amerikanë, ishin shpirti i organizimit të kësaj konvente, me një numër aktivitetesh argëtuese dhe edukuese, sa për më të moshuarit aq dhe për brezin e rij, që nga muzika e deri tek aktivitetet turistike informative e zbavitëse, nga mësimi i valleve deri tek konkursi i bukurisë i Mbretëreshës së AANO, nga vizitat në muzeume, si fabrika e vjetër e Fordit në Detroit e deri tek vizitat në kantinat e verës, nga mbrëmjet me muzikë popullore të shoqëruar nga Grupi i këngëtares Ermira Babaliu, e deri tek grupi valleve të të rinjve të sapokthyer nga Festivali i Gjirokastrës, i drejtuar me profesionalizëm dhe përkushtim nga koreografia Joli Paparisto , duke përfunduar tek një përshëndetje për AANO në tabelën e rezultateve të ndeshjes së bejsbollit të Tigers me Red Sox of Boston.
Pra, punë organizim dhe zbavitje që rrallë e shohim në eventet e komunitetit. Por pa harruar kryesoren, qëllimin- mbledhjen e fondit të bursave për gati 10 studentë cilësorë si dhe veprimtaritë organizative të drejtimit, si dhe mbrëmjen gala të 75 -vjetorit të shoqëruar me shpërndarjen e titujve vlerësues, për tre figura të rëndësishme të komunitetit në Michigan. Gjithçka e përcaktuar deri në momentin e fundit deri në detaje me orare të caktuara. (Megjithëse ne shqiptarët, punën e të qenit fiks në orar në gëzime e kemi huq, për të cilin mund të qortojmë bukur veten.)
“Organizata jonë është krijuar menjëherë pas luftës së dytë botërore, kur Shqipëria sa po kishte rënë në komunizëm dhe një pjesë e diasporës historike kishte dëshirë të festonte dhe ruante çdo vlerë shqiptare, por nuk dëshironte të involvohej në politikën e ditës dhe në partitë politike të kohës, na rrëfen një nga veteranët e AANO-s, Lui Fundo.” Qëllimi ishte t’i mbanim shqiptarët bashkë, e të bashkuar të ruanim gjuhën dhe vlerat tona. Gjatë luftës së Kosovës shqiptarët ishin mjaft të bashkuar. Tani jo dhe aq, shton me shqetësim dhe vetëqortim ai. Ne duhet të mësojmë nga komunitetet e tjera si nga komuniteti armen për shembull” .
Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, themeluesit vizionarë të AANO krijuan një organizatë që do të ofronte një mbledhje vjetore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Qëllimi i tyre ishte të festonin dhe përjetësonin trashëgiminë tonë të dashur shqiptare, duke siguruar gjallërinë dhe vazhdimësinë e saj, përmes brezave të ardhshëm që mos asimiloheshin në Amerikë. Një nga aspektet e shquara të AANO-s është pikërisht, natyra e saj jo-fetare dhe jopolitike, duke përqafuar dhe festuar të gjithë shqiptarët që banojnë në Amerikë
Për ata që duan të dinë më shumë për veprimtarinë treçerek shekullore të ANNO-s, po citoj nga buletin gjashtëmujor i shoqatës Trumbeta disa reshta nga statuti “Ne, si shtetas amerikanë dhe kanadezë, me origjinë shqiptare e të tjerë të interesuar për shqiptaro-amerikanët, me dëshirën për të formuar dhe përjetësuar një federatë dhe promovojë objektivat dhe parimet e saj; për të realizuar një kuptim të përsosur dhe harmonikm mes nesh dhe të tjerëve, për të promovuar kauzën e qytetarisë së mirë në vend në të cilën jetojmë; për të nxitur frymën e miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit të mirë” Rëndësia e kulturës etnike në Shtetet e Bashkuara është e shumanshme dhe luan një rol të rëndësishëm në formësimin e identitetit të kombit, strukturës sociale dhe zhvillimit të përgjithshëm. Këtu janë disa aspekte kryesore të rëndësisë së tij:
“The Meltin Pot”-kazani shkrirës
SHBA-të shpesh përmenden si një “tenxhere shkrirjeje” për shkak të shtresave të pasura të kulturave etnike. Këto kultura kontribuojnë në diversitetin e kombit dhe promovojnë një mjedis ku njerëzit me prejardhje të ndryshme mund të bashkëjetojnë dhe të mësojnë nga njëri-tjetri. Ky diversitet pasuron peizazhet sociale, ekonomike dhe kulturore të vendit. Kulturat etnike kontribuojnë në një skenë kulturore të gjallë dhe dinamike. Muzika, arti, letërsia, kuzhina, festivalet dhe traditat nga grupe të ndryshme etnike i shtojnë thellësi dhe pasuri shoqërisë amerikane, duke u ofruar njerëzve mundësi për të përjetuar dhe vlerësuar një gamë të gjerë të shprehjeve kulturore.
Për shumë individë, kultura e tyre etnike është një pjesë thelbësore e identitetit dhe trashëgimisë së tyre personale. Ruajtja dhe festimi i rrënjëve kulturore të dikujt mund të nxisë një ndjenjë përkatësie dhe lidhjeje, si me trashëgiminë e tyre stërgjyshore ashtu edhe me komunitetin më të madh amerikan, kjo ndodh me AANO.
Ndërsa kulturat etnike festojnë trashëgiminë individuale, ato gjithashtu ofrojnë një mjet për njerëzit që të bashkohen dhe të formojnë komunitete bazuar në vlerat, përvojat dhe prejardhjen e përbashkët. Këto komunitete mund të ofrojnë mbështetje sociale, të nxisin ndjenjën e përkatësisë dhe të kontribuojnë në kohezionin e përgjithshëm social.
Kujtova këtë arsyetim kur lexova dedikimin e Julias për babain e saj amerikan William Black, i cili e kish lejuar ndihmuar dhe nxitur ne ruajtjen e kulturës kombëtare. Në thelb, rëndësia e kulturës etnike në SHBA qëndron në aftësinë e saj për të nxitur diversitetin, për të pasuruar peizazhin kulturor të kombit, për të promovuar mirëkuptimin dhe unitetin dhe për të kontribuar në rritjen sociale, ekonomike dhe individuale. Është një pjesë themelore e asaj që i bën Shtetet e Bashkuara një shoqëri unike dhe dinamike.
Për mua si gazetar televiziv që nuk ka lënë eveniment të komunitetit shqiptar pa ndjekur, kjo përvojë, ka qenë veprimtaria e organizuar më bukur e më me kulturë sa kombëtare aq dhe amerikane. Ndaj nuk ishte e habitshme që madje edhe juria e bukurisë p.sh përbëhej nga miq dhe një gjykatës amerikan miq të Julias, dhe drejtuesi i konkursit të bukurisë krahas Julias dukej që ishte një profesionist italian i njohur. E gjitha përvojë qe e zhytur në një mjedis tipik amerikan.
Koncepti i “tenxhere shkrirjes” në Shtetet e Bashkuara i referohet idesë së një shoqërie të larmishme në të cilën njerëz me prejardhje të ndryshme kulturore, etnike dhe kombëtare mblidhen së bashku, përziejnë identitetet dhe traditat e tyre unike dhe në fund krijojnë një amerikan të ri dhe të unifikuar. Kjo metaforë ‘ Meltin pot’ nënkupton që, ashtu si metale të ndryshme shkrihen së bashku për të krijuar një lidhje homogjene, ashtu dhe kulturat dhe popujt e ndryshëm të Shteteve të Bashkuara përzihen së bashku për të formuar një komb koheziv dhe të bashkuar.
Termi “tenxhere shkrirje” fitoi rëndësi në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, pasi Shtetet e Bashkuara përjetuan një valë imigrimi nga një gamë e gjerë vendesh. Shpesh përdorej për të përshkruar procesin e asimilimit, ku emigrantët dhe pasardhësit e tyre pritej të adoptonin zakonet, vlerat dhe gjuhën amerikane, duke lënë pas shumë aspekte të kulturave të tyre origjinale. Ky koncept lidhej me besimin se Shtetet e Bashkuara ishin një tokë e mundësive ku njerëzit mund të vinin për të ndjekur një jetë më të mirë dhe për të kontribuar në zhvillimin e një identiteti të ri kombëtar.
“Amerika nuk është si një batanije – një copë leckë e pandërprerë, e njëjta ngjyrë, e njëjta strukturë, e njëjta madhësi. Amerika është më shumë si një jorgan – shumë arna, shumë copa, shumë ngjyra, shumë madhësi, të gjitha të endura dhe të mbajtura së bashku. Nga një fije e përbashkët.” -pat thënë rev . Jesse Jackson. Por duke integruar shqiptarët duhet të mos humbin identitetin e tyre baza e të cilit është gjuha e kultura dhe sa më vonë të ndodhë kjo aq më mirë.
Pse në DownTown ?
Me vendndodhje qendrore në rrethin financiar me qasje të lehtë me Detroit People Mover dhe tramvaj QLINE, hoteli hotelin Fort Pontchartrain bashkëkohor në sitin historik të Fort Pontchartrain ndodhet disa hapa nga Qendra e Konventave në Huntington Place dhe biznese të rëndësishme si Selia e General Motors. Jo larg në këmbë nga Detroit RiverWalk, Little Caesars Arena, Ford Field, Comerica Park, Fox Theatre Një komoditet i nivelit tjetër në një nga 367 dhomat dhe suitat e miqve të pajisura ishte epiqendra e mbledhjeve takimeve apo festimi te eventeve me salla me 32,000 metra katror me hapësirë mbresëlënëse. Kjo duket më shumë si një guidë turistike.
Në një bisedë paraprake Julia dhe Alex, parashtruan një program të gjerë ambicioz që përshinte qysh nga udhëtimet me anije natën në lumin e Detroitit mes Detroitit dhe Winsdor të Kanadasë me drita e dy qyteteve në dy anët dhe muzikën shqiptare në bord. Eventi ishte si një apetizer i asaj që do të vinte më vonë në ditët në vazhdim. AANO ditën e premte organizoi disa aktivitete kryesore, vizita në grup, por dy ishin ngjarjet kryesore të asaj dite, simpoziumi i orës 5: 30 me përvojat dhe profesionet e veçanta, gjë që tregon se si shqiptarët involvohen dhe janë pjesë përbërëse në mos pararojë të jetës sociale amerikane. Sipas njërës nga organizatoret Alex Black, simpoziumi ishte i suksesshëm dhe të pranishmit e vlerësuan mjaft atë.
Z Ilir Bardha, i tha ALBTVUSA se “këto evente shërbejnë për të rritur me shume interesin e komunitetit shqiptaro amerikan dhe lidhjet mes tyre dhe si një shembull për rininë sotme”. Iliri krahas së tjerash, është involvuar si producent i disa filmave me sukses në jetën e shqiptarëve në Michigan, por ajo që i tërhoqi me shume te pranishmit ishte konkursi i bukurisë mbretëresha e AANO-s.
Një rol mbretëreshe vetëm për zonjusha
Në këtë peagant ku morën pjese 5 zonjusha pas një përzgjedhje nga juria profesioniste u vlerësua si mbretëresha e bukurisë shqiptare zj. Allonja Willson. Dhe shoqëruesja e pare Elisa Alushi nga Detroitit. Fituesja do të marrë 500 dollarë dhe do të jetë mbretëresha e ANNO për eventet ardhshme. Të gjithë miset duhet të jenë 17-27 vjeç, të pamartuara dhe me origjinë shqiptare, të gatshme për të udhëtuar, Konkurruesve iu bene disa pyetje ne lidhje me origjinën dhe kulturën shqiptare te cilave ato ju përgjigjën plot maturi. Julia Black dhe Karolina Chako ishin organizatorët e këtij eventi, i cili u shoqërua nga muzika e këngëtares Ermira Babaliu.
Kurora ju dorëzua asaj nga ish mbretëresha për 4 vjet zj. Klea Gjonaj. E cila e përshëndeti eventin. “ Me kënaqësi të pamasë ju mirëpres të gjithëve në Konventën Jubilare të 75-të dhe në konkursin e Mbretëreshës së Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane në Detroit, Michigan”.
ANNO sponsorizon këtë konkurs bukurie si pjesë e programit të saj. Mbretëresha e parë u kurorëzua më 1949 në Westchester, MS ajo ishte Gloria Lambert Kesler nga Westchesteri që u quajt Mbretëresha e Shqiptarëve e qysh prej asaj kohe 24 vajza të reja e kanë mbajtur kurorën e mbretëreshës ndër to edhe vajza e mikut tim drejtorit të TV Gani Vila, Blerina Vila Lumaj.
Shqiptarizëm -integritet, nder, krenari, dhe mikpritje
Siç është tani zakoni çdo ceremoni këtu në Amerikë si për të thënë se jemi disi të dyzuar shqiptaro-amerikanë apo amerikano- shqiptar , fillon me himnet , gjithkush me dorë në zemër. Dhe unë sa herë kujtoj atë esenë e Kadaresë për himnin , “se zoti vetë e tha me gojë , që kombet shuhen për mbi dhe, por Shqipëria do të rrojë se për të luftojmë ne. Por ja një befasi interesante, kësaj here kishte dhe një himn tjetër “ O Canada…” Po pse ?
Në sallën e mbushur plot e përplot mbi gati një mijë pjesëmarrës shqiptarë nga të gjitha shtetet dhe nga Kanadaja, shqiptarë të emigracionit të vjetër të shekullit të shkuar, shumica dalloheshin nga emrat disi të amerikanizuar e ndonjë fjalë, që zor e përtypin në shqipen e sotme por me një zemër kuq e zi, si unë si ti… dhe shqiptarë të emigracionit pas viteve 90-të, një përzierje e natyrshme dhe e dëshirueshme.
Fjalën e hapjes e mbajti Julia Black e cila tha se : “Kapitulli i Detroitit dhe organizata Kombëtare e vlerësojnë jashtëzakonisht shumë këtë event. I jam mirënjohës bordit Kombëtar; komiteti i konventës së kapitullit të Detroitit, si dhe komuniteti i Detroitit në tërësi; dhe veçanërisht anëtarët e familjes sime për punën dhe mbështetjen tuaj të palodhur në këtë ngjarje, shpresoj vërtet që të gjithë të kenë shijuar në maksimum këtë qytet të madh të rinovuar dhe mundësitë e shumta që i kemi dhënë të gjithëve për të bërë gjëra jashtë eventit kryesor.
Që çdo gjë të zgjasë 75 vjet është një arritje, e lëre më një organizim i nisur në vitet 1940 nga emigrantë të sapoardhur. Ata e nisën dhe i dhanë themelin që duhej për të na lënë ta çonim përpara… Mendoj se kam përvojën unike të shërbimit në bordin kombëtar fjalë për fjalë për 30 vjet rresht pa ndërprerje në një cilësi apo në një tjetër që kur Andrew Tanacea, i cili ishte President erdhi në Detroit dhe rifilloi kapitullin e Detroitit dhe më betoi në bordin e guvernatorëve, ndërsa unë asokohe isha në kolegj dhe ne fjalë për fjalë, organizuam Kongresin e parë të kapitullit të rinovuar të Detroitit në 1993, shumë pak pasi u betuam!
Janë pothuajse të gjithë këtu sot 30 vjet më vonë, disa prej tyre tani me fëmijë, që ndihmuan në kongresin e këtij viti! Unë kam shërbyer si nënkryetare kombëtar dhe kam qenë presidente kombëtar gjatë tre dekadave të ndryshme, por kurrë nuk kam qenë më krenare për një ngjarje si kjo. Kjo është për shkak të jetëgjatësisë së kësaj organizate, dhe përkushtimit që pashë njerëzit të bënin që të dëshironin të përjetësonin diçka që filloi për një arsye kaq të mirë, thjesht për të përjetësuar kulturën shqiptare dhe për të ruajtur trashëgiminë dhe për të lejuar që shqiptarët të takohen nga i gjithë vendi, duke ndihmuar edhe në edukimin e tyre. Ishte një kauzë kaq fisnike dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Sa më larg të largohemi nga vendi ku e nisëm, aq më e vështirë, për shkak të interesave dhe mundësive konkurruese, por aq më e rëndësishme është ruajtja e organizatave dhe aktiviteteve si kjo, në mënyrë që brezat e ardhshëm të ekspozohen dhe të përjetësojnë të njëjtat atribute më të mahnitshme. të “shqiptarizmit” -integritet, nder, krenari, dhe mikpritje të patejkalueshme!“ E përfundoi fjalën e hapjes Julia Black
Ndërsa në përshëndetjen e saj Johana Fundos, presidentja e ANNO-s, theksoi se” ky është një moment historik i jashtëzakonshëm për AANO (Organizata Kombëtare Shqiptaro-Amerikane) dhe unë jam thellësisht i privilegjuar të shërbej si presidente e kësaj organizate të nderuar që ka sjellë gëzim dhe përmbushje të pamasë në jetën time. …Kjo konventë ka një rëndësi të veçantë, pasi shumë pak organizata mund të mburren me një trashëgimi kaq të qëndrueshme sa ekzistenca e jashtëzakonshme 75 vjeçare e AANO. Një jetëgjatësi dhe sukses i tillë nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e palëkundur të secilit prej jush, anëtarëve tanë të nderuar dhe të komunitetit më të gjerë shqiptar”.
Znj. Black falënderoi sponsorit Form G Tech Co. dhe pronarin e saj Jimmy Lumani, i cili është sponsori ynë i platinit tha ajo; Primoprint dhe pronarin e saj Xhenis Levack Smith, i cili është sponsori ynë Jubilar i revistës komemorative; sponsori i bronzit Ekrem Bardha, si dhe La Strada dhe pronari i saj Zharko Palushaj, sponsori tjetër ynë i bronzit.
Gjithashtu u shpreh se dëshiroj të përgëzoj tre fituesit e çmimeve jashtëzakonisht të merituara të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane të këtij viti, z. Shkëlqim “Jimmy” Lumani, i cili po merr Çmimin e Shërbimit në Komunitet; Mark Gojçajn që po merr çmimin “Shqiptari i vitit; dhe çmimin e madh për të nderuarin 90 e sa vjeçarin z Ekrem Bardha për Çmimin e arritjeve jetësore”. .
400 bursa në 75 vjet
Fondi i Bursave AANO zë një vend qendror brenda organizatës sonë dhe ka qenë thelbësor në fuqizimin e brezit të ardhshëm të studiuesve shqiptaro-amerikanë. Që nga fillimi i tij në 1955, fondi ka dhënë 400 bursa mbresëlënëse. Procesi i përzgjedhjes është i mundimshëm, pasi marrim aplikime të shumta nga studentë të jashtëzakonshëm.
Këtë vit, tha znj. Black ne jemi krenarë të njohim dhe përgëzojmë dhjetë individë të shquar të cilëve u janë dhënë çmimet e bursave. Vlera totale e bursave të dhëna këtë vit ka arritur një moment historik të paprecedentë prej $ 20,000.
Znj. Eftalea Bitta, drejtuese e fundit të bursave foli për procedurën e heshtur të mbledhjes së donacioneve për bursa dhe një intervistë të veçantë me ne, na foli edhe për kapitullin e Çikagos dhe dy miqtë e saj dy aktorët e mëdhenj John dhe Jimmy Belushi. Kjo zonjë e gjallë imcake që mbante emrin e gjyshes sime, që se njoha që dukej sikur kishte dalë nga libër historie ishte dëshmia e gjallë e diasporës shqiptare të Çikagos dhe e mbijetesës së saj .
Marrësit e Bursave, nga emrat dukeshin që i përkisnin gjithë shtresave kohore të diasporës: Ledion Hoti, Naze Islamaj, Saranda Rolet, Ora Kalaj, Isabela Kostallari, Daniel Shkëmbi, Abraham Haxhi, Deana Nare, Arian Qoshi dhe Adea Selmani do të merrnin secili nga një fond prej 2 mijë dollarësh.
E pranishme në takim ishte dhe ambasadorja e Shqipërisë znj. Floreta Faber, e cila përshëndeti me këtë rast, ajo njoftoi largimin pas tetë vjetësh shërbimi në fund të muajit, dhe gjatë intervistës më tha, se ka punuar plot ketë vite për forcimin e diasporës e lobimit, gjersa kemi krijuar caucus shqiptar me gati 20 senatorë e kongresmen në bashkëpunim me diasporën. Ajo më dha në konfidencë se ishte hera e parë sillte dhe fëmijët në evente si ky, por ky ishte i fundit dhe se ata po ktheheshin në Shqipëri. E urova atë mikeshë të vjetër, që e njihja që nga ditët e Universitetit tim në Shkodër për punën e saj mjaft aktive…
Tre çmime, te merituar për tre miq të nderuar
Ditën e shtune u mbajt Ceremonia e 75 vjetorit te AANO dhe u ndanë çmimet e konventës e cilat vlerësoi me çmim tre personalitete nga Michigani, biznesmenin Shkëlqim Lumani për veprimtarinë e tij te gjere bamirëse, po ashtu u vlerësua dhe Z. Mark Gjokaj për veprimtarinë e tij te gjere ne organizimin e veprimtarive ne Komunitetin dhe shqiptar dhe së fundi për veprimtarinë e tij te gjatë ne favor të çështjes shqiptare z Ekrem Bardha, të cilin ndër të tjera znj. Black e vlerësoi edhe si autor librash, për memuaret e tij. Që kur përmendi këta emra thashë me vete se AANO ia kish qëlluar, pasi të tre ata ishin të njohurit e mi, që mirë i njihja mirë veprimtarinë dhe punën …
Shkëlqim “Jimmy” Lumani është fitues i Çmimit të Shërbimit Komunitar të Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane për vitin 2023. Z. Lumani është një biznesmen i vetëpunësuar që punëson shumë shqiptarë në kompaninë e tij në Troy, Michigan. Ai ka mbi njëqind të punësuar mbi shtatëdhjetë e pesë për qind e të cilëve janë shqiptarë. Fëmijët e të gjithë punonjësve të tij morën ndihmë arsimore. Z. Lumani ka ndihmuar shumë bashkëqytetarë shqiptarë, veçanërisht studentët. Ai aktualisht është duke punuar në një program trajnimi shkëmbimi midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Z. Lumani ishte i rëndësishëm në krijimin e Fondacionit Lumani. Fondacioni Lumani është një organizatë jofitimprurëse 501c3 që rrit cilësinë e mundësive arsimore për komunitetin tonë. Që nga fillimi i tij në vitin 2015, Fondacioni Lumani ka ofruar më shumë se 500,000 dollarë mbështetje për mbi 100 studentë që ndjekin një diplomë bachelor. Fokusi i tyre është fuqizimi i të rinjve të rritur dhe ndihma për t’u siguruar që ata të marrin ndihmën që u nevojitet për të arritur një arsimim. Fondacioni Lumani mbështet studentët dhe ofron burime shtesë për të krijuar mundësitë më të mira arsimore në dispozicion. Komuniteti ynë përfiton shumë nga puna e mirë e z. Lumani, shumë prej të cilave ndodh edhe në prapaskenë. Ai është një filantrop që ka kontribuar në shumë organizata komunitare. Ai gjithashtu ka ofruar sponsorizim financiar për shqiptarët që marrin vizat studentore Fl për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të tyre dhe ka ofruar mundësi punësimi. Ne si organizatë jemi shumë të lumtur t’ia dhurojmë këtë çmim zotit Lumani, për të cilin ai është shumë i merituar , tha drejtuesja e seancës .
Z Lumani theksoi nëpërmjet disa anekdotave jetësore, se kur erdhi në SHBA filloi Universitetin e Wayne , por pronari ku punonte nuk e la për arsye pune të vijonte shkollën ditën, dhe ky ishte një nga motivet që pas dy vitesh ai nisi kompaninë e tij. Z, Lumani rrëfeu për një student internist të inxhinierisë mekanike dhe nënën e tij, e cila bënte tri punë për të paguar për shkollën e të birit, se edhe unë duhet të bëja diçka. A nënvizoi faktin se ai vet mund të ketë dhënë më shumë fonde se kjo organizatë , por puna e tyre është me e rëndësishme se e imja pasi unë jap nga paratë e mia kurse ata i mbledhin nga të gjithë njerëzit nga të gjithë shqiptarët nga e gjithë Amerika.
Mark P. Gjokaj është fituesi tjetër i merituar i çmimit Shqiptar i Vitit i Organizatës Kombëtare Shqiptaro-Amerikane sivjet, i cili ka kaluar jo vetëm këtë vit, por edhe shumë dekada përpara se të përpiqet të krijojë rrugët për të promovuar traditat e pasura të shqiptarëve. Ai ka qenë për një kohë të gjatë drejtues dhe krijues i organizatave dhe programeve dhe ka marrë përsipër role avokuese ndër vite duke u shfaqur në televizion dhe radio në lidhje me avancimin e të drejtave të njeriut për shqiptarët. Z. Gjokaj ka punuar për të rritur kulturën shqiptare në shumë mënyra. Ai e ka bërë këtë përmes Kishës Katolike të Palit në Rochester duke krijuar festivalin vjetor shqiptar. Festivali është rritur për t’u ndjekur nga mbi 7,000 njerëz në vit dhe ka vazhduar për 23 vjet rresht. Ai gjithashtu ka promovuar dhe rritur kampionatin shqiptar të golfit në eventin mahnitës që është sot. Z. Gjokaj ka qenë bashkëthemelues i shoqatës Knights of Columbus të e para në botën shqiptar , me shoqatën Gjergj Fishta. Më pas ai punoi me ekipin Fishta për lehtësimin e tërmeteve në Shqipëri. Në vitet 1990 ai themeloi Shoqërinë Kulturore Amerikane. Ai gjithashtu punoi për promovimin dhe shpërndarjen e dokumentarit Gjergj Kastrioti. Z. Gjokaj ka botuar revistën periodike “Arbri”. Ai gjithashtu filloi “Albanian Fin and Field” për të promovuar traditat e natyrës dhe konservimin. Ai gjithashtu themeloi Shoqërinë Kulturore Shqiptare Amerikane si dhe bashkë themeloi Kalorësit e parë Shqiptarë të Kolombit në botë.
Marku ka punuar gjithashtu me Sekretaren e Shtetit të Miçiganit, Candace Miller, për të koordinuar përpjekjet për përkthimin e testeve të DMV Driver nga anglishtja në shqip. Ai ka mbajtur edhe leksione në shkollat e Macomb-it për të promovuar kulturën shqiptare. Ai ishte gjithashtu anëtar i ekipit të parë shqiptar që mori pjesë në garën “Tough Mudder” që u kronika në Macomb Daily. Për këto arsye dhe shumë të tjera, Organizata Kombëtare Shqiptare është e nderuar që Marku të marrë këtë çmim që ai e meriton.! “ Në falënderimin e tij Marku theksoi që njeriu në jetë duhet të lërë gjurmën e tij, jo për tu dukur por për t’i dhënë kuptim jetës.”
Duke prezantuar z Ekrem Bardha, znj. Black tha: “Ju të gjithë e njihni Ekremin .Z. Bardha ka qenë gjithashtu shumë aktiv në shumë çështje të drejtësisë sociale që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe të drejtat e njeriut. Ai ka dëshmuar në Kongres për abuzimet me të cilat përballen shqiptarët etnikë në Jugosllavi. Z. Bardha ka takuar personalisht shtatë presidentë të Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në çështje të ndryshme që ndeshen në Shqipëri dhe Kosovë. Në vitin 2018, në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ai mori Medaljen Jubilare Presidenciale të Dekadës së Pavarësisë nga Presidenti i Kosovës për kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Z. Bardha ka qenë një filantrop prej kohësh duke ndihmuar kauza të shumta gjatë gjithë jetës së tij. Për këto arsye, Z. Bardha i bashkohet radhëve të fituesve tanë të nderuar të arritjeve të jetës dhe merr këtë çmim që Organizata Kombëtare Shqiptare është krenare të prezantojë. !”
Z Bardha në fjalën e tij përshëndetëse theksoi porosinë e tij të vazhdueshme që “diaspora ashtu dhe politika shqiptare duhet të mësojë dhe të shohë nga politika amerikane, e të qëndrojë larg gjuhës së urrejtjes”. Kjo është porosia e një shqiptari që e ka bërë të tijën në jetën e tij 90 e ca vjeçare porosinë e presidentit Kenedi. Mos pyet se çfarë mund të bëjë Atdheu për ty por se çfarë mund të bësh ti për Atdheun. ( Por fatkeqësisht vitet e fundit të politikës amerikane nuk janë ato të Klintonit apo Bushit të vjetër).
Jeta e Zotit Bardha tashmë është një libër i hapur i veprimtarisë së tij dhe Libri i tij i Dytë Pavarësia e Kosovës, Amerika dhe Diaspora, është një arritje edhe në fushën e memuaristikës dhe rolit të diasporës shqiptare për çështjen kombëtare e pavarësinë e Kosovës. Kurrë të mos e harrojmë kujton Ekremi, se pa diasporën e Amerikës dhe aktivitetin e saj nuk do të kishim sot Kosovë të pavarur” Dëshmia më e mirë e asaj është ai libër. “Kam një ëndërr, nuk di nëse do t’ja mbërrij ose jo, Shqipërinë etnike, që një ditë të bashkohet Shqipëria me Kosovën”. Kjo është ëndrra e shqiptarit më të madh të Amerikës, për nga rëndësia, mençuria dhe kontributi rreshtohet me Fan Nolin dhe shqiptarët martirë të mbarë shqiptarisë. Është i vetmi shqiptar që ka dëshmuar në Kongresin Amerikan për të bindur administratën amerikane për krijimin e shtetit të Kosovës.
Ja pse festimi i 75-vjetorit të AANO-s është një moment historik është një dëshmi e përkushtimit dhe vizionit të palëkundur të individëve të panumërt që kanë punuar me vetëmohim drejt fuqizimit të komunitetit tonë, duke nxitur një trashëgimi të përsosmërisë. Ky si një rast që jo vetëm njeh historinë dhe arritjet e pasura të shqiptarëve, por edhe paralajmëron një të ardhme të mbushur me madhështi.
Rroftë Shqipëria! Rroftë AANO! Gëzuar!
Disa organizata shqiptaro-amerikane përfshihen në nisma bamirëse dhe humanitare, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe në Shqipëri apo pjesë të tjera të botës. Këto përfshijnë mbledhjen e fondeve për shkaqe që lidhen me kujdesin shëndetësor, arsimin, ndihmën ndaj fatkeqësive dhe më shumë. Organizatat shqiptaro-amerikane mund të krijojnë programe arsimore, bursa dhe burime për të nxitur mësimin e historisë, kulturës dhe gjuhës shqiptare tek brezi i ri për vite me radhë.
Koha e jetesës se kësaj shoqate, apo të Vatrës tregon se ne shqiptarët tani kemi shtresimet e emigracionit tonë. Vëllai i gjyshes time e la shtëpinë në moshën 12 vjeçare dhe se pa më motrën e tij më të madhe që e rriti. Kushërinjtë e mi që u lindën në Amerikë, e ruajtën gjuhën dhe shqiponjën në gji, si Viktor Çako, gruaja e tij, kushërira e parë e babait, ka ardhur sot në këtë takim. Se kisha parë atë qysh nga pandemia, bashkë me Stivin nga Minesota dhe Karolina Çakon këtu, fëmijët tanë janë gjenerata e katërt. A do të vijnë ata apo fëmijët e tyre përsëri tok me fëmijët e mi për 100 vjetorin? Po do të vijnë…
Nuk duhet të harrojmë se jetëgjatësia e kësaj organizate, dhe përkushtimit që pashë njerëzit që dëshironin të përjetësonin diçka, që filloi për një arsye kaq të mirë, vazhdonte, thjesht për të përjetësuar kulturën shqiptare dhe për të ruajtur trashëgiminë tonë dhe për të lejuar që shqiptarët nga e gjithë SHBA të takohen, duke ndihmuar edhe në edukimin e bijve të tyre. Ndaj kështu shpjegohet nga kjo kauzë kaq fisnike dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Duhet pak kohë dhe për punë organizative të dielën më 6 Gusht u mbajt Sesioni i Përgjithshëm i Hapur dhe Zgjedhjet ndërsa paradite dhe u ndoq një ndeshje e Tigers, ku në tabelat e rezultateve përshëndetej puna e AANO-s. Çka tregon se komuniteti ynë i ardhur nga 5 vende të Ballkanit kishte ruajtur identitetin e vet të lidhur me identitetin e amerikan. Një përshëndetje dinjitoze për shqiptarët, në një stadium të mbushur me amerikanë, krenari por dhe meditim, duhet të ruajmë gjuhën e nënës…
Sa më larg të largohemi nga vendi ku e nisëm jetën, aq më e vështirë, për shkak të interesave dhe mundësive konkurruese, por aq më e rëndësishme është ruajtja e organizatave dhe aktiviteteve si ky, që është një mënyrë që brezat e ardhshëm, të ekspozohen dhe të përjetësojnë të njëjtat atribute më të mahnitshme, të “shqiptarizmit” -integritetin, nderin, krenarinë, dhe mikpritjen të patejkalueshme. Fjalë që vazhdojnë të më jehojnë në mendje dhe zemër!
Lavdi AANO!.