Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari-
- Sot, kur Uashingtoni-Shtëpia e Bardhë janë vendi ku delegacionet nga Kosova e Serbia takohen e bisedojnë për herë të parë në nivel të lartë, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI risjell një kronologji të disa nga ngjarjet që ka raportuar të zhvillimeve të shkëlqyera SHBA-Kosovë nëpër vite-
PRISHTINË, 3 Shtator 2020/ Uashingtoni-Shtëpia e Bardhë janë vendi ku sot delegacionet nga Kosova e Serbia takohen e bisedojnë për herë të parë në nivel të lartë, udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bisedimet, që pritet të vazhdojë edhe nesër, i ndërmjetësojnë Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe dërguari i Presidentit Amerikan Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell. Delegacioni i Kosovës udhëheqet nga Kryeministri Avdullah Hoti, ndërsa delegacioni i Serbisë nga Presidenti Aleksandar Vuçiç.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në Uashington deklaroi:
“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë, diskutuam projektet e zhvillimit ekonomik mes të dyja vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive. Do të keni informata sapo të kryejmë raundin e parë të takimit. Asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë përveç se për njohje reciproke. Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik është një hap më afër normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Serbinë dhe që është vetë njohja reciproke”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar:
“Duartrokas lidershipin e Shtëpisë së Bardhë, presidentit amerikan Donald Trump dhe ambasadorit Richard Grenell për t’i bërë bashkë përsëri Kosovën dhe Serbinë në kërkim të një marrëveshjeje të paqes. E inkurajoj delegacionin e Kosovës të bëjë hapa të guximshëm drejtë paqes, njohjes dhe zhvillimit ekonomik”.
Korrespondenti në Prishtinë i Gazetës DIELLI risjell një kronologji të disa nga ngjarjet që ka raportuar të zhvillimeve të shkëlqyera SHBA-Kosovë nëpër vite:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të parat nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë që prej 24 vitesh dhe shtetin kosovar e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes para më shumë se 12 viteve në 17 Shkurtin historik 2008.
Para mëse 24 vitesh, në 12 Janar 1996, Presidenti historik Ibrahim Rugova përshëndeste paralajmërimin e atëherë Ndihmës-Sekretarit të Shtetit të SHBA, Riçard Hollbruk, për hapjen e një Zyre Amerikane në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. “Ky është një moment i rëndësishëm në marrëdhëniet e shkëlqyera midis SHBA dhe Kosovës, dhe tregon kujdesin e vazhdueshëm Amerikan për gjendjen në Kosovë dhe çështjen e Kosovës”, theksonte Rugova dhe shfaqëte shpresën se edhe vende të tjera, nga Evropa, do të hapnin zyra të tilla në Kosovë.
Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë u bë nga Nënsekretari Amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, në një ditë historike – në 6 Qershor 1996. Në hapjen solemne ishte edhe Presidenti historik i Kosovës Rugova bashkë me familjen.
Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) në 22 Maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.
Hapja e përfaqësisë amerikane në kryeqytetin e Kosovës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, raportoja atëherë nga Prishtina në Tiranë.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovën e lirë, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) rifilloi të punojë në Shtator të vitit 1999.
USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.
Më pak se dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë, para 11 viteve, Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë në 8 Prill 2008, ndërsa, po atë vit historik, në 18 Korrik, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë Amerikane për Republikën e Kosovës.
Pak ditë pasi u konfirmua nga Departamenti Amerikan i Shtetit si ambasadore Kaidanow solli letrat kredenciale të emërimit e pritur në takim në 25 Korrik 2008 atëherë nga presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu.
Në 1 Korrik 2009 Prishtina ndau truall për ndërtimin e objektit të ri të Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, ndërsa në 5 Maj 2015 u zhvillua ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit.
Para një viti, në 4 Korrik 2020, Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett, dhe Zonja Alison Kosnett, ishin nikoqirë të pritjes për nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, kur u zhvillua edhe ceremonia e përurimit të ndërtesës së re të Ambasadës Amerikane në Kosovë.Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kontribuojnë me trupa në Forcën e Kosovës (KFOR) të prirë nga NATO, e ngarkuar me ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës. Shtetet e Bashkuara gjithashtu kontribuuan me staf për Misionin e BE-së për Sundim të së Drejtës (EULEX) që nga vendosja e tij më 2008, duke shënuar herën e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë në një mision të BE-së për Politikën e Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje.