
Hisen Berisha/
Deklarata e Petar Sorensenit, që sugjeron se “dialogu ka për qëllim pajtimin ndërsa kompromiset u takojnë palëve”, reflekton qasjen tipike të BE-së, një ndërmjetësim që synon ruajtjen e procesit pa përcaktuar qartë drejtësinë dhe të vërtetën historike.
Ajo çka përbën shqetësim për aleatët dhe duhet të përbëj shqetësim edhe për Kosovën, është e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi dhe mundësia e një marrëveshjeje me njohje?
Në kontekstin aktual, dialogu Kosovë-Serbi ndodhet në një ngërç për shkak të mospërmbushjes së marrëveshjeve nga Serbia dhe presionit të njëanshëm mbi Kosovën. Marrëveshja e Ohrit 2023 dhe plani franko-gjerman imponojnë një normalizim pa njohje të ndërsjellë, duke krijuar një situatë ku Kosova humb pozicione pa siguri reciproke.
Për një marrëveshje që përfshin njohjen de jure të Kosovës nga Serbia, duhen disa parakushte. Së pari, duhet presion i qartë nga aleatët perëndimorë mbi Serbinë, e cila vazhdon të sabotojë procesin dhe të instrumentalizojë serbët e Kosovës.
Së dyti, largimi i ndikimit rus në Beograd mbetet jetik, pasi Rusia e përdor çështjen e Kosovës për leverage gjeopolitik.
Një tjetër faktor kyç është unifikimi i faktorit politik në Kosovë, duke shmangur qasjet servile ndaj propozimeve që nuk garantojnë njohje.
Po aq e rëndësishme është edhe mbrojtja e sovranitetit të plotë të Kosovës, sidomos ndaj presioneve për Asociacionin me kompetenca ekzekutive.
Për të shmangur pasojat e marrëveshjes së Ohrit dhe planit franko-gjerman, Kosova duhet të insistojë në njohjen reciproke si parakusht për çdo implementim të mëtejshëm. Çdo mekanizëm që krijon modelin e Republikës Srpska brenda Kosovës duhet të refuzohet, pasi do të destabilizonte funksionimin shtetëror. Po ashtu, forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në duhet të jetë prioritet, për të shmangur qasjet ambigue të BE-së, e cila shpesh ka lejuar Serbinë të manipulojë procesin në favorin e saj. Nëse Kosova vazhdon të negociojë pa një qasje të qartë strategjike dhe të unifikuar, rrezikon të zbatojë obligime që e dobësojnë pa arritur njohjen që është thelbësore për shtetësinë e saj.