Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Hoti, takime me Koordinatorin Shtetëror për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hyseni: Në Bruksel do të dialogohet vetëm për njohjen ndërshtetërore/
-Hyseni për takimin me Reeker në Bruksel: Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse/
PRISHTINË, 27 Korrik 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka pritur Koordinatorin Shtetëror për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Skënder Hysenin.
Presidenti Thaçi e ka uruar edhe një herë për emërimin e tij në këtë detyrë, duke shprehur besimin se me përvojën dhe angazhimin e tij z. Hyseni do e koordinojë këtë proces në mënyrën më të mirë të mundshme.
“E kam mirëpritur emërimin tuaj si koordinator për dialogun, sepse besoj fuqishëm në eksperiencën dhe qasjen tuaj gjithëpërfshirëse e përafruese mes gjithë spektrit politik në vend”, u shpreh presidenti Thaçi.
Kreu i shtetit ritheksoi se në Bruksel duhet të dialogohet vetëm për marrëveshjen përfundimtare që sjellë njohjen reciproke ndërshtetërore.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe koordinatori për dialog, Skënder Hyseni, kanë biseduar edhe për nevojën e mbështetjes së këtij procesi nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Presidenti Thaçi dhe koordinatori Hyseni kanë ritheksuar se krijimi i unitetit politik është përcaktues për suksesin në procesin e dialogut.
Edhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti është njoftuar sot nga Koordinatori shtetëror për dialogun, Skënderi Hyseni, për takimet e delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë, në Bruksel.
Po ashtu, z. Hyseni e njoftoi kryeministrin Hoti edhe për takimet e tij të tjera të rëndësishme, ndër të cilat edhe me Asistent Sekretarin kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, Philip Reeker.
Koordinatori shtetëror për dialogun, Skënderi Hyseni, në 24 korrik 2020 nga Brukseli deklaronte:
Pata knaqësinë të takoja sot në Bruksel Asistent Sekretarin Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan të Shtetit, mikun tim të kahmotshëm, Philip Reeker. Gjatë këtij takimi shumë të përzemërt, me ambasadorin Reeker bëmë një bisedë të hapur rreth zhvillimeve në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në dialogun e rinisur midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Krahas BE-së, theksova se roli i SHBA-ve në këtë proces është i pazëvendsueshëm. Mirëprita përkushtimin e palëkundur amerikan në përkrahje të dialogut dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë me ne përgjatë gjithë këtij procesi, në përkrahje të fuqishme për një marrëveshje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse.
HYSENI: NUK DO TË KETË MARRËVESHJE TË VEÇANTA PËRDERISA S’KA MARRËVESHJE GJITHËPËRFSHIRËSE
Radio Evropa e Lirë në 23 korrik 2020 njoftonte:
Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, janë takuar të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe në Bruksel, deklaroi se “duket se ka një dozë konstruktiviteti dhe vetëdije që duhet të ecet tutje”.
Ai, megjithatë, nuk dha detaje lidhur me temat konkrete nga takimi i së enjtes, por theksoi që ka “pajtim rreth elementëve të caktuar dhe se biseda ka qenë konstruktive”.
“Nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Sipas tij, çdo e arritur në këtë proces që mund të zbatohet dhe ka zbatueshmëri, do të ndodhë.
“Mirëpo, ky është një moment i ri. Po flasim për një përmbyllje, prandaj ky proces është skajshmërisht politik”, theksoi Hyseni.
“Nuk ka më asgjë teknike, është skajshmërisht politik. Dhe, një ditë kur elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të dakordohen në tërësi, do të shihen që janë elementë të një marrëveshjeje, së cilës i subordinohet çdo gjë tjetër. Prandaj, nuk mund ta zvarritin procesin, tash e tutje, duke trajtuar tema të ndara, të cilat mund të zbatohen dhe mund të mos zbatohen dhe që varen nga vullneti i mirë dhe i lirë i cilësdo palë. Tash po flasim për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, të cilën do të detyrohen të dyja palët që ta zbatojnë në terren, sepse do ta ketë vulën ndërkombëtare”.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, më herët gjatë ditës, ka konfirmuar se ka zhvilluar takime të ndara me dy negociatorët, Skender Hysenin nga Kosova dhe Marko Gjuriqin nga Serbia.
Lajçak është shprehur i kënaqur që është takuar me Hysenin dhe Gjuriqin dhe ka thënë se “kanë vazhduar diskutimet politike në nivel ekspertësh”. Duket se Lajçak i ka zgjedhur mirë fjalët, pasi pala kosovare thotë se këto bisedime nuk janë teknike, por janë politike.
PRISHTINË, 21 KORRIK 2020: SKENDER HYSENI U EMËRUA KOORDINATOR SHTETËROR PËR DIALOG
Në 21 korrik 2020 Zyra për Komunikim Publik-Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftonte:
Duke u bazuar në platformën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë, në mbështetje të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 1 korrik 2020, me qëllim të organizimit dhe të bashkërendimit institucional dhe ndërkombëtar të këtij procesi, kryeministri Avdullah Hoti sot ka emëruar z. Skender Hysenin Koordinator Shtetëror për Dialog.