Vogëlushët këngëtarë, gurë të çmuar në kurorën e “Diamond Fest”.
Nga Ramazan Çeka
Festivali i Fëmijëve “Diamond Fest” në Ferizaj, finalizoi me sukses edicionin e 10-të, ku kënga bashkoi fëmijët pjesëmarrës nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Në prani të një pjesëmarrjeje të jashtëzakonshme spektatorësh, në Pallatin e Sportit “Bill Clinton”, të pranishmit përjetuan me emocion aromen e luleve të pranverës, që ku festival sjellë në çdo edicion.
Gazmorë, të hareshëm e sportivë, fëmijët pjesëmarrës në këtë festival, vërshuan në tapetin e Pallatit të Sportit, jo si sportistë, por si artistë që njësoj sjellin emocione në shkallët e këtij auditori, që i priti me duartrokitje e ovacione, që nga fillimi e deri në fund të spektaklit.
Skena, ashtu si për çdo vit, edhe në këtë Jubile të 10-të, ishte një bahçe e mbushur me lule shumëngjyrëshe dhe zogj këngëtarë.
Ata hynë duke vrapuar në dy anët e skenës së improvizuar mbi parketin e pallatit, duke krijuar pamjen e një kurore lulesh me shumë ngjyra, ashtu si vetë ata ishin veshur.
Kjo ishte atmosfera që elektrizoi gjithë sallën, që në hapjen e festivalit dhe që e shoqëroi atë deri në fund. Të tillë janë fëmijët, e veçanërisht ata, që pa hezitim mund t’i quajmë artistë të vegjël. Ata për çdo vit vijnë nga të gjitha trevat shqiptare, duke treguar kështu se pikërisht kjo moshë është e ardhmja e trashëgimit të vlerave tona kombëtare, jo vetëm në skenë, por edhe në fusha të tjera.
Ideatorët e këtyre aktiviteteve duhen vlerësuar për nisma dhe realizime të tilla. Në këtë kontekst ky festival sa vjen e bëhet edhe më madhështor, duke prekur majat e suksesit, falë vëmëndjes së pareshtur dhe pëkrahjes së Komunës Ferizaj, me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por edhe kujdesit të jashtëzakonshëm të ideatores dhe themelueses së këtij Festivali Znj. Njomza Mezini.
Për 10 vite me radhë ky festival, tashmë tradicional, e ka kthyer qytetin Ferizaj në një amfiteatër kulturor kombëtar, duke bërë që performancat dhe vlerat kulturore të jehojnë fuqishëm jo vetëm në Kosovë, por në mbarë trevat shqiptare nga vijnë fëmijët pjesëmarrës, për t’u përngjarë yjeve në hapësirën e qiellit dhe pranverës me “Diamantët” e Festivalit, gjë që e bën këtë qytet mjaft të njohur e të vizituar edhe falë jehonës së këtij aktiviteti, por dhe me potencial të jashtëzakonshëm kulturor, të cilin shumë kush do ta ëndërronte ta shihte nga afër.
Ky historik i këtij 10-vjeçari u pasqyrua në një insert në ekranin e madh të vendosur në Pallatin e Sportit, që si një dokumentar artistik riktheu tek spektatorët emocionet e përjetuara në vite, që nga festivali i parë që daton në pranverën e vitit 2013.
Skena e festivalit është njëra anë, sepse aty performojnë artistët e vegjël, por e veçanta është se në ditën e shfaqjes, në Ferizaj “skenë” shndërrohet gjithçka; edhe sheshet, edhe trotuaret, edhe mjediset e bukura që ka ky qytet, të cilët e përjetojnë pa dallim moshe. Të gjithë gëzojnë, fëmijët së bashku, fëmijët dhe prindërit e tyre e veçanërisht gjyshërit që për disa çaste gëzojnë si fëmijët. Janë emocione të papërsëritshme, të cilat i përjetova edhe unë.
Pranvera në këtë qytet, siç është bërë traditë këtu e 10 vjet më parë, nuk shqetësohet për motin, sepse edhe në qoftë se mund të ketë riga shiu, janë fëmijët si lule pranvere, si flutura dhe si bilbila që e gjallërojnë qytetin e tyre.
Ferizaj në ditën e festivalit ndjehet shumë krenar, sepse pranverën e kishin zbukuruar edhe 28 lule, edhe 28 bilbila, që qytetit i kishin dhënë një gjallëri të jashtëzakonshme.
Në këtë festival u interpretuan 28 këngë nga shumë fëmijë të talentuar, me krijimtari të autorëve të njohur, por edhe të ri.
Çdo gjë në këtë festival ishte perfekt si vetë diamanti. “Diamont Fest” është një festival, ku secili prej fëmijëve është një diamant që shkëlqen me talentin e tij.
Për realizimin e këtij aktiviteti janë angazhuar të gjithë dashamirësit e këngës për fëmijë, muzikantë, poetë, orkestrues dhe prindër, të cilët mendoj se ia kanë arritur qëllimit.
Po i shkruaj këto radhë shumë i emocionuar, sepse informacioni për Ju të nderuar lexues, kalon në plan të dytë. Emocionet janë ato që dua t’ju përcjell, sepse të gjithë do t’i dëshironit t’i përjetoni.
Këtë e tregoi më së miri pjesëmarrja dhe performimi brilant i këtyre diamantëve të çmuar. U kënduan 28 këngë të reja nga këngëtarë gati moshatarë me këtë festival, me këngë të kompozuara dhe orkestruara edhe nga mësuesit e tyre, por dhe me një kontribut të autorëve letrarë të qytetit Ferizaj, por edhe më gjërë.
Festivali “Diamond Fest” i organizuar që 10 vjet më parë, pikërisht në pranverë, ka një grup të përkushtuar organizatorësh, me një drejtoreshë edhe më të përkushtuar, me një emër domethënës, Njomza, e cila rrjedh nga një familje me tradita në art e kulturë dhe që ka dhënë një kontribut të çmuar në këtë qytet dhe në mbarë Kosovën, veçanërisht për fëmijët.
Në këtë edicion jubilar, Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare, me drejtor të përgjithshëm Dr.Minella Kureta “Mjeshtër i Madh”, nderoi Festivalin “Diamond Fest”, me çmimin “Krenaria e Artit dhe Kulturës Shqiptare”.
Një kënaqësi e veçantë për mua ishte pjesëmarrja ime në këtë festival si autor, pasi jë ndër këngët që u interpretua nga vogëlushja shkodrane Rozana Velaj, me titull: “Lulzon skena me fëmi”, kompozuar dhe orkestruar nga Elvin Unaza, ka tekstin tim. Interpretimi i saj në skenë, natyrisht që m’i shtoj emocionet, pasi ajo u vlerësua me çmimin e dytë të festivalit.
Por këto emocione u bënë më të veçanta për mua, pasi organizatorët më kishin bërë një nder akoma më të madh në këtë natë të magjishme, unë e gjeta veten anëtar të një Jurije prstigjioze, ku kryetar ishte kompozitori i mirënjohur Ilir Latifi dhe anëtare Znj. Fitore Osmani, profesoreshë e muzikës në Gjilan. Ky ishte një vlerësim, por edhe një përgjegjësi për mua.
Ky festival që u mbyll me aromën e zërave fëminorë, jam i sigurtë që për shumë kohë do të lërë mbresa të pashlyeshme, jo vetëm në qytetin e Ferizajt, por në mbarë Kosovën e më gjërë, pasi edhe për këtë janë kujdesur kamerat e Radio Televizionit të Kosovës.
Fituese e këtij edicioni u shpall Erblina Haliti, me këngën “Një valixhe me kujtime” me tekst të Njomza Mezinit, muzika & orkestrimi: Arti Rec.
Maj 2023