
Prof. Dr. Romeo Gurakuqi/
Diaspora shqiptare në SHBA e vitit 2025, mënjanë brohoritjeje për administratën e re në Shtëpinë e Bardhë, ose përqendrimit të panevojshëm, ditë e natë, në zgjidhjen e çështjeve individuale pa impakt mbi emergjencat e shqiptarëve në vorbullën e sotme të pandalshme botërore ku e drejta e vendosur ndërkombëtare nuk respektohet, do të ishte mirë të merrej me lobimin profesional dhe njohës, pranë Ekipit Udhëheqës Republikan, të Çështjes së Kosovës në të tërë dimensionet e veta, si dhe në informimin me prioritet të të njëjtëve, mbi Ne, mbi identitetin tonë kombëtar, rrugën tonë në histori, vendin tonë në Europë, perspektivën tonë integruese dhe mbi të gjitha mbi aksiomen se Arbëria nuk ka asnjë lidhje nacionale me Çështjen Gaza; vendi ynë nuk ka asnjë kapacitet ekonomik, financiar dhe territorial për të mbartuar mbi supet e saj të brishta pasojat e krizave të prodhuara gjetkë.
Sa nuk është vonë, sa kohë që ende Skicat e Çmendura të hedhura me cinizem dhe injorim mbi fatet e jetët tona, fillimisht në media, si tatim pulsi për të urtët që nuk bzajnë, nuk janë kthyer në Vendime Shigjetuese dhe të Pakthyeshme mbi trojet tona, ju vëllezër dhe motra të Arbërisë dhe Dardanisë në SHBA, që llogarisni për nga mundësitë kuptimore, loboni siç do të duhet për Atdheun e të Parëve, Shqiponjën me dy Shtete, në qoftë se nuk doni të vendoseni para fakteve të kryera, njëlloj siç po vendosen këto ditë Ukraina dhe populli i saj i martirizuar, ose palestinezët e Gazës.