Intervistë e Myftiut të Dibrës së Madhe, Imam Ruzhdi Lata dhënë gazetarit Dalip Greca(Kryetari i Tetovës ndërroi jetë me 24 Nëntor 2018. Në vend të ngushëllimit për familjen dhe miqtë po ripublikoj intervistën e marrë nga unë për gazetën Illyria 15 vite të shkuara). Intervista mbetet aktuale edhe sot./
Imam Ruzhdi Lata për Gazetën Illyria në Nju Jork- Të aplikosh islamin edhe në gjuhën shqipe, do të thotë të inkuadrohesh në Islam siç kanë qenë persianët, turqit e të tjerët. Ne japim kontributin tonë në sferën shpirtërore fetare, por me unin, ndjenjën, karakterin e vetëdijen tonë që kemi. Islami na favorizoi dhe na ruajti të qenurit shqiptar në barrikadë ndaj sllavizmit por kemi borxh që atë që e ndjejmë në shpirt duhet ta themi në gjuhën tonë.
- Shkurt, qartë e kuptuershëm: kërkoj që pak më shumë shqip, histori, gjuhë manifestim të festave kombëtare në këto xhami. Nuk guxojnë xhamitë shqiptare të marrin kahje tjetër përveç se kësaj popullate që i shërbejnë fetarisht por t’i shërbejnë edhe kombëtarisht. Në momentin kur humb vlerat njëra anë, të jemi të sigurtë se i humb vlerat edhe ana tjetër.
****
Ruzhdi Lata është nga Dibra e Madhe. Shkollën fillore e ka kryer në Dibër, të mesmen në medresën “Alaudin” në Prishtinë, më pas ka kryer fakultetin Fililogjik në Prishtinë në grupin e gjuhëve orientale dhe shkallën e tretë po ashtu në Prishtinë në degën e letërsisë me temën “Realiteti historik i Qerbelasë së Naim Frashërit.”
Ka punuar 13 vjet në Fakultetin Filologji të Universitetit të Prishtinës, Dega e orientalistikës, ka ligjëruar letërsitë orientale, njëkohësisht dy vite ka punuar në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup ku ka ligjëruar civilizimin Islam dhe tani punon në Dibër në postin e myftiut të Dibrës së Madhe. Ai është shumë i suksesshëm në pajtimin mërive mes shqiptarëve. Gjatë një vizitë në redaksinë e “Illyria-s” i morëm intervistën e mëposhtme:
Prej sa kohësh jeni në Amerikë dhe cili është qëllimi i kësaj vizite?
- Në Amerikë është hera e katërt që e vizitoj vendin e demokracisë. Gjithmonë kam qëndruar 21 ditë kurse këtë vit do të qëndroj një muaj. Qëllimi është të vizitoj të afërmit dhe të mbajmë të ngritura urat e komunikimit me bashkëvendësit ngase në New York dhe shtete të tjerë të Amerikës gjenden përafërsisht 10 mijë dibranë të cilët në një mënyrë apo tjetër i kam njohur dhe i njoh dhe kam lidhje shoqërore, familjare e miqësore por më e rëndësishmja është se na lidh interesi i përbashkët i dibranëve që jetojnë në Dibër dhe i atyre që jetojnë në Amerikë.
- Ju shqetëson zbrazja e Dibrës dhe rrejdhja e shqiptarëve drejt emigracionit?
- – Ky shqetësim është i madh tek të gjithë dibranët sepse Dibra dhe dibranët edhe pse ndoshta kanë një rehabilitim ekonomik, duhet falënderuar mërgata jonë në Amerikë, nga se gjithmonë kam thënë se fryëmarrjen kryesore Dibra e ka nga djemtë e bijat tona në Amerikë. Por në një kënd tjetër, mërgimi i tyre në Amerikë është dhimbja më e madhe shpirtërore që nuk mund të përshrkuhet me fjalë. Dibranët vetëme përjetojnë, e ndjejnë në shpirt, por nuk ka fuqi oratorike që mund të përshkruajë këtë dhembje, aq më tepër kur gjendemi para një vështirësie të vizitave, këtu. Merre me mend që baba nuk mund të vizitojë fëmijën dhe e kundërta, vëllai – vëllanë, motra -motrën nga se të atilla janë kushtet ligjore. Për mendimin tim edhe ambasada amrikane në Shkup duhet të ketë një qëndrim më tolerues ndaj dibranëve nga se me të vërtetë është një ndarje esenciale familjare në rrethet më të ngushta. Njëkohësisht kjo ndarje ne na vret në sedrën tradicionale dibrane nga se mërgimi ynë favorizon buzëqeshjen e shtetit maqedon.
- A jeni të kënaqur me kontiributin e diasporës shqiptare në Amerikë në drejtim të vendlindjes së tyre?
- Me kontributin e diasporës dibrane jemi shumë të kënaqur, por në këtë realacion unë dëshiroj gjithmonë të veçohen gjërat dhe të dhënat nga se nuk është mirë të mbulohen dhe sipërfaqësohen apo grumbullohen vetëm me një qëndrim. Dibranët këtu kanë kontribuar shumë: për çështjen kombëtare, pritjen e kosovarëve, luftën e Kosovës, Bujanocit e Medvegjës, atë të Maqedonisë. Përmes shoqatës “El Hilal” kanë ardhur atje shumë ndihma. Megjithatë më lejoni të them një gjë: të gjithë ata q ë kanë ndihmuar kanë emër e mbiemër. Nuk mund të themi se kanë ndihmuar të gjithë shqiptarët apo të gjithë dibranët. Por kanë ndihmuar dibranët duke shkuar me emrin e mbiemrin nga se globalizimi favorizon plogështinë e të tjerëve kështu që Dibrën e kanë ndihmuar shumë dibranët, por të gjitha ata që kanë ndihmuar kanë emër e mbiemër. Nuk është meritore që djerësn e mundin e tyre ta përvetësojnë të tjerët.
- Ju jeni myfti i Dibrës. Ishte rastësi që iu përkushtuat kësaj sfere apo vazhdimësi në kuptimin e traditës familjare. Si keni shkuar te ky pozicion?
- Sa i takon shërbimit fetar trashëgoj një traditë familjare. Jam gjenerata e pestë që shërbej në këtë drejtim. Dhashtë Zoti edhe djali ta çojë më tutje këtë traditë sepse ai vazhdon të njejtat studime në Kuvajt. Lus që të vazhdojë kjo traditë në shërbim të fesë dhe natyrisht në të mirë të atij populli ku ne jetojmë, i cili ka nevojë për mësime hyjnore.
- Jetojmë në një kohë kur bota është e tronditur nga ekstremizmat fetare. Mendoni se besimtarët tuaj janë të qetësuar në këtë situatë ku veçanërisht lakohet ekstremizmi islam, apo ndjehet një lloj frike e të qenit i besimit musliman?
- – Sa i takon situatës momentale që flitet e bisedohet shumë, aty – këtu shihet ndonjëherë edhe frikësimi i të qenit besimtar musliman në rrethana e kushte të ndryshme, por edhe me thirrje të ndryshme për konvertimin në besime të tjera, mendoj se është një demagogji, është një qëndrim jofetar, jo demokratik, jocivilizues, jonjerëzor. Në këto kushte e rrethana, më së pari ekstremizimi është imponim i të tjerëve, nga s e ai nuk ekziston veçanërisht tek besimtarët muslimanë shqiptarë, nuk ka ekzistuar as në të kaluarën. Ata janë njerëz që aplikojnë besimin islam të një normative të synitëve e cila nuk favorizon në asnjë mënyrë ekstremizmin, por jo që them që të tjerët favorizojnë, besim i cili përmbush një zbraztësi shpirtërore dhe asgjë tjetër më tepër, por njëkohësisht në këto rrethana dhe kushte politike nuk duhet gërshetuar dhe nuk duhet favorizuar ai ektremizëm që na e mbjellin të tjerët dhe e pranojmë si tonën. Në të vërtetë nuk është prodhim as i yni, nuk duhet të jetë dhe me siguri nuk do të jetë nga se ekstremizmin nuk e pranon edhe vetë islami. Janë shumë parime e shumë qëndrime të cilat favozrizojnë mirëkuptimin ndaj të tjerëve e këtu veçanërisht ne shqiptarët kemi shembëlltyrën më të mirë të tolerancës dhe mirëkuptimit mesfetar. Unë po ju prezantoj vetëm dy argumente për këtë. Në kohën e Sulejmanit të Dytë ka qenë një përgjegjës fetar, Zymri Zade në Perandronë Osmane kur Sulejmani i Dytë merr qëndrim të largojë nga bregdeti shqiptar të gjithë të krishterët. Mirëpo qëndrimin e madh duhej të verifikojë te përgjegjësi fetar. Zymri Zade që ishte shqiptar ia refuzon nga se nuk ka baza fetare dhe nuk ka të drejtë fetare të shpërngulë nga vendbanimi i vet tjetrin. Në kohën e Mbretërisë së Zogut, kur mbreti Zog i ankohet Haxhi Vebi Dibrës, themeluesit dhe kryetarit të komunitetit të parë musliman shqiptar për prishtjen e marrëdhënieve midis besimtarëve të krishterë e muslimanë. Ndërkohë vdes kryetari i Kishës Autoqefale Shqiptare ortodokse. Haxhi Vebiu tubon të gjithë nxënësit e Medresës të veshur në uniformë të përcjellin kortezhin e kryetari të Kishës Autoqefale Shqiptare. Një vit më pas vdes vetë Haxhi Vebiu dhe të gjitha këmbanat e kishave të krishtera në Shqipëri kumbojnë në shenjë zie për vdekjen e Haxhi Vebiut. Ekstremizmi islam kushtimisht për shqiptarët është i papranueshëm.
- Ju e thatë vetë se shqiptarët shquhen për tolerancë fetare, a shfaqet kjo tolerancë ndërmjet jush dhe Kishës Ortodokse Maqedonase?
- – Marrëdhëniet tona me këtë kishë të panjohur akoma nga hirarkitë ortotokse janë absolutisht të prishura. Nuk do të pranojmë marrëdhënie me te përderisa ajo nuk i kërkon falje popullatës shqiptare. Sepse prifërit e saj që ishin në Manastir udhëhoqën bandat e rebelimit të shkatërrimit të pasurisë së besimtarëve muslimanë në Manastir e qytete të tjera të Maqedonisë. Paraqitja antishqiptare e kësaj kishe pas disa bisedave që kemi pasur në Shkup e Gjenevë ruan pozicione antishqiptare prandaj në këto relacione nuk mund të themi se janë të mira por tërësisht të prishura, edhe pse në Fakultetin e Shekncave Ortodokse në Shkup kam deklaruar se na e kanë borxh maqedonët të respektojnë qenien shqiptare nga se vetem shqiptarët në Ballkan janë ata që maqedonasve ua njohin kishën, kombin dhe gjuhë. Të gjithë të tjerët ua kontestojnë ose gjuhën, ose kombin, ose kishën. Pra ata kanë obligim që ndaj nesh të jenë më të matur, më të kulturuar, më të sinqertë për të bashkëjetuar.
- Këtu në diasporë vëmë re që në aktivitetet fetare të komunitetit musliman shqiptar procedurat fetare së shumti kryhen në gjuhën arabe. A reflektohet kjo edhe në komunitetin tuaj atje?
- – Unë përshëndes aktivitetin e predikuesve muslimanë këtu në Maqedoni të cilët kanë themeluar disa qendra, xhami, siç është ajo në Staten Island, Brooklyn, New Jersey, Queens etj., por këtu kam një sugjerim timin që është esencial: në të gjitha hyrjet e tyre është vënë mbishkrimi: Qendra islamike shqiptare në Amerikë. Organizatorët, themeluesit, realizuesit e veprimtarisë duhet me përkushtimin maksimal t’i dalin zot titullit apo emrit të cilin e mbajnë në hyrje të objekteve: Qendra islamike Shqiptare. Kështu që shembëlltyrën më të mirë e kanë në themelimin e komunitetit musliman shqiptar në Tiranë, do të thotë të ruajnë Islamin maksimalisht por edhe thesarin tonë kulturore, gjuhësor, civilizues, letrar në maksimum nga se mbajnë këtë emër e nuk na prish asgjë punë fetarisht por përtkundrazi favorizon qenien tonë në familjen e madhe të Islamit. Të aplikosh islamin edhe në gjuhën shqipe, do të thotë të inkuadrohesh në Islam siç kanë qenë persianët, turqit e të tjerët që neve të japim kontributin tonë në këtë sferë por me unin, ndjenjën, karakterin e vetëdijen tonë q ë kemi. Islami na favorizoi dhe na ruajti të qenurit shqiptar në barrikadë ndaj sllavizmit por kemi borxh që atë që e ndjejmë në shpirt duhet ta themi në gjuhën tonë. Shkurt, qartë e kuptuershëm: kërkoj që pak më shumë shqip, histori, gjuhë manifestim të festave kombëtare në këto xhami. Nuk guxojnë xhamitë shqiptare të marrin kahje tjetër përveç se kësaj popullate që i shërbejnë fetarisht por t’i shërbejnë edhe kombëtarisht. Në momentin kur humb vlerat njëra anë, të jemi të sigurtë se i humb vlerat edhe ana tjetër.
- Si janë marrëdhëniet e bashkësisë Islame në Maqedoni me ato të bashkësive të tjera në hapësirat shqiptare?
- – Më 1998 në Tiranë u themelua grupi i punës, këshilli i punës i bashkësisë islame të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi për të pasur disa aktivitete të përbashkëta. Edhe pse këshilli u themelua, aktiviteti i tij është shumë i ngadalshëm. Sa i përket Bashkësisë Islame në Maqedoni unë do të kisha deklaruar që edhe ajo duhet parë; më shumë t’i kushtojë kujdes çështjes kombëtare edhe pse ndonjëherë thirremi se kemi bërë e në të vërtetë kemi bërë por duhet të rritet ky intensitet sepse mundësia është më e madhe që të mos na kaplojë plogështia apo mos të shuajmë para elementit të politikës maqedone. Bashkësia islame është institucioni më i vjetër në Ballkan, i pandryshuar që vazhdon të jetojë si institucion, andaj duhet të ketë atë thesar, atë pasuri që me të vërtetë në mënyrë të mirfilltë t’i shërbejë kësaj popullate. Aty – këtu mund të gjendet ndonjë segment i paraqitjes së ndonjë proturqizmi ose ndonjë pro-je tjetër që nuk është as e Islamit e as e shqiptarëve.
- Si e parashikoni ju të ardhmen e shqiptarëve në Maqedoni?
- Ardhëmëria e shqiptarëve të Maqedonisë duhet të inkorporohet në ardhmërinë e gjithë shqiptarëve. Vetëm të përbashkët mund të ecim përpara, normalisht jo me qëndrime ndoshta shumë radikale. Janë fushat e veprimit bashkëkohor që duhet të na lidhein e duhet të na nxisin që të kompaktësojmë qëndrime të përbashkëta siç janë marrëdhëniet arsimore, kulturore, sportive e fetare e mandej ato ekonomike, duke u zhvilluar të arrijmë që të pieqemi e të formohemi në brumin tonë kombëtar dhe në trojet tona.
- Ju keni krijuar një përvojë bashkëpunimi me Shkodrën.Si është realizuar ky bashkëpunim?
- Unë mendoj se Shkodra si qytet meriton të jetë si shembëlltyrë e shumë aktiviteteve e veprimeve në interes të çështjes kombëtare, shqiptare e pastaj fetare. Më së pari janë marrëdhëniet e mira shkodrane në qytet ndërmjet besimeve fetare që duhet të kultivohet në të gjitha trojet shqiptare. Ka një jetë të pasur kulturore. Me Shkodrën duhet të lidhë miqësi tërë Shqipëria jo vetëm Dibra si qytet. Dua ta shoh Shkodrën të madhe gjithmonë me mikpritjen, bujarinë, sinqeritetin dhe atë melankolizimin e të folurit të thumbuar por shumë edukativ.
- Në shumë raste ia keni arritur qëllimit për pajtimin e grindjeve dhe mërive mes shqiptarëve, ku qëndron suksesi juaj në këtë fushë?
- Kjo është fusha jonë. Nuk është mirë të grindemi mes vetes. Kam punuar dhe vazhdoj të punoj e të kem sukses në shumicën e rasteve. Arsyeja ëshët sepse i njoh nga afër njerzit. Ua njoh shpirtin. ndryshe ne jemi mjekë të shpirtrave. Kam patur rast që të ndërhyj edhe në sallën e gjyqit dhe para se të jepej vendimi kam kërkuar pushim nga trupi gjykues dhe përmes nëj bisede u kam hapur sytë të grindureve që aty i kanë dhënë dorën njeri—tjetrit, janë pajtuar dhe i kanë shpëtuar burgut.
- Ju keni një përvojë të gjatë në fushëne mësimdhënies, përkthimeve, krijimtarisë etj. Mund t’na tregoni diçka më shumë?
- Kam përkthyer bashkë me një shok timin veprën e Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten” nga gjuha turke, kam pubilkuar në disa vazhdime veprimtarinë e Haxhi Vebi Dibrës, themeluesit të komunitetit musliman shqiptar , të Haki Sherofit (?), një mësues i popullit dhe drejtor i medresës së dikurshme të Tiranës. Kam shkruar i pari për Fuat Dibrën, për këtë patriot të madhe veçanërisht në këto kohë kur bëjmë krahasimin e kontributeve tona për çështjen kombëtare.Po ju kujtoj se në vitet 20-të Fuat Dibra për pavarësinë shqiptare nuk dhuron hiç më pak se 500 mijë franga flori. Duhet të jetë një simbol i bujarisë për çështjen shqiptare. Kam shkruar edhe për hoixhallarët dibranë, siç janë ata të Rekës së Dibrës, të cilët shteti maqedon pretendon t’i tjetërsojë në maqedonas muslimanë. Nga Reka na vijnë patriotë shumë të mëdhenj, si Haxhi Vildani, kryetar i Komisionit për hapjen e shkollave shqipe nga Shoqata Patriotike Atdhetare e Stambollit, Hafiz Maliq Tanusha nga Reka e Dibrës i cili është donatori kryesor i Shoqërisë Atdhetare të Stambollit, njëkohësisht edhe Iljaz Hoxha po ashtu nga Reka i cili vritet në luftë kundër serbëve. Kam pasur edhe përkthime të tjera. I fundit është vepra e Buhariut, një përmbledhës i thënieve profetike. E kam botuar vitin e kaluar. Jam duke punuar në një monogafi të hoxhallarëve dibranë që mendoj ta botoj këtë vit.
- Mesazhi juaj për dibranët në veçanti dhe shqiptarët e Amerikës në përgjithësi?
– Dibranët e këtushëm si dhe të gjithë shqiptarët do të doja t’u thosha se : Profeti Muhamet, shtetin e parë, shoqërinë e parë e themeloi në Medine. Por, nuk vdiq deri sa e çliroi Mekën që e kishte vendlidje. Ky simbolizëm duhet t’u shërbejë të gjithë dibranëve e të tjerëve që jetojnë në Amerikë në raport me vendlindjen. Jetojnë këtu por duhet të mendojnë njëherë e përgjithmonë që vendlindja të marrë statusin e duhur në historinë e vet. Meqenëse i njoh më shumë dibranët, kisha kërkuar më shumë unitet, të mënjanojnë revanshizmin, xhelozinë.Do të kisha dashur që t’i shoh të gjithë së bashku pse kështu do të arrinin më shumë edhe në bzines, edhe në mirëkuptim edhe në miqësi për të cilën kanë nevojë shumë të madhe në këtë vend por edhe vendlindjes do t’i kishin kontribuar më shumë. Sido që të jetë, mirë janë, mund të jenë edhe më mirë, kanë kontribuar e mund të kontribuojnë edhe më shumë. Do të ishte fatlumësi që raportet ndërmjet shqiptarëve në mërgim dhe atyre në vendlindje të rregullohen në mënyrë institucionale. Sa u takon të gjithë shqiptarëve ndoshta ne nuke kemi këtë kompetencë, ne dëshjiropjmë që ata të kenë lobin e fuqishëm, që të kenë një organizim sepse ata edhe kanë modelin e të tjerëve dhe kisha porositur që dëshirë kryesore pas luftëravë është të kontriubojnë me mjete materiale në ndikimin e politikës amerikane ndaj çështjes shqiptare. Por të gjitha këto që tash nuk do të arrihen asnjëherë pa pasur një mekanizëm i cili duhet që këtë popullatë ta informojë, nuk e teproj të them, ta edukojë, e ajo duhet ta bëjë këtë detyrë dhe e bën sipas mendimit tim shumë mirë gazeta “Illyria”.
- PS: Ne foto: Myftiu i Dibrës, Imam Ruzhdi Lata gjatë intervistës në redaksinë e Illyria-s