Nga Sokol Paja/
Gazeta “Dielli” si Organi Zyrtar i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA uron të gjithë shqiptarët GËZUAR VITIN E RI 2022. Shëndet, sukses, dashuri, mirëkuptim, progres dhe mirësi në familjet e çdo shqiptari anembanë globit. Gazeta “Dielli” mori rrugën për në çdo cep e në çdo skaj të mërgatës shqiptare që jeton e vepron në Amerikë dhe Kanada. Përmbyllëm një vit të suksesshëm me shumë sfida. Vatra e Dielli me veprimtarinë e tyre aktive ishin pranë shqiptarëve kudo ku ata jetojnë e punojnë. Vatra dhe Dielli gjeneruan atdhetarizëm, patriotizëm, energji pozitive dhe investuan çdo burim për çështjen kombëtare, për gjuhën shqipe dhe identitetit tonë kombëtar. U shpreh vlerësim të posaçëm, falenderim të përzëmërt dhe mirënjohje të veçantë të gjithë bashkëpunëtorëve të këtij viti të begatë. Gazeta u rrit nga muaji në muaj e dita në ditë falë mbështetjes e vëmëndjes suaj. Jam i privilegjuar në përfundim të këtij viti kalendarik që bashkëpunuan me “Diellin” mendjet më të mprehta, penat më të shkëlqyera dhe më të arrira të botës shqiptare që nga “Zëri i Amerikës”, mediat potente në Tiranë e Prishtinë, Akademikë, kërkues shkencorë në Fakultete dhe Njësi Kërkimi, analistë e kritikë letrarë, përkthyes, poetë, historianë, diplomatë, personalitete absolute të shkencës, ekspertë të ekonomisë, turizmit, arkivistikës, dhe kibernetikës, veprimtarë, humanistë e patriotë që na mbushin zemrën me gëzim e shpirtin me hare prej sukseseve e veprave të mira. Sukseset dhe arritjet e bijëve e bijave tona në mergatë u pasqyruan imtësisht në këtë vit dhe do vazhdojmë sat ë kemi jetë. Shqiptarët në mergatën e Amerikës dhe Kanadasë e jo vetëm përbëjnë një krenari kombëtare. Gazeta “Dielli” kishte gjatë viti në fokus të saj komunitetin shqiptar në Amerikë, Kanada e kudo ku jetojnë e punojnë shqiptarë që me suksesin e tyre lartësojnë e krenojnë kombin tonë. Gazeta “Dielli” përgjatë këtij viti që po lëmë pas lëvroi historinë, kulturën, gjuhësinë, albanologjinë, arkeologjinë, median, shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, data, ngjarje dhe figura të shquara të kombit shqiptar. Qëllimi i gazetës ishte në çdo moment informimi i saktë, promovimi i talenteve dhe personaliteteve të botës shqiptare në mërgatë, promovimi i suksesit dhe thithja e mendimit intelektual në gazetën Dielli, ruajtja e gjuhës, kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatën e Amerikës dhe Kanadasë, gjithashtu të jetë si një urë lidhëse mes shqiptarëve të mërguar dhe Atdheut mëmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqipfolëse. Mirënjohje e posaçme shkon për z.Dalip Greca për punën e jashtëzakonshme si editor i Diellit në 12 vitet e fundit. Faleminderit dhe mirënjohje për të gjithë ju që mbështesni gazetën më të vjetër të botës shqiptare, gazetën “Dielli” që nga 15 Shkurti i vitit 1909. Faleminderit që na besoni. Faleminderit që na mbështesni. GËZUAR VITIN E RI 2022