
KOSOVA NË ZGJEDHJET E SHTATA PARLEMENTARE NË LIRI/

-Zgjedhjet parlamentare të së dielës së 6 Tetorit 2019 me 1.067 kandidatë nga 25 subjekte politike për 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, të shtatat në 20 vjet liri e të katërtat në 11 vjet pavarësi/
-Shtetet e QUINT-it: Mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit/

-SHBA: Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuevse të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre/
-Organi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë është Vëzhguese e Zgjedhjeve të Parakohëshme Parlamentare 2019 në Kosovë, akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve/
-Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001. Legjislatura e tretë, e zgjedhjeve të 17 Nëntorit 2007, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008/
-Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 27 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi/SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 5 Tetor 2019/ Kosova të dielën e 6 Tetorit 2019 voton në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohëshme, në të cilat për 120 vende deputetetësh në Kuvend garojnë 1.067 kandidatë, prej tyre 343 femra dhe 724 meshkuj, nga 25 subjekte politike: 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur, të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Në mesnatën mes të premtës e të shtunës ka përfunduar fushata elektorale e vlerësuar demokratike dhe e qetë, me pjesëmarrje masive të qytetarëve në tubime, ndërsa ka filluar heshtja zgjedhore, e cila zgjatë deri në mbylljen e vendvotimeve në mbrëmjen e së dielës, kur do nisë numërimi i votave dhe bëhen të ditura rezultatet e para preliminare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar edhe listën përfundimtare të votuesve, e cila përmban 1 milion e 937 mijë e 868 votuesë, prej tyre 111 mijë e 733 për herë të parë me të drejtë vote.
Në mëngjesin e 6 Tetorit në gjithë Kosovën, në lokalitetet e të 38 komunave, do hapen 895 qendra të votimit me 2.547 vendvotime, ndërsa i gjithë procesi do monitorohet nga një numër i madh i vëzhguesëve nga vendi dhe bota. Janë mëse 34 mijë e 500 vëzhguesë të akredituar nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës.
Mes tjerash, në 3 Shtator 2019, është nënshkruar Marrëveshja Administrative mes Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 6 Tetorit 2019.
Në 30 gusht, më shumë se një muaj para ditës së zgjedhjeve, ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë në një deklaratë dërguar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës theksonin mes tjerash: “Zgjedhjet e ardhshme janë mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit. Qytetarët e Kosovës meritojnë premtimin për të ardhme paqësore dhe të begatë, dhe e vetmja rrugë për të siguruar këtë të ardhme është përmes shprehjes së vullnetit të popullit në këto zgjedhje”.
Ndërsa, në 1 Tetor 2019 në një deklaratë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë lidhur me zgjedhjet e 6 Tetorit theksohej:
“Qeveria e SHBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuevse të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”.
Organi i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA – Gazeta DIELLI me korrespondentin në Prishtinë është Vëzhguese e Zgjedhjeve të Parakohëshme Parlamentare 2019 në Kosovë, akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. ID-Kartela e akreditimit iu dha pasditën e djeshme, si edhe vëzhguesëve të tjerë.
Në Kosovën e lirë nga Qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2001, kur numri i votuesve të regjistruar ishte 1,249,987, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 803,796 votuesë – 64.30%.
Zgjedhjet e dyta parlamentare u zhvilluan në 23 Tetor 2004. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,412,680, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 699,519 votuesë – 49.52%.
Zgjedhjet e treta parlamentare u mbajtën në 17 Nëntor 2007. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,567,690, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 628,630 votuesë – 40.09%. Legjislatura e këtyre zgjedhjeve, e treta, ishte ajo që ka hyrë në histori me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës në 17 Shkurt 2008.
Zgjedhjet e katërta parlamentare në liri, të parat në pavarësi, u zhvilluan në 12 Dhjetor 2010. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,632,276, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 706,317 votuesë – 45.29%.
Zgjedhjet e pesta parlamentare në liri, të dytat në pavarësi, u zhvilluan në 8 Qershor 2014. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,799,023, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 734,055 votuesë – 42.63%.
Zgjedhjet e gjashta parlamentare në liri, të tretat në pavarësi, u zhvilluan në 11 Qershor 2017. Numri i votuesve të regjistruar ishte 1,888,059, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje 779,729 votuesë – 41.3%.
Zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 27 vitesh, në 24 Maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit e shtetrrethimit nga regjimi i dhunës serbe.
Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e zhvilluar nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur u deklaruan pro 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.Në mbledhjen 2 Majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.