
Nga ROLAND QAFOKU/
Mbrëmë, unë dhe Keta ndoqëm në kinema Millenium premierën e filmit shqiptar “Dilema e Ismailit”, i pari film artistik që ka për narrativë shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërire. Me skenar dhe regji të Dhimitër Ismailaj Valona si dhe me një kastë shumë interesante aktorësh, besoj se me këtë film kinematografia shqiptare arrin në një gur kilometrik të rëndësishëm në historinë e saj. Ta kthesh “shpëtimin e hebrenjve” në artin e shtatë, pikërisht atë që kombi shqiptarar e ka një nga krenaritë më të mëdha nëpër botë, është njëkohësisht edhe një provë dhe sfidë e madhe për artistët tanë. Në fund të filmit mendova se kjo është arritur.
Skenari, interpretimi, kostumet, make-up-i e deri te muzika, kishin për shumatore fjalën e vetëm sukses. Më bëri shumë përshtypje fabula e filmit. Një histori reale e ndodhur në fshatin Shëngjergj të Tiranës ndodhur 82 vjet më parë, sipas të cilës, një familje e varfër sa më ska, por mëse e zakonshme e asaj zone në vitin 1944, arriti të shpëtojë dy hebrenj, babë e bir, që i kërkonin nazistët gjermanë, duke sakrifikuar deri në sublim edhe jetën e vet. E gëzueshme dhe e dhimbshme njëkohësisht, por edhe krenare, mbi bazën e një kodi shqiptar të quajtur “Besa”, kjo histori është shkrirë dhe pasqyruar mjeshtërisht në këtë film dhe merita e parë e madhe i shkon Ismailaj.
Nuk e kisha parë asnjëherë më parë aktorin Arben Bajrakatari që jeton dhe ka një karrierë të pasur në Francë. Më bëri shumë përshtypje niveli tejet i lartë i aktrimit të tij. Me një plastikë jo të zakonshme në fytyrë dhe me artikulim perfekt që kalonte nga një ngrysje e thellë në ilaritet të lartë, ai solli një Ismail gati-gati real. Me lëvizjet, fjalët, gjestet, në film ai është një shengjergjas safi. E vetmja kritikë, është që aksenti i tij mund të axhustohej sadopak. Por kjo nuk I ul asnjë vlerë mjeshtërisë aktoriale të treguar në film.
I dyti, Erand Sojli, në rolin e priftit të fshatit, thjesht shkëlqeu. Nuk vihen në diskutim cilësitë aktoriale të Sojlit, por këtë herë ai u paraqit me një rol tejet të vështirë që ndonëse në momente të veçanta i jepte nota ilariteti, përsëri mbeti serioz si prift që ishte. Sojli ishte perfekt dhe meriton notën 10.
Delinda Disha në rolin e Shkurtes ishte befasia e dytë në këtë film, sepse më së shumti jemi mësuar me të që të luajë role komike. Por, Disha na dha aq mjeshtërisht edhe një rol deri tragjizëm. Në nënë shqiptare me një tufë fëmijësh, që flet pak, por bën shumë, Disha rrezatoi dhimbje dhe karakter me mjaft mjeshtëri. Një shëngjergjas, do çmallet me nënën apo gjyshen e vet, kur të shikojë Delindën në këtë film.
I arrirë ishte edhe roli i komandantit gjerman të luajtur nga Gent Hazizi, ndoshta edhe më vështiri. Mendoj se ai ia ka dalë, ndonëse mund të ishte kursyer pak gjermanishtja e folur në shumë episode. Rezulton se më këtë film Hazizi bëhet aktori shqiptar që ka folur më shumë gjermansisht se çdokush tjetër në një film shqiptar. Një e folur modeste, por guximtare. Megjithatë, është arritje e madhe. Ndonëse episodikë, ishin po aq mjështëror në rolet e tyre edhe aktorët Ahmet Pasha, Mehdi Malka, Romir Zalla etj. duke plotësuar një mozaik fantastik të kastës.
Së fundi, por jo për nga rëndësia. Ky film nuk vlen thjesht për ne shqiptarët. Jo vetëm për titrat në anglisht. Por për fabulën dhe aktrimin. Edhe pse ka marrë tre çmime, do ishte pak të themi se “Dilema e Ismailit” duhet të konkurojë në festivalet ndërkombëtare të niveleve të larta të filmave. Nëse vërtetë këtë film do ta quajmë të suksesshëm, është se duhet të marrë dhe fitojë çmime. A mund ta arrijë? Unë mendoj se po. Nuk ka histori më magjike dhe më të rrallë se besa e shqiptarëve për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të shpresojmë që të vlerësojnë edhe realizimin dhe aktrimin. Kinematografia shqiptare ka përpara një sfidë. Shumë shumë urime të gjithëve!