
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ/
Strateg i veçantë popullor
Isa Boletini, në historinë e popullit shqiptar është padyshim ndër figurat më të spikatura dhe të vlerësuara për shpirtin e flaktë atdhetar, protagonizmin e shquar dhe të veçantë në rrugën e gjatë për formësimin, çlirimin, pavarësinë kombëtare dhe krijimin e shtetit shqiptar. Ai përshfaqi në të gjithë veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur luftarake edhe një dimension tjetër të veçantë, të njohur por, gjithsesi, pak të rrahur dhe analizuar, në të cilën spikatin cilësitë e rralla si një lider, strateg, komandant dhe takticien krijues dhe i suksesshëm, ndonëse nuk ishte aspak një ushtarak i mirëfilltë i karrierës. Ky dimension përfshin cilësitë e tij prej prijësi dhe lideri ushtarak të lindur e popullor, natyrisht me dukuritë dhe të veçantat e veta.Isa Boletini, siç dihet, nuk kishte studiuar art ushtarak dhe nuk ishte diplomuar në ndonjë shkollë apo akademi ushtarake, për rrjedhojë as nuk kishte marrë njohuri të kultivuara për historinë, mendimin dhe teoritë ushtarake, arsye për të cilën ai nuk kishte pasur mundësi të lexonte klasikët e mendimit ushtarak. Megjithatë, me zgjuarsinë dhe intuitën natyrale, ai arriti të bënte pjesë të arsenalit të pasur të njohurive, një numër te madh elementësh të artit të drejtimit, komandimit, dhe të të lufuarit, të cilat i zbatoi në mënyrë krijuese, në fushëbetejat ku mori pjesë. Dhe ia doli për mrekulli që, duke i përpunuar më tej në laboratorin e tij analizues dhe krijues, t’i gërshetonte ato mjaft mirë me mendimin dhe artin luftarak tradicional të popullit shqiptar në kushtet e teatrit luftarak karakteristik dhe të ushtrive jo të rregullta, të përbëra nga luftëtarë vullnetarë, që dinin të përdomin perfekt taktikën e luftës popullore, të trashëguar nga paraardhësit e tyre. Në to ai kishte pasur shpesh suksese me rrjedhoja historike dhe jehonë evropiane, duke përvijuar kështu një fizonomi dhe dimension të vetin. Për këto arsye tek çdo shqiptar, por jo vetëm, për Isa Boletinin ruhet, përveç imazhit burrëror dhe luftarak, edhe ai i liderit dhe strategut të veçantë popullor, pa veshje dhe spaleta ushtarake, por natyrisht me njëfizionomi të vetën!Dhe ishin pikërisht përmasat dhe cilësitë që përfaqësonte kjo figurë e madhe, të cilat e shtynë njerin ndër politikanët dhe intelektualët e njohur shqiptarë, Eqerem bej Vlorën t’a portretizonte Isa Boletinin si, “…njera nga figurat më të fuqishme dhe të kompletuara të Shqipërisë së atëhershme”. Dhuntitë dhe aftësitë luftarake e drejtuese prej prijësi, komandanti dhe takticieni të talentuar të Isa Boletinit ishin të lindura e natyrale, por ato u përpunuan dhe perfeksionuan si rrjedhojë e përvojës së pasur, të mbledhur nga njera ngjarje në tjetrën dhe nga beteja në betejë, ku ai pati fatin të merrte pjesë! “Pagëzimin” e zjarrit e mori në moshë të re, si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në betejën e njohur të Slivovës kundër forcave osmane. Më pas, në vitet 1901-1902, ai vihet në krye të qëndresës popullore të Kosovës kundër ndërhyrjeve të Serbisë, Malit të Zi dhe Austro-Hungarisë në Shqipëri.
Udhëheqës i përmasave të mëdha
Isa Boletini u shqua veçanërisht si organizator dhe udhëheqës i përmasave të mëdha, në Kryengritjet e Mëdha shqiptare kundërosmane të viteve 1910-1912. Sipas vlerësimeve të autoriteteve dhe shtypit të kohës, ai ishte vetë “shpirti i këtyre kryengritjeve”. Në këtë kuadër ai udhëhoqi dhe drejtoi me aftësi të veçanta dhe të suksesshme disa nga betejat në përballjet e armatosuara me forcat e ushtrisë osmano-turke, sidomos në vitin 1910. Më pas, ai mbështeti fuqishëm Kryengritjen kundërosmane të Malësisë së Madhe, të vitit 1911, si dhe u vu në ndhëheqjen e forcave kryengritëse shqiptare në zonën Drenicë-Mitrovicë dhe Podujevë-Prishtinë, në vitin 1912. Gjatë Kryengritjes së Madhe të Përgjithshme të vitit 1912, që çoi në shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e shtetit të parë të pavarur shqiptar, Isa Boletini gjendej në udhëheqjen e forcave luftarake për mbrojtjen e territoreve shqiptare kundër shovinistëve serbo-sllavë. Kurse, me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ai vihet përkrah Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, për organizimin e Forcave të Armatosura dhe mbrojtjen e shtetit të parë të pavarur, por të vogël dhe ende të brishtë shqiptar.Betejat e përgjakshme dhe heroike e Ceralevës dhe, pas saj, ajo e Kaçanikut, përbëjnë thelbin dhe boshtin e Kryengritjes shqiptare të vitit 1910. Prandaj na lejoni që,në këtë kumtesë modeste, për efekt të kohës së kufizur, të ndalemi kryesisht në to për ilustrimin e përfundimeve me karakter ushtarak, që përbëjnë thelbin e kumtesës sonë.Veprimet luftarake nisën që më 28 prill 1910, së pari me mësymjen e forcave ushtarake osmane kundër kryengritësve që mbroheshin në Grykën e Kaçanikut. Luftimet qenë tejet të ashpra dhe të përgjakshme, të mbështetura me zjarrin e armëve të rënda të artilerisë, për dy ditë me radhë dhe arritën deri në luftim të afërt trup me trup, ku u përdorën edhe thikat! Por, edhe pse mbrojtësit e Kacanikut u tërhoqën nga luftimet, për shkak të intensitetit të tyre dhe, sidomos prej epërsisë së armikut në forca dhe armatime, lufta vijonte! Përpara osmanëve qëndronte ende një nyje tjetër e vërtetë strategjike, Gryka e Caralevës të cilën, siç vërtetuan ngjarjet dhe koha, do t’a mbronin me heroizëm të rrallë forcat kryengritëse të drejtuara nga Isa Boletini. Komandati i lartë i forcave ushtarake osmane të operacionit e dinte fort mirë dhe vlerësonte se Isa Boletini, që i drejtonte forcat kryengritëse përballë ishte, në të vërtetë, vetë “shpirti i kryengritjes”. Vetëm nga asgjësimi i tyre varej përparimi i forcave të ushtrisë së tij, prandaj urdhëroi mësymjen kundër nyjes strategjike të Ceralevës me të gjitha forcat që komandonte!Në këtë betejë, raportit klasik i forcave dhe mjeteve luftarake i të dy palëve pjesëmarrëse në të, fliste në dobi të mësymësve osmanënë, në treguesit kryesorë të tij. Përballë 3.000 luftëtarëve këmbësorë shqiptarë, të përbërë tërësisht nga vullnetarë të armatosur vetëm me armë supi dhe brezi, pritej të mësynin 8.000 ushtarë osmanë, të armatosur më së miri me pushkë, mitralozë dhe artileri malore, që me municionet e furnizuara, mund të godiste me predha vazhdimisht pozicionet e forcave kryengritëse shqiptare përballë. Nisur nga të dhënat e kohës, raporti tërësor i forcave ishte pothuajse në shifrat 2-3 me 1 (2-3:1), kurse në mitralozë dhe artileri ky raport paraqitej tërësisht në favor të trupave osmane. Duket se për këtë arsye, në ndryshim me strategjinë dhe taktikën e përdorur më heret nga mbrojtësit e Kaçanikut, në betejën e Caralevës, Isa Boletini së bashku me prijësit e tjerë përkrah, vuri në zbatim një “skemë taktike” të ndryshme, atë të mbrojtjes aktive ose të manovrueshme. Kjo taktikë i dha zhdërvjelltësi dhe manovrueshmëri të lartë forcave kryengritëse në pengimin dhe dëmtimin qysh në nisje të forcave ushtarake osmane, të cilat lëviznin me disa kolona nga venpërqëndrimet e tyre për në vijën e nisjes, të përcaktuar për mësymje.Në një vështrim analitik të betejës heroike të Caralevës, mund të vërehet qartë se, plani dhe drejtimi i forcave kryengritëse ishin konceptuar dhe realizuar me zgjuarsi dhe mjeshtëri nga drejtuesit e tyre kryesorë. Në të u ndërthurën me sukses veprimet mbrojtëse me ato sulmuese, që i dhanë lëvizshmëri, manovrën e duhur dhe efektivitet mbrojtjes, duke bjerrur dhe kapërcyer kësisoj skemat shabllone të taktikës së mbrojtjes së palëvizshme e cila, përveçse thyhet shpejt, detyron tërheqjen, shpesh me humbje të ndjeshme! Kjo dukuri, i kishte shtyrë oficerët turq të besonin tek alibija se luftëtarët kryengritës drejtoheshin me siguri nga ushtarakë të shkolluar dhe specialistë të zot që, sipas tyre, nuk mund të ishin shqiptarë! Ndërsa, konsulli francez në Shkup, në një raport të asaj kohe do të bënte një vlerësim më të sinqertë dhe realist, kur shkruante se:“…kryengritësit luftonin sipas një plani të përcaktuar e të parapërgalitur, sipas një taktike mjaft të përparuar”.Në përfundim të zhvillimit të veprimeve luftarake, në të dy betejat, të cilat zgjatën për disa ditë, duke u shtrirë në një gjerësi dhe thellësi të madhe, mund të thuhet se, plani strategjik i përpiluar nga Isa Boletini, Idriz Seferi dhe “shtabi” i tyre ishte rezultativ. Duke nisur nga grumbullimi, armatosja, lëvizja dhe afrimi i forcave vullnetare kryengritëse nëpër vendqëndrimet, deri tek lëvizja e shpejtë dhe e fshehtë për në rajonet apo pozicionet e përcaktuara për mbrojtje, ishin të ideuara dhe realizuara mjaft mirë. Edhe përzgjedhja dhe zënia e dy grykave, të Caralevës dhe Kaçanikut, nga luftëtarët kryengritës, si dy rajone me rëndësi strategjike, si dhe shpërndarja e pozicionimi i forcave në pikat më kyçe në tërë hapësirën midis dy grykave, ashtu si dhe qëndresa luftarake shumëditëshe për të përballur një mësymje nga forcat superiore turke, të një ushtrie me përvojë luftarake, të mbështetura nga zjarri i fuqishëm i artilerisë malore dhe fushore, si dhe zjarri kositës i mitralozave, dëshmuan se strategjia e përdorur nga drejtuesit e kryengritjes ishte e ndërtuar me mençuri dhe mjeshtëri luftarake.
Njohës i skemave taktike të luftimit
Për këto aftësi, Isa Boletini njihej dhe vlerësohej së tepërmi nga bashkëprijësit, nga shtypi evropian i kohës, madje edhe nga vetë kundërshtarët e përhershëm turq, krahas cilësive të tjera veçanërisht si një njohës dhe përdorues i shkëlqyer i skemave taktike të luftimit, për të cilat çmohej si një takticien i dorës së parë, dhe mjeshtër i vërtetë. Këto aftësi spikatën si në luftimet me karakter mbrojtës, edhe në ato mësymëse. Për këto aftësi, në arsenalin e pasur të taktikave, formave dhe metodave luftarake që përdorën forcat luftarake shqiptare në suazën e luftimeve apo betejave që u përkasin sidomos kryengritjeve popullore të viteve 1910, 1911 dhe 1912, krahas prijësve të tjerë të shquar, ndikim të dukshëm pati Isa Boletini, me idetë, gjetjet dhe zgjidhjet e tij racionale dhe rezultative edhe të sferës taktike. Ndër to bien në sy disa veçori dalluese, që u vunë re pothuajse ndër të gjitha veprimet luftarake ku ai mori pjesë dhe drejtoi. Përmes këtyre metodave luftëtarët vullnetarë shqiptarë, duke u përpjekur të kompesonin numrin shumë më të pakët të forcave, të armëve, municioneve dhe mjeteve luftarake të kohës, mungesën e një ushtrie të rregullt, ia dolën që t’a përballonin shpesh kundërshtarin duke zbatuar një taktikë tejet racionale, të zgjuar dhe efektive, në të cilën gërshetoheshin mirë elemente të taktikës tradicionale me ato të luftës me front të rregullt. Nëpërmjet saj, ata i lodhnin, raskapitnin dhe dëmtonin forcat e ushtrisë kundërshtare, duke u përhapur sa herë që kjo ushtri sulmonte me forca më të mëdha. Ndërkohë, luftëtarët shqiptarë shfaqeshin papritur dhe u binin armiqve që nga pritat ku ishin pozicionuar, ndërsa forcat armike gjendeshin në lëvizje për t ’u afruar dhe pa e ditur se çfarë i pristelPikërisht lidhur me taktikën e përdorur nga forcat luftarake shqiptare gjatë luftimeve, disa gazeta evropiane, të përshkruar nga shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur Skënder Luarasi, do të shkruanin, …shqiptarët përdorën taktikën që e lodhte shumë ushtrinë turke. Ata shpërndahen sa herë që ushtria turke mësyn me forca shumë më të mëdha se ato shqiptare. Paskësaj ata i bien ushtrisë armike nga pritat, kur ushtria osmane është duke marrshuar në rrugët e afrimit për në rajonet ose vijat e mësymjes; ata u suleshin befas asqerëve që bëjnë roje përgjatë nyjeve rrugore, në gryka apo në garnizonet e qyteteve të vendit… sulmojnë natën viset ku janë ngulur tendat ushtarake, vrasin sa më shumë kuaj që bartin topat.
Figurë madhështore e atdhetarit
Pikërisht lidhur me cilësitë dhe dukuritë e përmendura më herët, Isa Boletini ka fituar dhjetëra epitete dhe vlerësime të merituara nga shqiptarët dhe të huajt. Njeri prej tyre, shqiptari i shquar Fan S. Noli, në një miting të mbajtur në Boston të SHBA, do të theksonte: “…Isai din të hidhet në mes të topave të një ushtrie turke përmbi 20.000 vetësh, ta mundë dhe, në kohë paqe, të heshtë, është një trim që do të kishte turp ta baraziste veten e tij me gjeneralët e djeshëm e të sotëm të Ballkanit… po të rronte Uashingtoni, do të vinte t’i zinte dorën Isa Boletinit dhe t’a njihte për trim sa veten e tij!” Për shqiptarët e Kosovës, të Shqipërisë dhe kudo tjetër ku ata jetojnë, Isa Boletini përfaqëson padyshim figurën madhështore të atdhetarit dhe luftëtarit të rrallë në teatrot e luftërave për liri dhe pavarësi të atdheut tone të përbashkët, siç e ëndërronte ai dhe bashkëlujiëtarët e tij.Por, përtej cilësive të veçanta, të rralla, të padiskutueshme ai ishte dhe u shqua midis bashkëluftëtarëve si një prijës ushtarak, me cilësi natyrale të lindura, të pakultivuara, të përmasave të mëdha, në organizmin dhe drejtimin me efektivitet dhe sukses të forcave luftarake jo të rregullta shqiptare, gjatë veprimeve luftarake të shumta çlirimtare, të karakterit mbrojtës apo mësymës. Në to ai shkëlqeu si një gjeneral i vërtetë popullor, paspaleta! Për të gjitha këto, për rolin e tij të veçantë në çlirimin dhe pavarësinë e trojeve shqiptare, për formësimin dhe bashkimin kombëtar, Isai çmohet dhe nderohet shumë nga shqiptarët, arsye për të cilat ai është bërë pjesë e kahershme e historisë sonë kombëtare. Njëherëshi dhe padyshim, ai është bërë ndërkohë pjesë e rëndësishme dhe e përhershme e historisë ushtarake shqiptare, për të veçantat e tij, për të cilat duhet të vijojnë studimet dhe analizat shkencore në auditoret e shkollave dhe akademive, si dhe në veprat e studiuesve tanë ushtarakë, edhe në vitet e ardhshëm.