Nga Flora Nikolla/- Dashuria për televizionin lindi tek Alma Ajazi kur ishte 8 vjeç, por karrierën si modele e nisi në moshën 15 vjeçare. Fotografi i njohur në Amerikë, Emin Kadi, me origjinë shqiptare ishte i pari që fiksoi imazhin e saj. Çmimi Miss Albania ‘99 USA dhe çmimi “shoqëruesja e parë në Miss Shqipëria 2000”, organizuar nga Petri Bozo, shërbyen si dritare për t’u angazhuar më shumë në botën e modës, por në të njëjtën kohë edhe për të formuar imazhin e saj tek publiku. Pjesëmarrëse në sfilatën Paris Fashion Week në vitin 2011, në sfilatën në Champs Elysée për stilisten Tiffany McCall Couture, Alma Ajazi ka qënë edhe imazhi i markës së flokëve Aveda në Miçigan, modele për markën Tiffany McCall apo për markën e bizhuterisë Siidilabor në Francë… Ka pasur fatin të bashkëpunojë me njerëz të talentuar si me piktoren Adriana Puleshi në Tiranë, me stilisten Ana Gross në Paris, me stilisten Anila Zajmi, fotografët e njohur në Francë si Jean Marc Benzaquen, Flavia Raddavero, Jean Paul Lubliner, Gauthier Joseph, etj.
Kanë kaluar 15 vite kur ajo hyri në botën e modës dhe të gjithë këtë angazhim synon të promovojë në një formë tjetër këtë vit kur ajo mbush 30 vjeç. Tregon se së bashku me kompaninë “Rezart Jasa event” në Paris, do të organizojë në kryeqytetin e Francës, në fund të muajit maj, një ekspozitë me rreth 30 fotografi nga disa prej momenteve më të spikatura të angazhimit të saj si modele dhe të gjitha të ardhurat nga ky aktivitet do të dhurohen për bamirësi në ndonjë shoqatë në Shqipëri.
Përveçse një modele e njohur, Alma Ajazi ka përfunduar studimet për Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare në Amerikë dhe është e para studente shqiptare e diplomuar në shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, me rezultate të shkëlqyera. Shpreson që këtë vit të realizojë ëndrrën për të kontribuar në dilplomacinë shqiptare në Paris, ku jeton prej vitesh, pasi sikurse shprehet sakrificat dhe shkollimin ia ka dedikuar pikërisht kësaj fushe. “Diplomacia shqiptare ka nevojë për një rilindje”, shprehet Alma Ajazi për ATSH-në.
Jeni larguar nga Shqipëria në Amerikë kur ishit fëmijë. Si e kujtoni ditën kur u ndatë me të afërmit, shokët dhe shoqet e fëmijërisë?
Sado që jam larguar e vogël nga Shqipëria, 14 shkurti i vitit 1995 është një ditë që nuk mund të harrohet lehtë. Kam derdhur shumë lotë…! Ishte emocionuese kur u rrethuam nga të afërm dhe komshinj, të cilët u mblodhën në shtëpinë tonë për të na përcjellë, duke na dhuruar plot dashuri. Pjesëmarrja e madhe e njerëzve të krijonte përshtypjen se ishte një dasmë…!
Po nga fëmijëria cilat janë ato kujtime që nuk mund t’i harroni?
Kjo pyetje më sjell ndërmend librin “Më kujtohet”, i autorit Ylli Demneri. Kur lexova këtë libër ndjeva një ngrohtësi shpirtërore pasi munda të gjeja veten në faqet e tij. Kam shumë kujtime…! Më kujtohet qiriri i ndezur dhe duart e mamasë sime që punonte grep, një punë e dytë për të siguruar disa para për mua dhe motrën time, Sonila. Unë e kuptoja shumë mirë lodhjen e saj, por ajo nuk e shprehte. Më kujtohen kodrat e Kombinatit, ku shkoja me shoqet e pallatit me kova uji në duar, pasi ai mungonte në shtëpitë tona. Më kujtohet kur të njohur më pyesnin se ku ishte im atë dhe unë u përgjigjesha me shërbim, pasi familja ime nuk tregonte se ai kishte hyrë në ambasadë. Më kujtohet apartamenti im në katin e tretë, përballë shkollës “Myslim Keta”, ku lozja litar dhe peta me shoqet. Më kujtohet dita e parë e shkollës, xhamat e thyer të dritareve në klasë dhe plasmasi qe vendosnim për t’u mbrojtur nga era e ftohtë që pushtonte klasën, por që nuk e mposhte kuriozitetin tim për të mësuar. Më kujtohet kur së bashku me shokët dhe shoqet e klasës mblidhnim lekë për t’i blerë mësueses kujdestare, Ernës, dhuratë për 7 Marsin. Më kujtohet kur drejtoresha e shkollës më gjuajti me një shpullë të fortë, sepse përdora tualetin e mësueseve, dhe jo atë të nxënësve! Më kujtohet kur babai u kthye në Shqipëri me dhurata dhe sa e lumtur isha. Më kujtohet një kukull barbi me një fustan blu që e mbaja në kuti nga frika se e prishja. Me kujtohen pushimet në Sarandë, dallgët që më mësuan notin, shtëpia e gjyshes sime e rrethuar me vreshtë, fiq dhe frangofiq. Më kujtohet kur mbërrija në lagjen amerikane në Sarandë dhe sa zbrisja nga autobuzi vrapoja duke bërtitur nga gëzimi: Nënaaaa erdhaaaa… Si përfundim kam pasur një fëmijëri e prekur nga forca e vështirësisë, por edhe nga aroma e dashurisë. Mendoj se vështirësitë ndikojnë pozitivisht në formimin e karakterit. Ato vite i kujtoj me plot nostalgji dhe mall.
Pas mbrëmjes Gala që Albanian Excellence organizoi në TKOB me shqiptarët e suksesshëm në botë, në 100 vjetorin e Pavarësisë
Jeni një modele e njohur, gjë për të cilën flet dhe pjesëmarrja juaj në një sërë sfilatash. Si nisi karriera juaj si modele?
Dashuria për televizionin lindi tek unë kur isha 8 vjeç, por karriera si modele filloi në moshën 15 vjeçare. Fotografi i njohur në Amerikë, Emin Kadi, me origjinë shqiptare, ishte i pari që fiksoi imazhin tim. Çmimi Miss Albania ‘99 USA dhe shoqëruesja e parë në Miss Shqipëria 2000, organizuar nga Petri Bozo, shërbyen si dritare për t’u angazhuar edhe më shumë në botën e artit, por në të njëjtën kohë edhe për të formuar imazhin tim për publikun. Kam pasur fatin të bashkëpunoj me njerëz të talentuar dhe dinjitoz në këtë fushë. Mund të përmend këtu prezantimin si modele për piktoren Adriana Puleshi në Tiranë, në sfilatën për markën e flokëve Aveda në Miçigan, Paris Fashion Week në vitin 2011, në sfilatën në Champs Elysée për stilisten Tiffany McCall Couture, modele për markën Tiffany McCall, kam qënë modelja e parë për stilisten Ana Gross në Paris, modele për markën e rrobave Babelle në Paris, për markën e bizhuterisë Siidilabor në Francë, për stlisten shqiptare Anila Zajmi Katanolli në Paris viti 2012, për reklamën e Chicbook Paris, etj. Kam bashkëpunuar me fotografë të njohur në Paris si Jean Marc Benzaquen, Flavia Raddavero, Jean Paul Lubliner, Gauthier Joseph si dhe fotografin Emin Kadi në Amerikë. Mund të përmend dhe pjesëmarrjen në jurinë Miss Albania në Kanada në vitin 2003, rolin e prezantueses në koncertet e shqiptarëve në Amerikë, ndër të cilët veçoj koncertin e këngëtares Irma Libohova në Miçigan.
Përveçse një modele e njohur ju keni përfunduar studimet për Shkenca Politike, Marrëdhënie Ndërkombëtare në Amerikë dhe jeni e para studente shqiptare që jeni diplomuar në shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, me rezultate të shkëlqyera. Pse zgjodhët këto degë?
Vendimi për të zgjedhur këtë degë ka disa arsye. Gjithmonë më ka tërhequr historia dhe drejtësia, por momenti kur vendosa të studioja shkenca politike lidhet me ngjarjet në Kosovë. Isha 15 vjeç dhe ndiqja lajmet në CNN për luftën në Kosovë. Imazhet që përcilleshin, shtëpi të djegura dhe vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës, më emocionuan dhe kuptova se duhej t’i dedikohesha të drejtave të njeriut. Ishte ky moment kur i shkruajta një letër Presidentit amerikan, Bill Clinton, dhe ku i lutesha qeverisë amerikane që të ndërhynte në mënyrë diplomatike për të zgjidhur çështjen e Kosovës. Megjithëse nuk mora përgjigje u ndjeva mirë sepse si një qytetare e thjeshtë mora një iniciativë. Një arsye që ka ndikuar në vendimin për të studiuar shkenca politike është edhe origjina nga Çamëria e nënës sime. Historia e Çamërisë është e deformuar dhe mendoj një nga padrejtësitë më të mëdha që i është bërë kombit tonë. Më kujtohen historitë e dhimbshme që më tregonte gjyshja ime, plot vuajtje dhe plagë, që patën ndikim tim tek mua. Së fundi nuk mund të lë pa përmendur dhe sakrificat e babait tim i cili, në qershor të vitit 1990, braktisi Shqipërinë dhe hyri në ambasadën egjiptiane për t’u vendosur më pas me vështirësi në Miçigan. Duke u rritur në Miçigan dhe duke u arsimuar në shkollat amerikane, kuptova qartë esencën e demokracisë, lirisë, drejtësisë, rregullit, ligjit, që të gjitha së bashku më shtynë që t’i përkushtohesha shkencave politike dhe diplomacisë.
Aktualisht jetoni në Paris… A keni arritur të angazhoheni me diplomacinë në kryeqytetin francez dhe si ndihet Alma në jetën pariziene?
Pas diplomimit në fakultetin Oakland University, në degën shkenca politike, dhe një viti punë në zyrën e imigracionit Pastor and Associates në Miçigan vendosa të kthehesha sërish në universitet për një diplomë të dytë. Ishte këshilla e profesorit tim të politikës që të zgjidhja shkollën American Graduate School of International Relations and Diplomacy në Paris, pasi kryeqytetit francez konsiderohet si zemra e diplomacisë. Kur përfundova studimet në Paris vendosa të qëndroj këtu. Përsa i përket angazhimit mund të përmend praktikën 3 mujore në ambasadën shqiptare në Paris, pranë ambasadorit Ylljet Aliçka. Ishte një praktikë intensive, ku kuptova sesa e rëndësishme dhe delikate është puna në një seli diplomatike. E konsideroj veten me fat pasi mora pjesë në shumë konferenca politike. Do të veçoja edhe rolin tim si përkthyese në konferencën e parë për raportin e Dick Marty që u mbajt në Paris, në dhjetor të vitit 2010. Isha përkthyese për grupin përfaqësues diplomatik nga Kosova. Përfundimi i studimeve ishte hapi i parë, tani jam duke ecur në dallgët e realitetit. Aktualisht punoj në kompaninë franceze Lenovo dhe gjithashtu jap mësim privatisht në gjuhën angleze. Përherë më ka tërhequr Franca, gjithsesi mendoj se çdo shtet ka kulturën dhe traditat e tij. Gjithmonë jam ambientuar dhe jam angazhuar si një qytetare në këto tradita, pa harruar rrënjët e mia. Emigrimi ka qënë një rrugë mësimi, e ndërthurrur me gëzime, mërzitje dhe sfida. Zemra më e lënduar në këtë botë është zemra e një emigranti!
Ju gjithashtu jeni fituese e çmimeve Who is Who Americas Top Highschool Students National Deans List, Optimist International Award, çmimit “Arshi Pipa” për literaturë në Miçigan, për të drejtat e njeriut të Morris Dees, Southern Poverty Law Center në Amerikë. Çdo të thonë këto çmime për ju dhe cilin prej tyre do të veçonit?
Mes këtyre çmimeve do të veçoja Who is Who Americas Top Highschool Students, një çmim që e fitojnë 15 përqind e studentëve më të mirë të Amerikës. Sigurisht që jam prekur nga këto çmime që në një farë mënyrë janë edhe vlerësim për dedikimin tim ndaj shkollës. Kur shokët dhe shoqet e mia dilnin në fundjavë, unë mbyllesha në shtëpi dhe mësoja për të arritur rezultatet më të mira. Gjithsesi, mendoj se njeriu nuk gjykohet nga sa çmime ka fituar, sa diploma ka marrë, por sa i ka shërbyer njerëzimit dhe si është sjell me të tjerët. Kultura, komunikimi, edukata, dashuria, humanizmi e zbukuron njeriun.
Jeni autore e disa shkrimeve dhe poezive për çështjen çame, të publikuara në mediume të ndryshme dhe në faqen www.lajmishqip.com, ndër të cilat “Përdhunimi i Filatit”, “Puthja vallëzim”, “Lulja e thyer e një kombi”. Cili ka qënë motivi që ju ka frymëzuar për të prekur një temë delikate siç është çështja çame?
Gjyshja ime që jeton në Sarandë ka lindur në Filat. Kur isha e vogël më tregonte shumë histori për genocidin në Çamëri ndaj dhe ndiej se kam një detyrim për të gjitha gjyshet çame. Përmes këtyre shkrimeve kërkoj të bëj të njohur genocidin, përdhunimet, krimet brutale, padrejtësitë që u orkestruan ndaj popullsisë çame në Filat, Gumenicë, Paramethi, Parga, Margellicë. Asnjë komb dhe asnjë shoqëri nuk meriton këto akte brutale.
Çfarë e lidh bukurinë me diplomacinë?
Nëse diplomacia do të udhëhiqej nga njerëz kompetentë, të drejtë, dinjitozë, të ndërgjegjshëm, humanë, punëtorë që zotërojnë vizion për të ardhmen, atëherë do të lulëzonte bukuria në diplomaci. Për mua këtu qëndron bukuria në diplomaci!
Si e kaloni kohën e lirë në Paris?
Parisi është një qytet i mrekullueshëm që të jep frymëzim, ngrohtësi shpirtërore dhe mundësitë për të kaluar kohën e lirë janë të shumta. Atë pak kohë të lirë që më mbetet pas punës në firmën ku punoj, angazhimit tim si mësuese anglishte, apo ndonjë projekti artistik që mund të më ofrohet, personalisht preferoj ta kaloj me një shëtitje në mbrëmje anës Lumit Seine, me ndonjë piknik me shoqërinë poshtë një statuje në Jardin dhe Luksemburg, apo me vizita në muzeumet pafund. Sigurisht, një pjesë të kohës së lirë ia kushtoj dhe komunikimit përmes skype me familjen në Amerikë dhe Shqipëri. Kam mall!
Çfarë do të donit të ndryshonit nga jeta sociale, ekonomike e politike në Shqipëri?
Shqipëria është përballur me shumë fenomene që kanë njollosur historinë e saj si gjatë periudhës së komunizmit dhe pas tij. Ka ardhur koha që Shqipëria të ecë në rrugën e drejtë, sado që vendi ka hedhur hapa përpara drejt demokracisë. Duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë se Shqipëria duhet të punojë shumë për një të ardhme të shëndoshë dhe një demokraci të fortë. Shqipëria i ka të gjitha potencialet për t’u zhvilluar, por që kërkon shumë punë, dëshirë, kompromis dhe humanizëm nga partitë politike.
Ç’mendoni për iniciativën e Albanian Excellence?
Një iniciativë dinjitoze që merr përsipër të rrëfejë sakrificat dhe sukseset e shqiptarëve në emigrim. Në këtë rrugë, ku mbizotërojnë stuhitë dhe sfidat, shqiptarët kanë luftuar me dinjitet dhe ambicie. Në media dhe filmat e huaj nuk mungojnë rastet ku shqiptarët diskutohen për një imazh negativ. Është pikërisht iniciativa e Albanian Excellence që merr përsipër të paqyrojë imazhin e shqiptarëve dinjitozë dhe plot suksese në vendet ku jetojnë, historitë e të cilëve jam e sigurt se do të admirohen nga cilido që do të lexoj faqet e këtij libri, madje edhe do të frymëzohet.