-Konferenca e Ambasadorëve vazhdoi sot në Prishtinë, në ditën e tretë: Në adresën e shtetit të Kosovës kanë ardhur 113 njohje nga 183 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Duke i parë të gjitha mundësitë e saja, Republika e Kosovës ka një shtrirje jo të vogël të diplomacisë së saj, ku këtu mund të përmendim 25 misionet diplomatike, 27 konsullata dhe disa seksione konsullore të cilat i mbulojnë edhe 24 shtete tjera jo-rezidente/
PRISHTINË, 21 Dhjetor 2016-B.Jashari/ Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vazhdoi sot në Prishtinë, në ditën e tretë, punimet e Konferencës së Katërt të Ambasadorëve, ku u theksua se diplomacia kosovare synon shtrirjen globale. Panelistë të shumë kanë diskutuar sot për njohjet diplomatike, mësimet e nxjerra dhe pritjet, diplomacinë multilaterale, përfitimet nga anëtarësimet dhe aplikimet e reja, rolin e diplomacisë parlamentare në promovimin e vendit dhe diplomacinë e qyteteve, intensifikimin e kontributit.Sa i përket njohjeve diplomatike, zëvendësministri kosovar i Punëve të Jashtme, Emanuel Demaj ka theksuar se shtrirja globale e shteteve që e kanë njohur dhe kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Republikën e Kosovës, pavarësisht faktorëve të ndryshëm interferues, ka pësuar rritje që nuk guxon të nënvlerësohet.“Në adresën e shtetit të Kosovës kanë ardhur 113 njohje nga 183 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Duke i parë të gjitha mundësitë e saja, Republika e Kosovës ka një shtrirje jo të vogël të diplomacisë së saj, ku këtu mund të përmendim 25 misionet diplomatike, 27 konsullata dhe disa seksione konsullore të cilat i mbulojnë edhe 24 shtete tjera jo-rezidente”, ka thënë zëvendësministri Demaj.Për faktorizimin e shtetit të Kosovës ka folur edhe ish presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu. Ai ka theksuar nevojën e intensifikimit të diplomacisë kosovare me qëllim të mposhtjes së propagandës serbe karshi politikës së jashtme të Kosovës.Njohja e diplomatike e Kosovës është vlerësuar proces me sfida edhe nga ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu. Ai ka thënë se sa më shumë njohje që të kemi presioni do të jetë më i madh tek vendet që e bllokojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.Nga ana tjetër ish ambasadori i Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Dimitris Moschopoulous është shprehur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga shtetet që nuk e kanë njohur ende, duke e përfshirë edhe Greqinë, do të ishte një e mirë e përgjithshme.Për njohjen e Kosovës nga pesë shtetet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën ka folur edhe Milan Nic, drejtor i Programit për Evropë – Instituti Globsec për Politika në Sllovaki. Ai ka theksuar se mosnjohja e Kosovës nga këto pesë shtete është çështje e brendshme e politikës së shteteve përkatës. Por, ka shtuar se pavarësisht kësaj Kosova përmes krijimit të raporteve të bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme si kulturë, medie sociale, shoqëri civile mund të avancojë në raportet ndërmjet shteteve.Në panelin e radhës është diskutuar për diplomacinë multilaterale, përfitimet nga anëtarësimet dhe aplikimet e reja. Me këtë rast zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj ka theksuar se qëllimi ynë është si ta vendosim Kosovën në një pozicion më të avancuar, më të njohur në glob dhe më të respektuar. Për rolin e diplomacisë në promovimin e vendit pikëpamjet e tij i ka paraqitur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Duke folur për rolin e diplomacisë parlamentare në promovimin e vendit, Veseli ka theksuar se nga viti në vit Republika e Kosovës është duke e konsoliduar, zgjeruar dhe profesionalizuar diplomacinë e saj. Por ka thënë se, “duhet të punojmë edhe me më shumë përkushtim që vendi ynë të marrë vendin e merituar në bashkësinë e shteteve të lira dhe sovrane”.Për këtë çështje kanë diskutuar edhe ish ministra dhe deputetë nga vendi, Republika e Shqipërisë dhe Kroacia. Punimet e konferencës për ditën e sotme janë mbyllur me diskutimet e kryetarëve të komunave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia ku është folur për intensifikimin e kontributit të qyteteve në marrëdhëniet me jashtë.Ministria kosovare e Punëve të Jashtme ka hapur në mbrëmjen e 19 dhjetorit në Prishtinë punimet e Konferencës së katërt të Ambasadorëve të Republikës së Kosovës, e cila do të zgjasë deri në 23 dhjetor, në angazhimet që të ketë koordinim, kontinuitet dhe koherencë në atë se çfarë duhet të ndiqet në vitin 2017.
Diplomacia edhe për mbështetjen e Kosovës në dialogun e Brukselit/
-Ministrja për Dialog, Edita Tahiri: Qeveria e Kosovës ka bërë të qartë se dialogu i Brukselit duhet të përfundojë me njohjen reciproke mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, para pranimit të tyre në Bashkimin Evropian, rezultat ky që duhet të mbështetet nga të gjitha vendet e anëtare të Bashkimit Evropian, me qëllim të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë/
PRISHTINË, 21 Dhjetor 2016-Gazeta DIELLI/ Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, tha se diplomacia është shfrytëzuar edhe për marrjen e mbështetjes ndërkombëtare për qëndrimet e qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, mes Prishtinës dhe Beogradit.“Bashkëpunim të veçantë kemi zhvilluar me qeverinë amerikane dhe ambasadën amerikane në Kosovë, pastaj me Gjermaninë, Austrinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë vende tjera”, theksoi ajo.Qeveria e Kosovës, vijoi ministrja, ka bërë të qartë se dialogu i Brukselit duhet të përfundojë me njohjen reciproke mes dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë, para pranimit të tyre në Bashkimin Evropian, rezultat ky që duhet të mbështetet nga të gjitha vendet e anëtare të Bashkimit Evropian, me qëllim të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe Evropë.“Dialogu nuk ka qenë i kursyer nga obstruksionet e Serbisë. Ky dialog nuk po mund t’ju shpëtoi edhe ndikimeve të axhendave gjeopolitike që po vijnë nga shtete joperëndimore e në veçanti nga Rusia, e cila është shfaqur shumë agresive në këtë drejtim”, tha Tahiri.Sido që të jetë, vijoi ministrja, qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e kanë pranuar këtë dialog për disa arsye.“Së pari në çdo proces pas luftës vjen paqja, derisa luftën e bëjmë vet për çlirim e pavarësi, paqen duhet bërë me armikun, e ky nuk është vetëm shembull për Kosovën por me të gjitha vendet që kanë kaluar luftën”, tha Tahiri duke theksuar si shembull rastin e Gjermanisë dhe Francës. Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, foli në panelin me temën “Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e vështira me Serbinë” në Konferencën e Katërt të Ambasadorëve të organizuar në Prishtinë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës./b.j/