Ngjarjet e ndodhura në fundjave në ndeshjen Bylis – Laçi e luajtur në qytetin e Ballashit kanë qenë fatale për ekipin e Bylisit. Komisioni i Disiplinës vendosi që ta zbresë një kategori më poshtë ekipin e presidentit Besnik Kapllanaj i cili ishte shpallur në kërkim dhe sot në mëngjes u vetëdorëzua në polici ku më pas dha dhe dorëheqjen nga president i Bylisit. Bylis kështu nuk do të ketë më mundësinë të luajë në Superligë.
Ja vendimet: 1. Ekipi i KF “Bylis”, për dështim në organizimin e ndeshjes dhe permbushjen e përgjegjesive bazuar ne nenet 29, 64 dhe 65.2 te KDS, dënohet me përjashtim nga kampionati dhe zbritjen një kategori më poshtë, si dhe humbjen e ndeshjes në tavoline me KF “Laci “ me rezultatit 3-0. 2. Zyrtari i KF “Bylis”, Besnik Kapllanaj, për dhune fizike ndaj zyrtareve të ndeshjes me pasoja të renda për shëndetin, përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet sportiv bazuar në nenin 49.2/b te KDS.
Vendimi i Komisionit të Disiplinës për të zbritur Bylisin në një kategori më poshtë ka favorizar ekipet të cilat kishin në kalendar përballje me ekipin ballshiot, pasi këtyre ekipeve do t’u dhurohet automatikisht fitorja 3-0 në tavolinë. Bylis ishte parashikuar të luante të shtunën në Korçë kundër Skënderbeut por nga vendimi i marrë sot ndeshja nuk do të zhvillohet dhe korçarët do të marrin fitoren 3-0 në tavolinë. E njejta gje do të ndodhë edhe me ekipet e tjera që kalendari u ka rezervuar Bylisin si kundërshtar.
Kjo është e vlefshme vetëm për ekipet që do të ndeshen në vazhdim pasi takimet që janë luajtur deri tani do vazhdojnë të ngelen me po ato statistika që janë shënuar nëpër përballjet mes ekipeve.