Alfons Grishaj*/
*Fjala e mbajtur në Teqenë e Bektashiane me rastin e 112 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Të nderuar klerikë, Baba Eliton (Zoti i shtëpisë), Myfti Ledion Cikalleshi, Bilal Demneri-Kryetari i Këshillit Xhamisë, Mondi Rakaj – Kryetari Degëve të Federatës Pan-shqiptare Vatra. Të dashur motra dhe vëllezër Vatranë dhe besimtarë të Teqesë Bektashiane Taylor, në emër të Vatrës, respektivisht Kryetarit Berisha, dhe në emrin tim,ju uroj nga zemra Ditën e Flamurit! Pas shekujsh robëri, Dita e Mvetësisë, çliron dhe dalton kulmin e historisë popullit tonë. Dita e Pavarësisë u dha shqiptarëve mundësinë për të krijuar shtetin e tyre, ku patriotët e mëdhenj, burrat e mençur shqiptarë shfrytëzuan momentin shpërbërjes Perandorisë Osmane, lëngimin e saj që përpëlitej në grahmat e fundit të ekspancionit dhe lavdisë ngritur me zjarr e hekur.
Disa muaj para se të formohej shteti i parë shqipëtar…me, 28 Prill 1912, u krijua (nga mendimtarë të mëdhenj Noli-Konica), Federata Pan-Shqiptare Vatra, duke shënuar kështu një kthesë të madhe historike. Për mendimin tim, kjo ngjarje, si dhe luftërat e malësorëve të veriut me Dedë Gjoluli, Isa Boletinin etj…i paraprinë themelimit shtetit parë shqiptar, udhëhequr nga Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi me shokë…Për të ngritur flamurin në Vlorë, u mblodhën dyzet delegatë nga të gjitha anët me në krye Ismail Qemalin. Çakejt e Turqisë, Serbisë, Italisë dhe Greqisë, ishin të pafuqishëm për t’a ndalur uraganin e thirrjes madhe kombëtare.
Akti i Shpalljes Pavarësisë, shkrojtur në shqip nga Luigj Gurakuqi (diktuar nga Ismail Qemali), u firmos nga 40 firmëtarë. Në faqen e parë, firmosën 34 anëtarë me në krye, Ismail Qemali, Dom Nikoll Kaçorri, Haxhi Vehbi Dibra etj…Në faqen prapa, firmosën gjashtë firmëtarë, ku ndër to dhe Mustafa Kruja.
Pse u la dita e Shpalljes Pavarësisë me, 28 Nëntor 1912, dhe nuk u la për një datë tjetër? Burrat e mëdhenj shqiptarë e fiksuan këtë datë për të evokuar legjendën e Kastriotit, që me, 28 Nëntor 1443, ngriti flamurin në Krujë,flamur që u bë simboli i identitetit shqiptar në shekuj. Të gjithë heroizmat u bënë nën valvitjen e këtij flamuri. Të gjitha betejat për liri patën mbulojë e frymëzim flamurin kombëtar. Dardania luftoi për këtë flamur dhe e mbrojti me gjak. Viti 1968, shënoi kulmin e shpërthimit të demonstratave në Dardani. Dobrica Qosiq, ulurinte: “Po ua lejuam flamurin, ata do të kërkojnë republikën, shtetin dhe madje bashkimin me Shqipërinë.” Flamuri kombëtar i parapriu betejave të UÇK-së. Ky flamur është hapur anë e kënd planetit, duke bashkuar shqiptarët kudo, si dhe neve sonte në këtë tempull të shenjtë që u themelua nga patrioti i madh dhe besimtari mistik, Baba Rexhepi.
Jo rastësisht, ne do shohim që në Deklaratën e Pavarësisë, pas Ismail Qemalit, janë dy figura emblematike fetare: Dom Nikoll Kaçorri dhe Myfti Vehbi Dibra (Kryetar i Parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë), ku më vonë nën përkujdesjen e të madhit, Imam Vehbi Ismaili, u mblodhën shkrimet e legjendës Dibra, duke parë dritën e botimit në Michigan, me titullin, “Ç’urdhëron Kurani?” Pra, populli shqiptar me mëkëmbësit e Zotit në tokë (që ishin dhe patriotë), udhëhequr nga liderë civilë atdhetarë, ditën t’a gjejnë rrugën mvetësisë që ne e festojmë me kaq gëzim e krenari. Kjo është dhe një përgjigje për nacionalistët e shartuar në komunizëm, të cilët pyesin: “Ç’u duhet institucioneve fetare të merren me Ditën e Flamurit?”
Por, siç e dimë të gjithë, shejtani ka fytyrën e njeriut! Fetë janë bosht i qytetërimeve në themelimin e shteteve, siç janë të theksuara dhe në kushtetutën e parë të shkruar në botë: Kushtetuta Amerikane. Injorantët e internetit dhe pse mund të jenë shkolluar, janë defiçitarë në pregaditjen e tyre intelektuale. Bash këta humbës të mëdhenj shpirtëror dhe intelektual, mundohen që boshllëkun shpirtëror, injorancën e lindur t’ua implementojnë tjerëve si bosht arsyeje dhe progresi?!
Shqiptarët nuk janë ashtu siç i përshkrovi një bejtaxhi nga ndonjë nevojtore mediatike shqiptare, i cili shprehet: “Shqiptarët nuk kanë fe, por vetëm interesaxhinj ku mund t’a ndryshojnë fenë sa herë t’u lypet nevoja!” Unë i përgjigjem këtyre shëmtirave mediatike: feja nuk qëndron në prehërin e internacionalizmit proletar, sepse aty qëndrojnë varrmihësit e besimit, shpikësit ateizmës, shkatërrimtarët e të bukurës dhe hyjnores.
Brenda feve abrahamike, ka një të vërtetë të pakontesueshme: ka vetëm një Baba!
Ai është Abrahami (Ibrahimi). Nuk është rastësi, që fetë abrahamike janë rreth katër miliard e kusur…Prandaj, shqiptarët e kanë kuptuar më bukur se askush tjetër në botë formulën e Zotit, formulën e bashkëjetesës dhe paqes. Ndaluni për një moment dhe mendoni…si po përhapet shqiptarizma dhe flamuri saj nëpër botë…sikur të ishim 300 milionë shqiptarë! Shikoni në çdo trevë, flamuri shqiptar ka kapërcyer hipokrizinë politike të liliputëve të rastit që na servirin paçavure në beze! Vëllezër dhe motra, pa dyshim, ky është bekimi i Zotit! Rrufjanët po tërbohen dhe kërkojnë t’a bëjnë sorrën pëllumb të paqes, për t’a larguar fronin e shqiptarit nga Zoti.
Po ua përsëris me plot gojë: askush nuk mund t’a ndalë kombin më të vjetër të planetit të rifitojë fronin e vet të harruar, sepse ky është vullneti i Zotit! Prandaj tradhëtarët e vegjël që nuk njohin fe e atdhe, që mbeten peng i territ dhe sajesave ireale, i siguroj se, besimi dhe patriotizmi i vërtetë i ka vënë dhe do i vë përfundi hipokrizinë, patriotizmin e rremë, ateizmin e tyre të shëmtuar. Ngaqë janë njerëz që nuk njohin rregulla hyjnore e civilizuese, që nuk njohin hierarki, brum shoqëror, biles, as nënë dhe baba, janë të destinuar të ngelen përjetë, specie inferiore!
Vëllezër e motra, sot ne përkulemi me nderimin më të madh para kolosëve të vërtetë atdhetarë e fetarë që valvitën flamurin e identitetit kombëtar në Vlorë!
Siç dihet, luftërat për liri e demokraci nuk bëhen vetem, prandaj në këtë përvjetor të flamurit, gjej momentin të kujtoj dhe falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi të rinj dhe të vjetër si: Kolec Ndoja, Mondi Rakaj, Dritan Mishto, Elmi Berisha, Col.Dritan Demiraj, Kujtim Qafa, SimonQafa, Besim Malota, Ekrem Bardha, Dom Fran Kola, Franz Llesh Grishaj, Julian Çefa, Imam Shuajb Gërguri, Baba Eliton Pashaj, Mynyr Nazifi, Toni Kastrati, Mehmet Kadria, Skënder Myrtezani, Gëzim Nika, Adem Malellari, Iris Halili, Ruki Kondaj, Mirela Kanini, Novruz Nazarko, Eduard Aliko, Sokol Paja, Eduard Aranitasi, Paulin Marku, At Theofan Koja, Ylli Dosku, Milaim Tahiri, Ndrek Tonaj, Rafael Floqi, Gani Vila, Efi Qeleshi, Gjon Buçaj, Genc Kortça, Pashko Camaj, Paulin Mernaçaj, Drita Vushaj, Marjan Cubi, Ilir Cubi, Zef Balaj, David Balaj, Bashkim Musabelliu, Tasim Ruko, Anton Raja, Mons.AngeloMasafro, Kujtim Funiqi, Gjok Deçkaj, Dritan Haxhia, Dom Ndue Gjergji, Dom Fred Kalaj, Thanas Gjika, Ben Pllumi, Dalip Greca, Elio Ahmetaj, Mentor Maksutaj, Nusret Pllana, Ela Prifti, Naum Prifti, Naser Rugova, Endri Filipi, dhe gjithë vatranët në përgjithësi…Dhe në veçanti, falemnderoj vëllaun tim (në Parajsë) Eduard Grishaj, dhe gruan time Mirela Grishaj, që prej mëse 30 viteve më kanë përkrahur, duke qenë pothuajse në të gjitha momentet kyçe, dramatike e gëzime!
Lavdi heronjve që luftuan dhe luftojnë për këtë flamur që hijeshon alemin!
Rroftë populli shqiptar I kudondodhur !
Rroftë Vatra!
Ju faleminderit për ardhjen dhe Zoti ju bekoftë të gjithëve!