
Shani Pnishi/
Dy ambasadat tona në Kanada, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës kanë bashkëorganizuar aktivitetin me rastin e 7 marsit- Ditës së Mësuesit dhe 8 marsit- Ditës Ndërkombëtare të Gruas në kryeqytetin kanadez, Ottawa. Kjo ngjarje mblodhi në një ambient festiv mësuese të gjuhës shqipe, gra dhe vajza aktiviste shqiptare nga qytetet e Montrealit dhe Ottawa-s.Në postimin e ambasadës shqiptare në faqen e saj në Facebook ndër të tjera thuhet: “Aktiviteti gjatë së cilit u pasqyrua edhe ekspozita fotografike ‘Roli i gruas në zhvillimin e shoqërisë shqiptare’, shërbeu për të evidentuar dhe ritheksuar bashkërisht vlerësimin ndaj kontributit të vyer të mësuesve dhe rolit aktiv e tejet të rëndësishëm të gruas shqiptare në jetën komunitare, për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës shqipe, si edhe promovimin e vlerave kombëtare shqiptare dhe forcimin e lidhjeve me Kanadanë”.Në njoftimet e shpërndara nga dy ambasadat theksohet se ata përcollën mirënjohjen institucionale për shkollën dhe mësueset e gjuhës shqipe në Otava, si edhe për znj. Lumturi Bejkosalaj, e cila njihet familjarisht për kontributin e saj të hershëm në veprimtarinë komunitare në kryeqytet.Krahas zonjave nga Ottava dhe Montreali që ishin të pranishme në ngjarjen e organizuar, përmes videomesazheve të urimit për të pranishmit, disa zonja me kontribut të çmuar në aktivitetin komunitar dhe mësimdhënien e gjuhës shqipe nga Toronto, Calgary, Vancouveri, Londoni dhe Kitcheneri. Duke përjetuar edhe ngjarjet e fundit në Ukrainë, një moment i veçantë iu kushtua shprehjes së solidaritetit njerëzor me gratë, vajzat dhe popullin ukrainas. Të pranishëm ishin edhe dy ambsadorët, ai i Shqipërisë Ermal Muça dhe ai i Kosovës Adriatik Kryeziu, të cilët përgëzuan gratë shqiptare për punën dhe angazhimin e tyre në komunitet.Ndërkohë në disa qytete të mëdha të Kanadasë këto ditë, kur edhe po përjetohen ditët e para të lehtësimit të masave të pandemisë COVID-10, ka nisur edhe ringjallja e aktiviteteve në komunitet. Paralelisht me organizimin në kryeqytet, Shoqata Shqiptare e Hamiltonit organizoi Mbrëmjen e saj tradicionale të 8 Marsit, duke mbledhur rreth 700 gra nga krahina e Ontarios dhe më gjerë, që është ndër organizimet më masive të grave shqiptare në Kanada.