
Prof. Xhafer Beqiraj/
Sot, më 17 Shkurt, ne përulemi me nderim dhe me vetëdije të thellë para një dite që shënon kulmin e një rrugëtimi të gjatë e të mundimshëm, një rrugëtimi që kaloi nëpër sprova të rënda, nëpër dhimbje të thella, nëpër sakrifica të mëdha dhe nëpër një qëndresë të pandërprerë për liri e dinjitet. Dita e Pavarësisë së Kosovës nuk është thjesht një datë e shënuar në kalendarin shtetëror; ajo përbën përmbylljen e një periudhe të gjatë e të vështirë të historisë sonë të dhimbshme dhe, njëherësh, pikënisjen e një përgjegjësie të re shtetërore e kombëtare. Sepse liria që u fitua me shumë sakrificë nuk është vetëm arritje për t’u kremtuar, por amanet për t’u ruajtur dhe detyrim për t’u forcuar çdo ditë.
Ne, shqiptarët kudo në Ballkan, jemi të një gjuhe, të një historie e të një gjaku dhe pikërisht kjo përkatësi e përbashkët shpirtërore e etnike na ka mbajtur gjallë ndër shekuj, ndonëse padrejtësitë historike ndaj kombit tonë qenë të shumta, të rënda dhe të përsëritura. Që para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, e edhe pas saj, trojet shqiptare u copëtuan padrejtësisht, ndërsa populli ynë mbeti i ndarë në kufij të imponuar. Këto padrejtësi vijuan gjatë shekullit XX dhe ndaj Kosovës morën trajtë të organizuar e sistematike gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë, duke u shndërruar në politikë shtetërore të mohimit të të drejtave kombëtare dhe të kufizimit të lirisë kolektive të shqiptarëve.
Megjithatë, historia jonë nuk është vetëm rrëfim vuajtjesh, ajo është dëshmi e qëndresës së një populli që nuk e humbi kurrë ndërgjegjen për identitetin e vet. Gjuha, kultura, arsimi dhe tradita shqiptare mbetën shtyllat që e ruajtën vetëdijen kombëtare edhe atëherë kur pushtetet ndryshonin dhe kufijtë lëviznin. Këto vlera, të trashëguara me përkushtim brez pas brezi, u shndërruan në themel të qëndresës sonë kombëtare dhe në burim të pashtershëm të idealit për liri.
Kjo vetëdije e organizuar politike do të shtrihej më pas në përmasa më të gjera shoqërore. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, shqiptarët e Kosovës nuk qëndruan të heshtur përballë padrejtësive, por e shprehën pakënaqësinë e tyre përmes demonstratave të njëpasnjëshme: në vitin 1968 për barazi dhe kushtetuetë; në vitin 1981 për republikë dhe dinjitet kombëtar; në vitet 1988–1989 kundër heqjes së autonomisë; në periudhën 1990–1996 në formë rezistence institucionale paqësore; si dhe në vitin 1997 kundër represionit e dhunës sistematike. Këto lëvizje nuk qenë reagime të rastit, por vazhdim logjik i një ndërgjegjeje kolektive që kërkonte liri, barazi dhe vetëvendosje.
Pas një periudhe të gjatë rezistence paqësore, më 28 Nëntor 1997 doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke shënuar kështu kthesën vendimtare në rrjedhën e çështjes sonë kombëtare. Ndërkaq, kulmi i dhunës shtetërore ishte shënuar pas vitit 1989 kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit vendosi një sistem represiv e terrori mbi popullin shqiptar. Vitet 1990–1999 përbëjnë një nga periudhat më të errëta të historisë sonë, gjatë së cilës u shkelën të drejtat themelore njerëzore, u mbyllën shkolla e institucione, u larguan nga puna mijëra qytetarë dhe u ushtrua dhunë sistematike ndaj popullsisë civile.
Më 5 mars 1998, në Prekaz, sakrifica e Adem Jasharit me familjen dhe bashkëluftëtarët e tij e shndërroi rezistencën në simbol të përjetshëm të lirisë. Kryengritja çlirimtare kishte në themelin e saj një ideal të vetëm – lirinë. Sepse liria nuk është vetëm aspiratë kombëtare, ajo është vlera më e lartë e dinjitetit njerëzor dhe themeli mbi të cilin ndërtohen demokracia dhe e drejta e popujve për vetëvendosje.
Krimet e viteve 1998–1999 arritën përmasa gjenocidale, duke lënë pas mijëra të vrarë, të zhdukur e të dëbuar. Mirëpo, përballë kësaj dhune, qëndresa u bë vendimtare dhe lufta çlirimtare e UÇK-së, e ndërthurur me ndërhyrjen e NATO-s në pranverë të vitit 1999, solli çlirimin e Kosovës dhe hapi rrugën drejt shtetformimit.
Më 17 Shkurt 2008 u kurorëzua juridikisht dhe politikisht ajo që ndër dekada ishte kërkuar me protesta, ishte mbrojtur me qëndresë dhe ishte paguar me gjak. Kosova u bë shtet, por, mbi të gjitha, Kosova u bë përgjegjësi për të gjithë ne.
Në këtë kuptim, universitetet dhe rinia jonë kanë sot një rol të pazëvendësueshëm. Sepse pikërisht këtu, në hapësirat e dijes dhe të mendimit kritik, ndërtohet e ardhmja e shtetit. Një komb që investon në dije, ndërton të ardhmen; një komb që nderon dijen, forcon lirinë; një komb që kultivon mendimin e lirë, ruan dinjitetin e vet historik.
Në këtë përvjetor, ndërsa nderojmë sakrificën e atyre që e bënë të mundur lirinë, nuk mund të heshtim përballë asaj që e konsiderojmë padrejtësi historike. Ne e shohim si të tillë gjykimin që sot po u bëhet ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit; sepse ata u ngritën në mbrojtje të popullit të rrezikuar nga dhuna dhe spastrimi etnik i shtetit serb në krye me kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin. Si rrjedhojë, drejtësia ndërkombëtare nuk mund të barazojë qëndresën me agresionin e gjenocidin dhe as të tjetërsojë luftën çlirimtare nga konteksti i saj kombëtar e historik. Drejtësia e vërtetë duhet të mbështetet mbi tërësinë e fakteve dhe mbi të vërtetën historike. Andaj, sot, më 17 Shkurt, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, mbështetja qytetare për çlirimtarët është shprehje e dinjitetit dhe e ndërgjegjes sonë kombëtare e historike. Drejtësia duhet të mbështetet mbi të vërtetën e plotë, jo mbi padrejtësinë që u bëhet çlirimtarëve tanë në Hagë.
Dhe sot, më shumë se kurrë, na duhet unitet në vizion, maturi në veprim dhe përgjegjësi në ndërtim. Sepse vetëm një popull që e nderon sakrificën e gjakun e derdhur për liri, që e mbron të vërtetën dhe që e ndërton shtetin mbi drejtësi e mbi dije, mund ta ruajë lirinë e vet të përjetshme.
Le ta duam Kosovën jo vetëm me fjalë, por me punë.
Le ta ndërtojmë jo vetëm me emocione, por me përgjegjësi.
Le ta mbrojmë jo vetëm në kujtesë, por në çdo veprim tonin të përditshëm.
Lavdi dëshmorëve të lirisë!
Nderim për të gjithë ata që sakrifikuan për këtë ditë!
Urime Ditën e Pavarësisë së Kosovës!
Qoftë e përjetshme liria e saj!