–Kryekuvendari Konjufca: Serbia po i mbanë të fshehura varrezat masive me trupat e shqiptarëve
-Në Kosovë 27 Prilli është Dita e të Pagjeturve, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të më shumë se 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para 22 viteve/
-Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve/
-Kryeministri Albin Kurti, në homazhet që i bëri te Memoriali për të Pagjeturit së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se sot po shënohet edhe 22 vjetori i masakrës së Mejës, që është një dëshmi tjetër e gjenocidit të Serbisë në Kosovë/
PRISHTINË, 27 Prill 2021-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ “Të zhdukurit me dhunë duhet të duken në përgjegjësinë institucionale dhe në aktivitete qytetare. Të gjithë ata na mungojnë, të gjithëve na mungojnë, sidomos familjeve të tyre, por jo vetëm familjeve, i mungojnë shoqërisë, popullit, shtetit tonë, i mungojnë të ardhmes tonë”, kështu u shpreh kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë nderimeve te Memoriali për të Pagjeturit, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Pagjeturve.
Kryeministri Kurti, në homazhet që i bëri te Memoriali së bashku me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se sot po shënohet edhe 22- vjetori i masakrës së Mejës, që është një dëshmi tjetër e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
E vërteta është përpjekur të varroset në Batajnicë, në Peruçac e në varrezat e tjera masive nëpër fusha, male, liqene mirëpo ju e dini se ajo u rishfaq sepse nuk mund të shtypet e ndrydhet përjetë e vërteta. Ajo e nxjerr kokën, ajo del dhe shqiptari i vrarë, i masakruar, i varrosur, i zhvarrosur, i transportuar, i varrosur në Serbi, i zhvarrosur sërish, është ajo e vërtetë e cila nuk rri nën ujë e as nën tokë”, veçoi kryeministri Kurti.
Prandaj në raport me Serbinë e për hir të së ardhmes sonë dhe të historisë sonë, Kryeministri Kurti tha se ne duhet të bëhemi bashkë dhe ta kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës edhe në institucionet tona dhe në secilën pozitë që mbajmë.
“Unë ju falënderohem dhe ju jam mirënjohës familjeve të cilët kurrë nuk e ndalën aktivitetin e tyre nëpër protesta, nëpër peticione, në borë e në shi, në vapë e në acar, dhe me lot në sy prisnin eshtrat e më të dashurve të tyre, për të cilët nuk ishin të sigurt se a janë njëmend të tyre. Andaj, kjo lloj dhimbje që është më shumë ankth sesa pikëllim duhet të marrë fund dhe për këtë zotohemi ne”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.
Në Kosovë 27 Prilli është Dita e të Pagjeturve, që shënohet me mesazhe për zbardhjen e fatit të më shumë se 1600 personave që ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e përfunduar në Qershorin e para 22 viteve.
Në Mejë, në Lëndinën e Pikëllimit, para 22 viteve, në 27 Prill 1999, forcat serbe masakruan e zhdukën 377 shqiptarë që i rrëmbyen nga kolona e refugjatëve.
Asnjëri nga të ndaluarit në rrethimin e hekurt të kolonës së civilëve nuk kishte arritur të dilte i gjallë. Ajo ishte një nga kolonat e shumta të spastrimit etnik, të rreth 1 milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova, shumica drejt Shqipërisë.
Sipas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, në vitet 1998-99 forcat serbe me motive gjenocidale kanë vrarë e masakruar mëse 12 mijë civilë shqiptarë, ndërsa menjëherë pas luftës Kryqi i Kuq Ndërkombëtar evidenconte më shumë se 6.000 të zhdukur.Kosova vazhdon të kërkojë zbardhjen e fatit të qytetarëve të saj të zhdukur dhe me këtë mesazh fotografitë e të pagjeturve janë vendosur e rivenodur gjatë viteve nga familjarët në rrethojat e Kuvendit e Qeverisë kosovare dhe te Obelisku i të Pagjeturve i ngritur aty në sheshin kryesor të Prishtinës.
Kryekuvendari Konjufca: Serbia po i mbanë të fshehura varrezat masive me trupat e shqiptarëve
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, në Ditën Kombëtare për Persona të Zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule te memoriali për persona të zhdukur, para objektit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryekuvendari Konjufca tha se të gjitha masakrat që Serbia i ka kryer në Kosovë janë akte të gjenocidit, duke shtuar se nuk mund të ketë qetësi as për të rënët e as për familjarët e të zhdukurve nëse drejtësia nuk shkon në vend.
Kryetari i Kuvendit theksoi se janë autoritetet shtetërore serbe ato që po i mbajnë të fshehura shumë prej varrezave masive, ku prehen trupat e shqiptarëve, të cilët u rrëmbyen gjatë luftës nga regjimi policor dhe ushtarak serb.
“Në Serbi ka me dhjetëra varreza masive me trupat e shqiptarëve, që janë gjetur edhe pas luftës, si në Rudnicë, Rashkë, Kizhevak, në liqenin e Peruçacit e në shumë lokacione të tjera. Mirëpo, shumë prej atyre varrezave ende nuk janë zbuluar, sepse Serbia i mbanë të fshehura dhe ato mund t’i dinë vetëm autoritetet shtetërore të Serbisë. Shteti serb është përgjegjës për gjenocidin dhe të gjitha vuajtje e krimet që ia shkaktoi popullit shqiptar gjatë luftës së viteve 1998-1999”, tha kryekuvendari Konjufca.
Kryetari i Kuvendit para familjarëve të të zhdukurve u zotua se si institucione të Republikës së Kosovës, përveç nderimeve, do të bëjnë çmos që drejtësia të vihet në vend.
“Nuk mund të ketë qetësi pa drejtësi në Kosovë”, nënvizoi z.Konjufca.
Edhe presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti theksuan dosmodoshmërinë e vendosjes së drejtësisë për të gjitha krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.
Kryekuvendari Konjufca, sot, bëri homazhe në nderim të të rënëve edhe në kompleksin memorial në Mejë të Gjakovës.