
Në Kensico Dam Plaza, Qendra Nënë Tereza e Famullisë Zoja e Shkodrës dhe zyra e Parqeve të Qarkut Westchester organizuan një festë madhështore në nder të trashëgimisë kulturore shqiptare në Amerikë. Nën kujdesin e veçantë të Dom Pjeter Popaj famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, festivali i trashëgimisë shqiptare si një pasuri dhe identitet i pastër kombëtar shqiptar, traditë e moçme shqiptare, kulturë, muzikë, këngë e valle shqiptare të gërshëtuara me sport si garat në futboll, volejboll, shah e lojëra të tjera, guzhinë shqiptare e gëzim të ëmbël shqiptar, shënuan një festë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Drejtuesi kryesor i veprimtarisë artistike dhe kulturore Fran Çotaj bashkë me koreografe Agjelina Nika “Mjeshtër i Madh” Grupin Rozafati, këngëtarët Gerona Hyska, Edmond Nikolla, Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh” të shoqëruar nga Dritan Papa dhe DJ Edi e kthyen festivain në një festë magjike për të gjithë të pranishmit. Mark Gjonaj dhe Vedat Gashi e vlerësuan këtë aktivitet si për nga pjesëmarrja dhe mesazhet që përcjellin për shqiptarët në mbarë trevat shqipfolëse. Dom Pjetër Popaj në fjalën e rastin vlerësoi Festivalin e Trashëgimisë Shqiptare për traditën që ruan, për vlerat që trashëgon dhe mbi të gjitha për kënaqësitë dhe krenarinë që i fal çdo të pranishmi. Dita e trashëgimisë shqiptare është kthyer në një festival mbarëkombëtar shqiptar që ruan dhe përjetëson kulturën shqiptare në Amerikë.