Rafaela Prifti/
Kryebashkiaku i Nju Jorkut Eric Adams dha një pritje të titulluar Dita e Trashëgimisë Shqiptare për përfaqësues të bashkësisë shqiptare dje pasdite në rezidencën zyrtare të tij në verilindje të qytetit, Gracie Mansion. Për rreth dy orë në sallat e pritjes së ndërtesës, e cila është monument kulture, qeveritarë shqiptarë, deputetë, nëpunës të bashkisë së Nju Jorkut, anëtarë të trupit diplomatik shqiptar, biznesmenë, zyrtarë e përfaqësues të shoqatave shqiptare shijuan mbrëmjen si dhe shkëmbyen urime për festën e pavarësisë, e cila u kremtuar në tubime e darka gjatë fundjavës së kaluar.
Dita e Trashëgimisë Shqiptare i kushtohej vlerave për të cilat shqiptarët krenohen historikisht si besa dhe mikpritja, thanë folësit që përshëndetën të pranishmit si Deputetja dhe Senatoja e zgjedhur e Nju Jorkut, Natalia Fernandez. Por për shqiptarët e ardhur këtu si edhe një brez i tërë shqiptar-amerikan, që janë “vendali” aktiviteti i dha mundësinë të ndihen në nivelin e shumë komuniteteve të tjera të qytetit të madh. Për Djellza Pulatanin, studente aktiviste në Fordham University, nata e mbrëmshme duhet të jetë “gurthemeli për përfaqësimin më të gjerë të shqiptarëve në sferën politike.” Midis mysafirëve nga trojet etnike të pranishëm ishin Deputi i Parlamentit të Shqipërisë Shpëtim Idrizi, Kryetar i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj, Zëvendës Kryetar i Komunës së Tuzit Ivan Ivanaj, Ministri ii Administratës Publike Marash Dudaj, Presidenti i Këshillit Kombëtar Shqiptar i Malit të Zi Faik Nika e të :
Mark Gjonaj, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, ish-deputet i Asamblesë së Nju Jorkut dhe promotor për cështjen shqiptare, riafirmoi mbështjetjen e shqiptarëve për Kryebashkiakun Eric Adams, i cili u zgjodh në detyrë nëntorin e kaluar. Duke e quajtur Nju Jorkun “kryeqytetin e shqiptarëve në Amerikë” për shkak të rreth 100,000 shtetasve që banojnë këtu, Adams ritheksoi se ky është vendi “që inkurajon ruajtjen e trashëgimisë etnike në bashkëjetesë me kulturën amerikane.”
Valltarët e rinj të grupeve artistike Nora Kelmendi dhe Barbana sollën në sallë tingujt, koreografinë dhe kostumet e veshjet kombëtare që plotësonin tablonë kulturore të mbrëmjes kushtuar trashëgimisë shqiptare.
Kryebashkiaku Adams, i cili një ditë më parë, ishte në ceremoninë e bashkëorganizuar të Vatrës dhe zyrës së tij për ngritjen e flamurit shqiptar me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e vlerërsoi lart kontributin e bashkësisë shqiptare për begatimin e Nju Jorkut sot dhe në të ardhmen.
Dielli do sjell më të plotë reportazhin anglisht.