
-Prej një viti festë zyrtare në Prizren, e vendosur nga Kuvendi i Kumunës/
PRISHTINË, 14 Mars 2018-Behlul Jashari/ Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, në 14 mars, është edhe në Kosovë Dita e Verëzes, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, përfshirë krahinën e pojës në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.
Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, në 14 Mars, është edhe në Kosovë Dita e Verëzes, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, të Zhurit, Vërrinit, përfshirë krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.
Në Kosovë, edhe pse ka ide, ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës të lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. Ndërkohë, Dita eVerëzës – Dita e Vërës prej një viti është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit të Kuvendit të Kumunës.
“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Ne 14 mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.Në mbledhjen e Kuvendi Komunal të Prizrenit në 23 shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, Faik Konica “Ç’është dita e verës?”, ku theksonte se “Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve”.
Në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në një raportim nga Kosova në 14 mars 2012, para 6 viteve, shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime edhe institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.
“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë koordinatori për kulturën në Komunën e Prizrenit, Urim Ukimeri, duke u përgjigjur në pyetjen nëse ka ide a iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.
Në foto arkivi të ATSH të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në borë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht të Agjencisë kombetare-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – Albanian Telegraphic Agency – ATA, për të cilën prej mëse çerek shekulli, nga pranvera 1992, raportoj nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.
Ndërsa, para 22 viteve, në 18 mars 1996, në gazetën e përditshme “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, i dërguar edhe në ATSH dhe që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar, në 19 mars 1996, edhe në gazetën Rilindja që dilte në Tiranë pas ndalimit nga regjimi okupues në Prishtinë, mes tjerash, kam shkruar:
“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.
Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 marsit.
Donon të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrethinë”.
Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes, pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterojnë kurrë, mbledhin bimë a lule, drunj e shkurra dëllinje, dhe ndezin zjarre.
Vezët e ziera e të ngjyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.
Në Ditën e Verëzes zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.
Në drekën e Ditës së Verëzes në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.
Dita e Verëzes festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore.
Në këtë ditë që është e fillit të verës së re, ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat eshtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin, kalimin nga dimri në pranverë.
Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, më të madhin në Kosovë vezët e ziera herët i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.
Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumëta mes të të afërmëve dhe dhe familjarëve.
“Ani mori Verëz moj e lumja Verëz
Ani dita e parë o ani e Pranverës o”.
Këto janë vargje të këngëve që këndohen në këtë festë të Ditës së Verës në Zhur, fshatin e madh të Kosovës afër vendkalimit drejt Shqipërisë në Vërmicë-Morin nëpër Autostradën e Kombit.
Verëzes i këndohet edhe në 13 mars – në mbrëmjen e pragditës së saj, derisa në çdo lagje të fshatit të rinjtë ndezin zjarre “që t’i jepin sa më shumë fuqi Diellit”.