
Nga Frank Shkreli/
27 janari, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, nuk është vetëm një datë për hebrenjtë dhe tragjedinë unike të tyre. Është me të drejtë një kujtesë universale për atë që ka ndodhur kur urrejtja ideologjike, pushteti absolut dhe heshtja kolektive, bashkohen për krime të tilla kundër njerëzimit. Pikërisht, për këtë arsye, kjo ditë fton edhe shoqërinë shqiptare të ballafaqohet me krimet e veta historike – veçanërisht me terrorin sistematik të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaja kundërshtarëve politikë të regjimit të tij sllavo-komunist.
Në mbarë botë e qytetëruar, Holokausti përfaqëson kulmin e së keqes shtetërore: shfarosje e planifikuar, dehumanizim, kampe përqendrimi, zhdukje fizike e morale. Regjimi i Enver Hoxhës nuk kreu Holokaust, por përdori të njëjtën logjikë totalitare: armikun e shpikur, ndëshkimin kolektiv, burgjet politike, kampet e internimit, pushkatimet pa gjyq, shkatërrimin e elitës intelektuale dhe fetare, si dhe kontrollin absolut mbi jetën dhe mendimin e shqiptarëve.
Është absolutisht shumë me vend dhe e drejtë që sot Shqipëria dhe shqiptarët, si gjithë bota, të kujtojnë Holokaustin. Por sim und të heshtësh për Spaçin, Burrelin, Tepelenën, Qafë-Barin apo për mijëra familje të internuara, për mendimin tim, kjo është një hipokrizi politike dhe morale, pore dhe mbarë kombëtare. Nuk ka hierarki të vuajtjes, por ka detyrim ndaj së Vërtetës. Ashtu siç bota thotë sot “Kurrë më” për Holokaustin, edhe Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët duhet ta thonë qartë “Kurrë më” për komunizmin, se nazizmi dhe komunizmi kishin shumë gjëra të përbashkëta. Në këtë pikëpamje, Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve janë unik sa I përket të kaluarës komuniste në trojet shqiptare.
Problemi është se në Shqipëri, ndryshe nga Gjermania pas nazizmit, dhe ndryshe nga shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Qendërore e Lindore pas shembjes së Murit të Berlinit, krimet e komunizmit nuk u dënuan kurrë zyrtarisht as seriozisht. Përkundrazi, në Shqipëri e deri diku edhe enë Kosovë, ende sot shihen përpjekje për rehabilitim të Enver Hoxhës, nostalgji publike, relativizim i krimeve dhe heshtje institucionale. Kjo heshtje është një formë bashkëfajësie morale.
Sot kujtimi i Ditës së Holokaustit, jo vetëm për hebrenjtë, na mëson se harresa është gjithmonë aleate e krimit. Dhe kujtesa, nga ana tjetër, nuk është hakmarrje, por drejtësi. Siç kam theksuar shpesh kur kam folur për këtë subjekt tepër të pakëndshëm, por shumë i nevojshëm për tu diskutuar — se pa njohur dhe dënuar krimet e regjimit komunist, Shqipëria mbetet peng i së kaluarës së vet. Për fat të keq, arsyeja se status-kuoja e zhvillimeve politike në vend sot 35-vjet tranzicion, provon këtë fakt – Shqipëria mbetet peng i së kaluarës komuniste përderisa nuk përballet me të vërtetën e krimeve të së kaluarës së saj komuniste. Demokracia nuk ndërtohet mbi mite, por mbi të Vërtetën hkistorike – sado e dhimbshme të jetë ajo, për të gjithë. Por heshtja nuk është zgjidhje!
Të kujtojmë Holokaustin do të thotë edhe të refuzojmë çdo formë totalitarizmi, autoritarizmi dhe krimet e tyre kundër njerëzimit, sot dhe në të kaluarën, përfshirë rastin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në Ballkanin Perëndimor. Të cilët për një gjysëm shekulli kanë pësuar pasojat kriminale anti-njerzore të një ideologjie krejtësisht e huaj dhe anti-shqiptare në thelb, e që për dekada shkatërroi jetët e shqiptarëve dhe të familjeve të tyre, në emër të një ideologjie çnjerëzore sllavo-aziatike. Kujtesa sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit është detyrim moral. Ndërsa heshtja është mohim i historisë.
Por heshtja nuk është neutrale. Ajo është zgjedhje personale dhe politikë zyrtare shtetërore. Dhe kur bëhet fjalë për historinë, heshtja shndërrohet në mohim. Jo thjesht në harresë rastësore, por në një akt të qëllimshëm për të fshirë role, figura dhe kontribute që nuk i përshtaten narrativës zyrtare të radhës. Kujtimi i Holokaustit sot duhej të na kujtonte dhe të na mësonte – të pakën nga historitë e popujve të tjerë, në rend të parë hebrenjve — se Historia nuk deformohet vetëm me gënjeshtra të hapura; ajo deformohet edhe me atë që lihet pa u thënë. Me arkiva që nuk hapen, me emra që nuk përmenden, me përvjetorë që kalojnë pa zë. Kjo heshtje prodhon një kujtesë të rreme kolektive dhe edukon breza të tërë me një të kaluar të amputuar.
Sidomos në hapësirën shqiptare, heshtja institucionale ndaj figurave të caktuara historike ka qenë po aq e dëmshme sa propaganda e dikurshme komuniste. Kur shteti, akademia apo media zgjedhin të mos flasin, ata nuk po tregohen të kujdesshëm, por marrin anë — anën e të keqës – anën e gabuar të historisë. Po legjitimojnë një version të cunguar të historisë dhe po vazhdojnë një padrejtësi morale e intelektuale ndaj Kombit shqiptar.
Prandaj, po të jemi serioz për tu përballur me krimet barbare anti-njerëzore të nazizmit dhe komunizmit, Dita e Holokaustit sot, na detyron të thyejmë heshtjen. Kjo është detyrë qytetare! Është një kërkesë për të Vërtetën, për dinjitetin e kujtesës dhe për një histori që nuk i shërben pushtetit, por faktit. Sepse një shoqëri që pranon heshtjen si normë, pranon edhe mohimin e vetvetes. Për fat të keq një pjesë e establishmentit politik, akademik e mediatik – mbeturina të nomenklaturës së vjetër komuniste — sidomos, në Shqipëri, ende e sheh njohjen zyrtare të fakteve historike të krimeve të regjimit komunist si rrezik politik dhe ekonomik për ta. Kam drojë se përderisa kjo elitë administrative – njësoj si në kohën e komunizmit edhe sot në pseudo-demokracinë shqiptare – drejton qeverinë, shtetin, ekonominë dhe kulturën – nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i madh prej tyre as sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Besnikëria e tyre ishte dhe mbetet diku tjerë dhe jo ndaj të Vërtetës historike dhe përballimit me krimet e sistemeve totalitare të së kaluarës.