-Kosova 19 vjet nga ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, 24 marsi 1999- Dita që i hapi shteg lirisë/
-Si raportova nga Prishtina në Tiranë në orën e nisjes së ngjarjes historike të mbrëmjes së 24 marsit 1999, përkundër ndërprerjes së linjave/
-Kryeministri Ramush Haradinaj: Fushata ajrore e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme heroizmit të grave dhe burrave të NATO-s, që u flijuan në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shpëtimit të një populli të tërë të pambrojtur/
-Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington, në takim me Presidentin Amerikan Bill Clinton: Duhet të na ndihmosh…/
SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 23 Mars 2018/ Në këtë pranverë të 2008-tës bëhen 19 vjet nga 24 marsi 1999 – Dita kur ndërhyrja shpëtimtare e NATO-s, forcës më të madhe planetare, kundër terrorit e gjenocidit, i hapi shteg lirisë së Kosovës. Është kjo edhe një ditë e mirënjohjes e falënderimit të përjetshëm për botën demokratike që nuk lejoi spastrimin etnik dhe zhbërjen e shumicës shqiptare të Kosovës.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, kryeministri Ramush Haradinaj, shprehu falënderimin për Aleancën e NATO-s, në 19 vjetorin e fillimit të intervenimit që ka quar në përfundimin e luftës në Kosovë. “Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë mirënjohës aleancës veri-atlantike për kontributin në lirinë e Kosovës”, theksoi kryeministri Haradinaj në mbledhjen e qeverisë.
Kryeministri Haradinaj, sot edhe ka vënë kurora lulesh tek lapidari i ushtarëve të KFOR-it, te komanda qendrore në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, në shenjë nderimi për kontributin e pazëvendësueshëm të KFOR-it, në vendosjen e paqes dhe sigurisë në vend dhe për të nderuar intervenimin jetik të NATO-s për ekzistencën e Kosovës si shtet.
“Fushata ajrore e NATO-s, që filloi më 24 mars 1999, ishte vendimtare për lirinë e popullit të Kosovës. Lavdi dhe mirënjohje e përjetshme heroizmit të grave dhe burrave të NATO-s, që u flijuan në shërbim të mbrojtjes së jetës dhe shpëtimit të një populli të tërë të pambrojtur”, u shpreh kryeministri Haradinaj.
Ai theksoi se, populli dhe institucionet e Kosovës do të jenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e perëndimit, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe tani në rrugën e integrimit euroatlantik.
Në fillimet e pranverës së para 19 viteve, ndërhyrja e NATO-s pritej pasi Konferenca e parë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje, Francë, që kishte nisur në 6 shkurt 1999 kishte përfunduar, nga mesi i marsit, me refuzim nga delegacioni i Beogradit të marrëveshjes së pranuar nga delegacioni kosovar. Edhe derisa bisedohej në Rambuje-Paris, regjimi i Beogradit kishte sjellë në Kosovë paisje luftarake e trupa ushtarake shtesë, që mund të arrinin në 130.000, sipas vlerësimeve të kohës.
Ndërkohë, për shkak të rreziqeve, shumica e reporterëve të mediave ndërkombëtare bashkë me Misionin vëzhgues të OSBE-së ishin larguar nga Kosova para fillimit të ndërhyrjes së Aleancës Veriatlantike. Edhe në ato rrethana vazhdoja pa ndalur asnjëherë raportimet nga Kosova për Agjencinë Telegrafike Shqiptare – Agjencinë zyrtare-shtetërore të lajmeve të Shqipërisë, të nisura në 24 maj 1992…
E, në 24 mars 1999, ishin orët u fundit para fillimit të bombardimeve të NATO-s kur kërkonim mundësinë e fundit për të dhënë nga Prishtina në Tiranë lajmin e madh të pritur, pasi lidhjet telefonike ishin bërë të pamundura.
Të provojmë me lidhje satelitore në mbrëmje, u morëm vesh me vëllain, Demë Jashari, në Zvicër. Dhe, ishim në linjë në momentin e pritur, nga Prishtina në Lozanë- Zvicër raportoja me telefon derisa po ndodhte lajmin e madh edhe për gjithë botën që e shkruante vellai me kompjuter për ta përcjellë prej atje me telefax drejt Tiranës…
Në mbrëmjen e 24 marsit 1999 raportoja nga Prishtina se rreth orës 20:00 u ndjenë fuqishëm goditjet e para të sulmeve ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi pozicionet e forcave serbe.
Përshkruaja situatën në kryeqytetin e Kosovës në atë orë historike: “Nga goditjet dridheshin xhamat e ndërtesave në Prishtinë, ndërsa vazhdimisht dëgjoheshin sirenat e alarmit”.
Pasi e raportoja këtë, shtoja se “pas pak çastesh të goditjeve, e tërë Prishtina dhe Kosova mbeti në terr”, meqë u ndërprenë dritat, furnizimet me energji elektrike.
Raportoja edhe se, “para goditjeve, automjete të blinduara me trupa serbe dhe armë në gjendje gatishmrie, lëviznin nëpër të gjitha rrugët e shkreta të Prishtinës, që ngjan në qytet fantazmë. Pas goditjeve, këto lëvizje tankesh dhe blindash nuk shihen më”.
Dhe, “kohë pas kohe, nëpër qytet, dëgjohen breshëri armësh”, përfundoja lajmin e parë për nisjen e bombardimeve, lajmin që dhash edhe për Radio Tiranën, me të cilën pastaj u lidha edhe drejtpërdrejtë në raportime. Lajmet për ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s në Kosovë shkonin për gjithë kombin shqiptar edhe për botën, të raportuara nga Prishtina, nga lagjeja Ulpiana, nga banesa ime e mbushur refugjatë nga zonat e luftës.
Refugjatët sollën përvojat e tyre të pas dëbimit nga shtëpitë, të strehimit maleve, se si të bëhej dritë në terr kur s’ka as qirinj, duke ndezur ndonjë leckë të futur në vaj ushqimi të mbushur nëgjysëmpatate të gërryer nga brenda. Nën atë dritëz po shkruaja lajm tjetër, ndërsa po dëgjoja lajme në një radio të vogël me bateri – tranzistor, derisa shkallëve të ndërtesës dëgjoheshin rrapllimat e ushtarëve e policëve serbë që nga momenti i nisjes së bombardimeve kishin ikur nga rrugët e sheshet ku ishin.
Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.
“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksone në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton, derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.
Mëngjesin e parë të pas fillimit të bombaredimeve, lajmet e fundit që dhash nga Kosova drejt Tiranës ishin për situatën në Prishtinë dhe për ekzekutimet nga forcat serbe gjatë natës të shqiptarëve në Mitrovicë, kryesisht veprimtarëve e intelektualëve, ndër të cilët ishte edhe poeti Latif Berisha.
Ai mëngjes i 25 marsit 1999 sillte lajme të reja se forcat kriminale serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, në Prishtinë kishin rrëmbyr nështëpi avokatin e veprimtarin e njohur për të drejtat e liritë njerëzore, Bajram Kelmendi, me dy bijtë e tij, të cilët i ekzekutuan. Forcat serbe kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht, dhe Zyrën e SHBA-ve në Prishtinë.
Edhe në mëngjes, si edhe natën, Prishtina dukej si një qytet fantazmë, rrugët dhe sheshet ishin të zbrazëta. Tanket dhe makineria tjetër serbe e luftës, që një ditë më parë i mbushnin rrugët e sheshet, kishin ikur dhe ishin fshehur edhe nëpër lagje për t’i pasur banorët shqiptarë mburojë të gjallë. Nëpër shumë pika kishte snajperë serbë dhe njerëzit qëndronin të mbyllur në shtëpi, të rrethuar me kërcënimin e madh të forcave serbe, por me gëzimin e besimin e plotë se liria e Kosovës po vinte.
Atë mëngjes të parë të pas mbrëmjes historike të 24 marsit 1999 u këput edhe mundësia e fundit e lidhjes me telefon dhe e raportimit dhe nisa kërkimin e ndonjë mundësie tjetër, duke ndërruar edhe vendbanimin shkaku i rrezikut të qëndrimit të mëtejmë në banesë, e pastaj edhe duke u larguar nga Prishtina drejt kufirit jugor të Kosovës, prej nga vazhdoja raportimet.
Raportimet dëshmonin se forcat serbe vazhdonin fushatën për dëbimin e të gjithë shqiptarëve nga Kosova. U dëbuan afër një milion shqiptarë, shumica në Shqipëri. Më shumë se 12 mijë arrinte numri i shqiptarëve të vrarë e masakruar, edhe të groposur në varreza masive, në mëse 5 mijë arrinte numri i të zhdukurve, qytetet dhe fshatrat shqiptare digjeshin e plaçkiteshin nga forcat ushtareke, policore e paramilitare serbe të Milosheviçit, kasapit të Ballkanit, që pas vitesh përfundoi në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime Lufte në Hagë.
Ende pa kaluar tre muaj nga fillimi, bombardimet përfunduan në 10 qershor 1999, pasi një ditë më parë ishte arritur Marrëveshja e Kumanovës mes NATO-s dhe Beogradit për tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të Alancës Veriatlantike në Kosovë.
Dita e Lirisë dhe Paqes, e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, erdhi në 12 qershor 1999. Në mëngjesin e asaj dite të lume, në orën 05 e 17 minuta, tanket e para të NATO-s hynë në Kosovë duke kaluar kufirin me Maqedoninë në Bllacë – Han të Elezit, drejt Prishtinës, e të nesërmen nga Shqipëria, duke kaluar kufirin në Morin-Vërmicë, drejt Prizrenit…
Edhe në atë ditë e orë historike një lajm tjetër të madh se në Kosovë po ndodhte liria e raportoja drejt Tiranës – në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe Radio Televizionin Shqiptar nga kolona e tankeve të para të NATO-s që kalonte kufirin jugor në Han të Elezit drejt Grykës së Kaçanikut…
Kosova, pas hyrjes së trupave të NATO-s – KFOR-it, u administrua sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së deri në 17 Shkurtin histotik 2008 të shpalljes së Pavarësisë së njohur deri sot nga 116 shtete të botës.
MË PAK SE NJË VIT PARA NDËRHYRJES SË NATO-s NË KOSOVË, NË 29 MAJ 1998, PRESIDENTI HISTORIK I KOSOVËS, IBRAHIM RUGOVA NË UASHINGTON, NË TAKIM ME PRESIDENTIN AMERIKAN BILL CLINTON: DUHET TË NA NDIHMOSH…
Më pak se një vit para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, në 29 maj 1998 Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në Uashington ishte takuar me Presidentin amerikan Bill Clinton. Pas takimit Rugova deklaronte: “Ne ritheksuam se zgjidhja më e mirë për Kosovën do të ishte shteti i pavarur”. Ndërsa, Clinton kishte theksuar se Kosova është një nga shqetësimet amerikane dhe se SHBA-të do të intensifikojnë angazhimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të NATO-s.
Presidenti amerikan Bill Clinton, në 1 nëntor 2009, në fjalën e tij në Kuvendin e Kosovës, por edhe në sheshin me emrin e shtatoren e tij në Prishtinë, ka përkujtuar Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe një gurë kristali të cilin ai ia kishte dhuruar.
“Ai gurë kristal të cilin ma dha Rugova i është dhuruar një universiteti, por për një kohë ai ishte i njohur edhe në SHBA me emrin ‘Guri i Rugovës’”, ka thënë Presidenti amerikan Clinton.
Ai ka treguar se është rritur në një vend që ka gjeologji të ngjashme me Kosovën, në Arkanzas. “Atëherë, ai (Rugova), më tha se duhet të na ndihmosh”, ka përkujtuar ish-Presidenti i SHBA-ve Bill Clinton.
Presidenti amerikan Clinton me rastin e shuarjes në 21 janar 2006 të Presidentit kosovar Rugova shprehej: “Kam pasur nder ta mbështes luftën e tij për paqe dhe liri”…
MESAZHI I FUNDIT, I VITIT 2005, I PRESIDENTIT HISTORIK DR. IBRAHIM RUGOVA I URIMIT PËR 24 MARSIN: DITË E AGUT TË LIRISË PËR TË GJITHË NE
Mesazhi i fundit i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova i urimit për 24 marsin – Ditën e fillimit të fushatës ajrore të NATO-s për mbrojtjen e Kosovës ishte në vitin 2005:
Dita e fillimit të fushatës apo sulmeve ajrore, pra 24 marsi i vitit 1999, ka hyrë në historinë më të re të Kosovës si ditë e agut të lirisë për të gjithë ne. Kurse në historinë botërore ka hyrë si ditë për mbrojtjen e një populli dhe për shpëtimin e tij nga e keqja.
Sot, pas gjashtë vjetësh në liri, mund të themi se Kosova pa pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Këtë progres do ta bënte më të madh dhe më të shpejtë njohja e drejtpërdrejtë epavarësisë së Kosovës sa më parë. Pra, një Kosovë e pavarur, demokratike e stabile, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA-të, është vullneti politik i popullit dhe i qytetarëve të Kosovës.
Për këto gjashtë vjet, KFOR-i, NATO, ka bërë një punë të shkëlqyer në sigurinë dhe mbrojtjen e vendit tonë. Kështu, KFOR-i, NATO, është bërë forcë e dashur dhe e respektuar nga të gjithë qytetarët e Kosovës, që nga fëmijët deri te pleqtë.
Me këtë rast, urime të përzemërta u bëjmë ushtarëve të KFOR-it, komandantëve të zonave dhe Komandantit De Kermabon. Njëherësh urime të sinqerta u shprehim UNMIK-ut dhe Kryeadministratorit Petersen, si dhe OSBE-së dhe ambasador Fieskit.
Urime të përzemërta u bëjmë përfaqësive diplomatike në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë.