* Akademia Përkujtimore kushtuar Ditëlindjes së Heroit Kombëtar hodhi idenë e kthimit në festë mbarëkombëtare të 6 Majit!/
* Datëlindja e Kryetrimit të tokave të Arbërit është një apel për kujtesë historike dhe që mbart në vetëvete kumtin e bashkimit kombëtar, që faktikisht sot është vënë në pikëpyetje nga përçarjet dhe papërgjegjshmëria e shtetit dhe klasës politike./
* Është fakt që ka harmoni Fetare, por nuk ka Harmoni Kombëtare. Shteti dhe politika tentojnë ta përdorin si fasadë harmoninë fetare, por vetë ata nuk përcjellin mesazhe të Harmonisë dhe bashkimit Kombëtar; përkundrazi, janë kontributorët më të këqinj që e kanë zbehur ndjenjën dhe krenarinë Kombëtare.
Nga Dalip Greca/
Veprimtaritë kushtuar 6 Majit, Përvjetorit të 613-të të Ditëlindjes së Heroit Komëbtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu Organizuar nga Kisha Shqiptare ” Zoja e Shkodrës” në Nju Jork në bashkëpunim me Fedearatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA” nisën të dielën paradite, me 6 Maj 2018, me Meshën kushtuar Heroit Kombëtar, Ditëlindjes së tij të 613-të. Famullitari i kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj ka udhëhequr Meshën dhe ka përcjellë mesazhe krenarie Kombëtare për Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ai tha ndër të tjera se Heroi ynë është krenaria Jonë Kombëtare, është Ati shpirtëror i shqiptarëve, është simboli i bashkimit Kombëtar.
Pas meshës në Qendrën “Nëna Terezë” u organizua Akademia kushtuar Ditës së Lindjes së heroit Kombëtar me bashkorganizatore Federatën Panshqiptare të Amerikës “VATRA”. Ashtu siç u bashkëpunua edhe me rastin e 17 janarit 2018, 550 vjetorit të vdekes së Heroit Kombëtar, Kisha Zoja e Shkodrës dhe Federata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” bashkëpunuan edhe në Akademinë Përkujtimore kushtuar 613 vjetorit të Lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
I pranishëm në Akademinë Përkujtimore ishte Kryetari i Vatrës Dritan Mishto, zv/Kryetari Agim Rexhaj, anëtari i kryesisë dhe arkëtari i Vatrës Marjan Cubi, anëtari i kryesisë dhe folës Zef Balaj(përcolli kumtesën e Asllan Bushatit me titull”Gjergj kastrioti Skënderbeu dhe Dita e Shën Gjergjit”), shefi i Kabinetit të Kryetarit dr. Pashko Camaj dhe shumë vatranë të tjerë.
Në Akademinë Përkujtimore ishte i pranishëm edhe Këshilltari i Nju Jork-ut, bashkatdhetari ynë Mark Gjonaj, biznesmeni dhe aktivisti Harry Bajraktari si dhe drejtues shoqatash të komunitetit.
Akademinë Përkujtimore e ka çelë Kryetari i Këshillit të Kishës Zoja e Shkodrës Leonardo Berishaj, i cili u ka uruar mirëseardhjen pjesmarrësve për këtë ngajrje të shënuar dhe ka ftuar të pranishmit që të ngriheshin në këmbë për të përcjellë Hymnet Kombëtare. Më pas z. Berishaj ka parqitë koordinatorin e veprimtarisë përkujtimore, drejtuesin e saj, Kryeredaktorin e revistës “Jeta Katolike” Mark Shkreli.
Zoti Shkreli, ka ftuar Famullitarin e Kishës, dom Pjetër Popaj për të mbajtë fjalën përshëndetse. I pari nga folësit ishte diplomati nga Misioni i përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Kombeve të Bashkuara z. Armando Shandro, i cili falenderoi organizatorët për ftesën dhe u ndal në madhështinë e figurës së Heroit Kombëtar dhe meszhet e bashkimit që vijnë në përkujtimin e Ditës së Lindjes.
Kumtesën e përgatitur nga Profesor Sami Repishti e lexoi miku i tij, aktivisti i njohur i komunitetit, ish Kryetar i këshillit të Kishës, si dhe ish zv/kryetar i vatres. z. Tonin Mirakaj.
Një kumtesë interesante përcolli edhe Prof. Gjon F. Ivezaj.
Nga foltorja përcollën mesazhe Këshilltari Mark Gjonaj, avokati Vedat Gashi, që synon Asamblenë e shtetit të Nju Jork-ut, si dhe Kryetari i Qendrës Kulturore Nëna Terezë Marjan Cubi, ndërsa aktivisti Nosh Camaj u duartrokit tek përcolli një poezi emocionuse.
Këshilltari i Nju Jork-ut, z. Mark Gjonaj, i ka dorëzuar famullitarit dom Pjetër Popaj dhe Kryetarit të Vatrës Dritan Mishto nga Mirënjohje për Kishën dhe Vatrën në emër të Këshillt të Nju Jork-ut .
Meshën dhe akademine i përcollen Televizioni Kultura Shqiptare(Albanian Culture TV), Gazeta Dielli dhe TV 21.
***
Nga Akademia përkujtimore e Nju Jork-ut u shfaq ideja që Ditëlindja e Heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu të kthehet në një festë mbarëkombëtare nga shtetet shqiptare.
Nuk ka asnjë arsye që të mos bëhet.
Kjo datë e lindjes të Kryetrimit të tokave të Arbërit, është një apel për kujtesë historike dhe që mbart në vetëvete kumtin e bashkimit kombëtar, që faktikisht sot është vënë në pikëpyetje nga përçarjet dhe papërgjegjshmëria e shtetit dhe klasës politike. Është fakt që ka harmoni Fetare, por nuk ka Harmoni Kombëtare. Shteti dhe politika tentojnë ta përdorin si fasadë harmoninë fetare, por vetë ata nuk përcjellin mesazhe të Harmonisë dhe bashkimit Kombëtar; përkundrazi, janë kontributorët më të këqinj që e kanë zbehur ndjenjën dhe krenarinë Kombëtare.
Nuk mjafton që Kryeministri të rrethohet nga dy priftërinj dhe një Imam dhe të parakalojë në kryeqendrat botërore,nuk mjafton që ai krenohet me përkatësinë e tri feve në familjen e vet, por do të duhej që qeverisja e tij të reflektonte harmoni dhe interesa Kombëtare. Nuk mjaftojnë vetëm deklaratat e shtetarëve dhe politikanëve në ditëfestat e shënuara të besimeve fetare, por çdo ditë do të duhej të përcilleshin mesazhe bashkimi e respektimi ndaj qytetarëve, pavarësisht cilit besim i përkasin. Shteti në Shqipëri e Kosovë do të duhej të: luftonin kriminalitetin, korrupsionin, të ulnin varfërinë dhe të rritnin mirëqenien, me qëllim që të mos iknin qytetarët nga sytë këmbët për një jetë më të mirë, apo të mos mbuloheshin femrat kokë e këmbë për 50 Euro, apo djemët të ktheheshin në mercenarë e të mbushnin radhët e ISS-it duke u bërë mish për top për një ideologji që, veçanërisht shqiptarëve nuk u shkon….