Sokol Paja/
New York, 19 Nëntor 2022- Në Selinë Qëndrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në bashkëpunim me Shoqatën e Gruas Marigona, organizuan një “Orë Letrare” kushtuar Alfabetit Shqip. Nën prezantimin e kryetarit të Shoqatës z.Mhill Velaj, Sebije Dervishi Veseli përshëndeti të pranishmit ndërsa Thëllënza Pollozhani këndoi një këngë përshëndetëse për Shoqatën Marigona. Fjalën përshëndetëse në emër të Federatës Vatra dhe gazetës Dielli e bëri Editori i cili vlerësoi punën e shkëlqyer të krijuesve shqiptarë në Amerikë. Presidenti i Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë z.Adnan Mehmeti paraqiti për të pranishmit vlerat e Shoqatës së Shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë dhe shpalli ardhjet e reja në shoqatë si: Beqir Sina, Bill Wolak, Majlinda Pajaj, Zenel Haxhaj. Në këtë aktivitet, Anëtar Nderi i shoqatës u shpall shkrimtari i përkthyer në 42 gjuhë të botës, Jeton Kelmendi. Prof. Bexhet Asani në fjalën e tij tha se: Dita e përfundimit të punimeve të Kongresit të Manastirit, 22 nëntori është festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Më 22 nëntor të vitit 1908, përfundoi me sukses punimet Kongresi i Manastirit. Kjo datë historike për popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut kremtohet nëpër institucionet shtetërore, në universitete, shkolla fillore dhe të mesme, me aktivitete letraro-muzikore e kulturore. Dita e përfundimit të Kongresit të Manastirit duhet të shpallet festë kombëtare edhe në Republikën e Kosovës e në Republikën e Shqipërisë. Ne jemi një popull. Kemi një flamur. Kemi njjë gjuhë. Kemi një Skënderbe. Duhet të kemi një festë kombëtare siç është “22 Nëntori”. Me afabetin e këtij Kongresi, me këto shkronja të skalitura me gjak, shërbehen gjithë shqiptarët në rruzullin tokësor, tha ndër të tjera Prof. Asani. Në “Orën Letrare” lexuan poezi shkrimtarët: Gjeto Turmalaj, Pal Ndrecaj, Fjorela Çelaj, Idriz Çelaj, Merita Prenga, Shpend Gjocaj, Marte Gojani-Mrijaj, Mukades Tahiraj, Prof.Bexhet Asani, Rita Salihu. Regjizori Astrit Tota i dhuroi Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanëve një portret të Naim Frashërit të cilin Mhill Velaj ia dhuroi Gazetës Dielli. Shkrimtari Jeton Këlmendi në fjalën e tij tha se shqiptarët e Amerikës janë shembulli më i mirë sesi duhet të jetë shqiptari i sotëm. Rita Salihu në fjalën e saj tha se është e lumtur që te Vatra vazhdohen të zhvillohen këto aktivitete dhe bëri thirrje që të fuqizohen në të ardhmen. Komisioni i “Orës Letrare” i drejtuar nga Prof. Bexhet Asani shpalli 3 poezitë më të veçanta të shkrimtarëve: Pal Ndrecaj, Idriz Çelaj, Mukades Tahiraj. Për të gjithë pjesëmarrësit u ndanë Mirënjohje nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë. Aktiviteti u ndoq nga TV Kultura Shqiptare. z.Adem Belliut Federata Vatra, gazeta Dielli e mbarë komuniteti shqiptar i shpreh mirënjohjen për punën në dobi të komunitetit e kulturës kombëtare në mërgatën e Amerikës prej 25 vitesh.