Zyra e Shtypit ALAR
Bukuresht/
Botimet albanalogjike për vitin 2022
Viti 2022 mund të konsiderohet si viti i vendosjes të disa gurë themeli të albanologjisë në gjuhën rumune. Në fushën e botimeve, pa dyshim, ky vit kalendarik mund të konsiderohet një vit historik. Kësisoj, pas botimit të vëllimit “Fjalor historik i Shqipërisë”, i albanologut të shquar, Robert Elsie, përkthyer nga anglishtja nga dr. Radu-Cosmin Savulescu, këto ditë doli nga shtypi “Historia e letërsisë shqiptare nga zanafilla deri në ditët e sotme”, botim i dytë, i riparë dhe me shtesa, i dr. Luan Topçiu-t. Pas disa ditësh do të promovohet një studim imagologjik për shqiptarët në shtypin dhe librat rumune deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX, studim i albanofilit, studiuesit dhe kryeredaktorit të revistës letrare prestigjioze rumune “Convorbiri literare”, Marius Chelaru. Po në muajin nëntor do të dalë nga shtypi dhe Fjalori akademik shqip-rumanisht, me mbi 41.000 fjalë tituj dhe mbi 70.000 shprehje i autorëve Dr. Renata Melonashi-Topciu, Ana Melonashi dhe Dr. Luan Topciu. Të gjitha këto botime, që do të shoqërohen me të tjera, bëjnë pjesë në kolanën Albanica. Materiale shkencore dhe letrare për Shqipërinë dhe albanologjinë vazhdojnë të botohen në vazhdimësi në faqet e revistës shkencore dhe letrare “Albanica”, organ i ALAR-it.
Ditët e kulturës shqiptare
Për katër vjet radhazi, Shoqata Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) organizon “Ditët e kulturës shqiptare”. Mes aktiviteteve të shumta të zhvilluara, mund të përmendim koncertin simfonik me pjesë të kompozitorëve shqiptarë dhe rumunë, i organizuar në vitin 2019 me orkestrën simfonike të qytetit të Craiova-s, vendosjen e bustit të heroit kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbe, vepër e skulptorit shqiptar Emanuel Koko, shfaqja e pjesës së teatrit “Njeriu që pa vdekjen me sy” të autorit me orgjinë shqiptare Viktor Eftimiu, e luajtur nga trupa e Teatrit të Vlorës, ekspozita pikturash dhe fotografike, promovime librash për Shqipërinë, mbrëmje poetike dhe muzikë shqiptare, prodhime CD-ve muyikore me muyikë shqiptare dhe shumë të tjera. Ka qenë të pranishëm në këto aktivitete personalitete të fushave të kulturës, shkencës, politikës, lidera fetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut etj.
Këtë vit, në datat 4-17 nëntor 2022, do të zhvillohet edicioni i IV-t i “Ditëve të Kulturës Shqiptare”, të cilës i shtohen edhe dy evenimente të rëndësishme: koncerti i datës 1 tetor, i zhvilluar në sallën “Gorge Enescu” të Universitetit Kombëtar të Muzikës në Bukuresht, i cili pati si drejtor artistik profesorin e muzikës dhe pianistin, Piro Gaqi. Në këtë koncert u interpretuan pjesët më të mira të konkursit “George Stafanescu” të kompozitorëve të rinj shqiptarë dhe rumunë në gjininë e romancës. Ditët e Kulturës Shqiptare do të kurorëzohen në datën 22 nëntor me promovimin e “Fjalorit akademik shqip-rumanisht”, të autorëve Dr. Renata Melonashi-Topciu, Ana Melonashi dhe Dr. Luan Topciu, në nderim të Kongresit të Manastirit, i mbajtur në datat 14-22 nëntor 1908 dhe të Ditës së Flamurit, duke qenë në vigjilje të festës më të madhe të shqiptarëve kudo në botë.
Programi i këtij viti përmban promovime dhe prezantime librash për Shqipërinë dhe shqiptarët, konferenca dhe recitale poetike e muzikore shqiptare, si dhe një ekspozitë dokumentare dhe arkivore kushtuar shkrimtarit rumun me origjinë shqiptare, Viktor Eftimiu.
Çelja e veprimtarive do të fillojë në qytetin e Targu Jiu-t, në praninë e deputetit Bogdan-Alin Stoica dhe të kryetarit të ALAR-it, Radu-Cosmin Savulescu. Për të pranishmit do të prezantohet dhe vëllimi “Historia e Letërsisë Shqiptare, nga gjeneza dhe deri në ditët e sotme”, edicioni i dytë, i riparë dhe me shtesa shkruar nga studiuesi dhe koordinatori i Qendrës Kulturore, në kuadër të ALAR, Dr. Luan Topciu. Në datën 8 nëntor do të zhvillohet një recital me muzikë shqiptare, interpretuar nga ansambli Serenada i ALAR, si dhe do të recitohen poezi të poetëve shqiptarë Ali Podrimja, Asdreni, Azem Shkreli, Fan Noli, Gjergj Fishta, Ismail Kadare, Lasgush Poradeci, Migjeni, Mitrush Kuteli, Martin Camaj, Visar Zhiti, nga aktori i Teatrit Kombëtar “Marin Sorescu”, Angel Rababoc.
Në datën 11 nëntor do të organizohet në bibliotekën e Qarkut Targu Jiu ekspozita me imazhe dhe dokumente e titulluar: “Viktor Eftimiu – një short rumuno-shqiptar”. Në datën 14 nëntor, në Bibliotekën Metropolitane të Bukureshtit do të organizohet konferenca “Pika referimi në historinë e krishterimit shqiptar”, studim që të referohet nga albanologu dhe historian i feve Dr. Radu-Cosmin Savulescu. Ndërsa në datën 17 nëntor do të promovohet vëllimi” Shqipëria dhe shqiptarët në librat dhe shtypin rumun deri në fillim të shek XX”, i studiuesit Marius Chelaru. (615 faqe), aktivitet i cili do të zhvillohet në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë, filiali i Iasi-t. Veprimtaritë e edicionit të 4-t të “Ditëve të Kulturës Shqiptare” për këtë vit do të zhvillohen në Târgu-Jiu, Bukuresht dhe Iași dhe partnerët ALAR-it për këtë edicion janë Muzeu Kombëtar i Letërsisë Rumune, Biblioteka Metropolitane e Bukureshtit, Biblioteka e Qarkut “Christian Tell” Gorj si dhe Lidhja e Shkrimtarëve të Rumanisë – Dega Iași.