Frano Kulli
Ftesa e para do ditëve për peligrinazhin tek vorri i Dom Ndre Zadejës më erdhi disi e dyzuar. Ajo e mirëfillta, si edhe ftesat e tjera për tek poetët e shkrimtarët e përndjekur e të dënuar prej rregjimit, ishte prej organizatorëve; poetëve Rexhep Shahu e Izet Duraku. Një veprim i bukur, një ndjesi e njerëzishme respekti kjo, që ata ndërmarrin për të shtatën herë nëpër Shqipëri, me mbështetjen e mecenatit të kulturës, zotni Flamur Hoxhës. Një grup bukur i madh poetësh, shkrimtarësh e krijuesish, me ndéje (banim) në Tiranë e shumta, po ardhur prej Kukësi a Tropoje, Berati a Pogradeci, Mirdite e Tepelene, Elbasani, Kavaje a Gjirokastre. Ndërsa e dyta, ishte një ftesë e pezmatuar e Zija Vukës. Shkrimtari dhe ditunari shkodran, Zijai, që kishte marrë përsipër prijësínë e pelegrinazhit në Shkodër, pezmin e përcjellë në formë të etertë për gjithë miqësinë e tij virtuale e kishte përftuar në Varrezat e Rr’majit, atë ditë kur kishte shkuar për një vizitë paraprake në përmbushje të sipërmarrjes së vet vullnemirë prej krijuesi, po edhe të përshpirtëshme e të respektshme gjithashtu, për tek varri i Dom Ndresë. Vorri, i strukun disi në qoshe, mbështetë murit perëndimor të varrezës, një vorr ma se modest, i ribamë e i bekuem në fillimvitin ’91, tashti i mbuluem prej barit dhe i rrethuem me papërkujdesje…Nji papërkujdesje trishtuese për poetin, që e kishte prekë thellë Zijanë. Për poetin, dikur i shënuar bukur mirë në panteonin e poetëve të bashkëkohësisë së vet, në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Njëherëshi edhe dramaturg e polemist e me plot dhunti të tjera. E i thirrun si askush tjetër “Poeti i ambëlcisë”, cilësim ky i përftuar prej veprës së vet letrare në kohëshkrimin e saj… Poeti martir, njëri prej të 38 martirëve të Kishës Katolike shqiptare e të Shqipërisë. Pezmi që ka prekë edhe ndjesitë e tua vjen e të shtohet, nëse rasti të ka rá, bie fjala, me u kthye para pak ditësh prej një vizite në katakombet e famshme të Romës. Se ka një qasje historia e origjinës së tyre të përgjakshme, me historinë tonë modeste. Gjithë ajo histori e tyre e famshme martirizimi të skajshëm, ta ndezullon idenë e përvijuar heret se krishterimi është një fe e martirëve. Edhe dom Ndreu ynë edhe martirët tanë, martirë të besimit e “njetit” të vetvetes janë, ma së pari. Porse veçoria e tyre, specifikisht e tyrja ndoshta, ka qenë kushtimi i përjetshëm: për “Fe e Atdhe”. E kumti i mbramë i të gjithëve bash në dekikun e fundit para skuadrës së pushkatimit: Rrnoftë Krishti mbret, Rrnoftë Shqipnia” !
2)
Dom Ndre Zadeja është ndër nistarët e kalvarit të mundimeve të martirizimit, përmbas dom Lazer Shantojës (1891- 5 mars 1945). Viktima të sprovës së parë të rregjimit të pasluftës, i cili në themelet që po hidhte kërkonte sublimimin e gjithësecilit prej atyre, qenia e të cilëve pluskonte dashuri e besim. E shenjtërinë e lirisë për to. Mbartës të dijeve të përkora, shërbestarë pa kushte të fesë e të kulturës. Të përkundërt në idet me komunistët, qysh në krye të herës, kur ata ide u importuan për herë të parë në Shqipëri. Njësoj, në të njëjtën sprovë që u vunë edhe njerëzit e qëndresës, të papajtueshmërisë së shprehur me platformen e atij rendi e sistemi të përgjakshëm që po ngrihej… U pushkatua me 25 mars 1945. E djelë, e djela e Larit, një javë para Pashkëve. I futur ” në rreth të kuq” prej të kuqve , pretekst ishte salikimi që prifti i kishte bâ një besimtari të pushkatuar pa gjyq, Tomë Markut, në katundin e Sheldisë ku dom Ndreu ishte famullitar. Tomës, i cili nuk ua kishte treguar ndjekësve të forcave të ndjekjes emrat e bashkëfshatarëve që ende mbanin armë në shtëpi. Për ironi të fatit fill këtu mbas murit të Varrezave të Rr’majit, ku ai prehet prej aso kohe. U pushkatua vetë i katërmbëdhjeti, me shkodranë e katundarë të katundeve përreth. Me to edhe Prek Cali, ai malësori shtatnaltë mbi dy metër e má burrë, që pati dalë në krye të mbrojtjes së kufijve të dheut tonë; para malazezve me pushkë, po edhe përballë Fuqive të Mëdha me mend e urti. E ja pati dalë…Se në saje të qëndresës së malësorëve të primë prej tij, Vermoshi e “Bjeshkët e kuqe” mbetën mbrenda kufijve të Shqipërisë, ku kalkulimet e fuqive të mëdha, shtyrë prej lakmisë së shovinistëve sllavë, i kishin taksur të mos ishin.
Për “Poetin e Ambëlcisë”, rasti më qe dhënë të dëgjoja heret, në kohën e rregjimit të dhunës së epshme. Ashtu nën za, Prekë Ejlli, njeriu im i familjes që e kishte pasë mik fort të dashtun, e përsillte ndër ne jo rrallë emrin e dom Ndresë. Sidomos kur biseda vinte për gjëra të mençura dhe gjithherë fliste me zjermí nderimi për të. Përtej frikës që sillnin asokohe përmendje si këto… Se të përmendje emrin e një meshtari, ishte njëlloj si të përmendje hebrejtë tek nazistët. Ani pse meshtarët shqiptarë qenë atdhetarë me vepra dhe shumica, të ditur fort. Po ai e kishte pasë famullitarin e vet, në vitet e adoleshencës dhe qe mëkuar me ambëlsinë e lirikave të tij, të uratëve të muzikueme ase katekizmit në vjersha. Dom Ndreu qe i shquar mes meshtarëve edhe poetë, që e përdoronin një teknikë të tillë vjershërimi kur lutjet në vargje shkruar prej mjeshtrash, po dhe të thjeshtëzuara, “muzikoheshin”, e kështu përcilleshin ndër besimtarë e në popull. Preka kishte njoftë e shijue faqe për faqe melodramat e tij; ndonjerën syresh kishte pasë rastin edhe me e pa në skenë, si “Ruba e kuqe”, e cila qe shfaqë në Shkoder me 1937. E kështu, pamja imagjinare e poetit e autorit të shënjuem të melodramave, një gjini letrare fort në modë, asokohe, ishte vizatuar edhe tek unë si butësi e dituni, përzjerë me ëmbëlsi e përvujtni. Masandej më vonë, takimet jo të rralla me zotni Lecin kanë qenë sharmi i kujtimeve për dom Ndreun-Poet. Rasti i do emocioneve të epërme ka qenë ai i vitit 1994. Zotni Leci, po përgadiste për botim një librin e tij për të: “Dom Ndre Zadeja-veprat”. Për të kjo punë do të fillonte si përshpirtje për njeriun e gjakut; zotni Leci ishte nipi i tij. E kështu, bashkë me veprën, do të thërmoheshin në libër edhe grimca jete të martirit…
Vrasja e dom Ndreut qe percjellë me dhimbje të madhe qytetëse në Shkoder. Aktorë amatorë të shoqnisë “Rozafat” vijonin provat për shfaqjen e melodramës “Rozafa” të autorit Zadeja. Lajmi i vrasjes ishte…gongu i mbarimit të shfaqjes, ende pa filluar. Puna u ndërpre. Seminaristi Mark Çuni, në atë frymë hartoi tekstin e nji kange me titull “O male pse s’ushtoni ?”, që u kompozue prej seminaristit tjeter Gjergj Lacaj…Autori i tekstit , dy vjet ma vonë do të pasonte fatin e poetit. Kurse autori i këngës, jetoi gjatë e muzikoi gjithashtu. Po elegjinë për dom Ndreun, s’kishte guxuar ta hidhte në pentagram. Asnjëherë. Për fat, diçka prej saj ishte ende në kujtesën e tij. E atë ditë ajo, kujtesa e tij u vu në sprovë… Leci ia kishte mësy me bindje se kënga jetonte ende. Tek autori, ku tjetër…Rasti më qe dhënë ta përjetoja edhe unë takimin e tyre të përmallshëm e…të përvajshëm. I kam parë të dy, ndonëse në moshë të madhe, të përloteshin si fëmijë. Gjergji, “i zënë në faj” me vetveten.
-Nuk kam mujtë me e shkrue kurrë, mor Lec edhe pse me vedi e këndojshe shpesh. Pa za, sigurisht, ma tepër si mërmërimë… Strofen e parë nuk e kam harrue. As refrenin…e kështu kanga u rishkrue aty për aty, tekst e muzikë. Edhe si një requiem për shpirtin e tij…Një poezi për Poetin e pushkatuar kishte pasë thurë edhe poeti Xhevat Kallajxhiu. Poezia qenka recitue prej vetë atij , dy javë më vonë, me 10 prill të atij viti, gjatë një ceremonie të përshpirtëshme në Kishën e Leuca-s në Messina në Italinë e jugut, në kujtim të poetit të vramë. Kurse vajtojca Tina Marleci, kushrina e poetit, mbas vajtimit që kishte çu peshë mbarë zemrat e të pranishmëve me fjalët e zgjedhuna, të daluna prej dhimbjes së njëmendtë të shpirtit, i kishte zbërthye të vdekunit veladonin tek fyti e të gjithë sa ishin kishin vërejtë se këmisha e tij ishte e arnueme, atëherë ajo ka shpërthye në vaj sërish:
I vorfen si Gurakuqi, dom Ndre, vlla , / K’mishen e arnueme me gjak, dom Ndre v’lla !
3)
Prej Shkodre, në Kishën e sh’na Rrokut në Shirokë. Në kujtim të pader Anton Harapit, në vendin e të parëve të tij. Jozef Shiroka, aktori, stërnipi i tij ishte prijësi e pritësi ynë atje. Se pader Anton Harapit, ende nuk dihet se ku i prehen eshtrat. E nuk ka nji cak të mbramë ku me u lut për shpirtin e tij e me përcjellë nderimin e meritueshëm për té.