Shkruan: Eneida Jaçaj/
Pavarësia dhe bashkimi i të gjitha tokave shqiptare, si pasojë e kryengritjeve në vitet 1910-1912, kundër pushtimit osman 5 shekullor, ishte një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme dhe më tronditëse për okupatorin, që do ta bënte të njohur çështjen shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare. Përpjekjet e ideologëve të periudhës së Rilindjes Kombëtare, për të bashkuar 4 vilajetet shqiptare dhe për të ndriçuar rrugën e kombit drejt një të ardhme të paqtë e të sigurt, ishte një hap gjigand për t’i dëshmuar Fuqive të Mëdha aftësinë dhe zgjuarsinë e popullit shqiptar për t’u vetëqeverisur, në çdo aspekt të jetës politiko-sociale-ekonomike. Ishin pikërisht kryengritjet e viteve 1910-1912, që me mobilizimin, organizimin dhe platformën e tyre politike tronditën sundimin osman në Ballkan dhe në Europë. Shumë trima shqiptarë rrëmbyen armët duke i dhënë jehonë të madhe kryengritjeve, të cilat u shtrinë në të gjitha viset, ndërsa nga ana tjetër, ishte diaspora dhe shtypi që dhanë një ndihmë të madhe për çështjen shqiptare, në të gjitha kancelaritë më të rëndësishme të asaj kohe.
Ideologët e kohës kanë zhvilluar Lëvizjen Kulturore Mbarëkombëtare, e cila kishte për qëllim pikërisht çlirimin e vendit dhe zhvillimin politik, ekonomik dhe social të tij. Kjo lëvizje u zhvillua me kontribut të personaliteteve të shquara dhe luftës së popullit shqiptar. Duhet theksuar se përpjekjet për pavarësi ishin një proces emancipimi i të gjitha lëvizjeve që ndodhën në Europë dhe në Ballkan, kundër pushtuesve osmanë. Në vitin 1887, territoret shqiptare njiheshin si terrritore turke, ndërsa ishte Lidhja Kombëtare Shqiptare e Prizrenit që bëri të kuptojnë shtetet e huaja, se këto janë territore shqiptare, duke i hapur rrugë Pavarësisë së Shqipërisë. Ismail Qemali, babai i kombit, politikan dhe diplomat me eksperiencë, në shtator të 1912, nisi përpjekjet me Portën e Lartë, në Stamboll, duke kërkuar autonominë, për t’u mbrojtur nga fqinjët. Më pas, ai hyri në bisediime me përfaqësues të Vjenës, Italisë, Gjermanisë, duke siguruar mbështetje ndërkombëtare. Austro-Hungaria dhe Italia e kanë mbështetur të parat pavarësinë.
Ismail Qemali nuk ishte i vetëm në arritjen e pavarësisë; kjo ishte një rrugë tepër e vështirë që kërkonte mbështetje, organizim dhe bashkim të të gjithë shqiptarëve për një qëllim të përbashkët. Një ndër figurat atdhetare dhe nga më të ndriturat të kombit, i cili ka dhënë një kontribut shumë të vyer për çështjen shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare, ishte Dom Nikollë Kaçori, figura e dytë pas Ismail Qemalit. Kleriku i shenjtë nuk përmendet shumë në përpjekjet për arritjen e pavarësisë, edhe pse ai ka qenë një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë, ka luftuar me pushkë dhe me misionin e tij të shenjtë fetar për një Shqipëri të lirë, dhe gjithashtu e ka bërë të njohur çështjen shqiptare edhe në botë. Është një figurë shumë e rëndësishme që duhet t’i japim nderin dhe vendin që i takon për të gjitha përpjekjet mobilizuese, organizative, si personalitet mjaft i shquar dhe me peshë pas Ismail Qemalit.
Nikollë Kaçori ishte një meshtar që përpos shërbimit shpirtëror, krehu dhe shërbimin e shenjtë atdhetar. Imzot Kaçorri ishte politikan, klerik i njohur, dhe zëvëndës Kryeministër i parë i Shqipërisë në kabinetin e Ismail Qemalit. Ai lindi në fshatin Krejë, Lurë në vitin 1862. Arkipeshkvi i Durrësit në atë kohë, imzot Ambrozio, e bëri meshtar, pasi pa te ai një fëmijë të zgjuar dhe shumë energjik. Kështu, për kontributin e madh fetar, Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”. Ai u angazhua në organizimin e shoqërive patriotike “Vllaznia”, “Bashkimi” Durrës (1907 -1909), dhe mori pjesë në përpjekjet për pavarësi, duke udhëhequr me pushkë e penë kryengritjen mbarëkombëtare. Nikollë Kaçori propagandoi që në mesha duhet të predikohet gjuha shqipe, dhe jo ajo arabe e turke nga klerikët muslimanë dhe greke, nga klerikët ortodoksë. Ishte Imzot Kaçorri ai që priti delegacionin e mërgatës, që arriti nga Trieste me datë 22 Nëntor 1912. Durrësi ishte parashikuar nga atdhetarët si qyteti ku do të bëhej Shpallja e Pavarësisë, por për shkak të trazirave që vinin nga fqinjët, u zgjodh Vlora.
Më pas, imzot Nikollëë Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjenë derisa vdiq me 29 maj 1917, nga një sëmundje e pashërueshme e mushkërive. Pas disa muajve, vdiq në sanatoriumin Würth, më 29 maj 1917. Ai kërkoi mbështetje te perandori austriak për çështjen shqiptare. Varrimi i tij u bë më 1 qershor 1917, në Zentralfriedhof. Në varrim morën pjesë disa personalitete si komandanti i krahinës së Tiranës, Feldmarschall Braun, kryekonsulli i Shkodrës, Rappaport, Kviatorsski, Vinter si dhe e veja e konsullit austro-hungarez në Durrës, baronesha Lovontal-Linau, si dhe shumë diplomatë të tjerë. Më 2 qershor u mbajt një meshë nderimi për të në kishën Maria Treu në Vjenë. Varri i Dom Nikollë Kaçorrit gjendet në “Central Cementery”, nuk ka asnjë shenjë guri, apo pllake, për shkak se në të gjendet aktualisht një pemë shumëvjeçare. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë dekoroi me Kryqin e Konturës (Kommtur Kreuz) të Urdhërit të Franc Jozefit. Nikollë Kaçori mbetet një nga figurat dhe personazhet më të vyera të aktit të pavarësisë, një nga simbolet e lirisë dhe atdhetarisë.