Sokol Paja/
New York, 25 prill 2024 – Kleriku Don Robert Jakaj vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, vatranë e shqiptaro-amerikanë që vlerësuan klerikun Jakaj e Institucionet fetare në Kosovë për punën e shkëlqyer fetare e kombëtare. Dr.Camaj në fjalën e mirëseardhjes shpjegoi për rolin e Vatrës në shtetformim, komunitet dhe shërbimin shekullor për çështjen kombëtare. Don Robert Jakaj diskutoi me të pranishmit situatën e sigurisë në Kosovë, mbështetjen e pakursyer të miqve ndërkombëtar të Kosovës, punën edukative si drejtor i shkollës Imzot Gjon Nikollë Kazazit në Gjakovë, bashkëpunimin dhe vëllazërinë me institucionet fetare në Kosovë. Ai u ndal te thënia e Papa Françeskut se shqiptarët janë shembull global për vëllazërinë e harmoninë ndërfetare. Don Robert Jakaj studimet filozofike i ka ndjekur në Fakultetin Filozofik pranë Universitetit të Lubjanes (Slloveni), ndërsa studimet teologjike ka vijuar në Fakultetin Teologjik pranë Universitetit Papnor Salezian (UPS) me seli në Romë. Më 1 Shtator 2017 Imzot Dodë Gjergji, e dekreton Drejtor në QAKP “Gjon Nikollë Kazazi” në Gjakovë dhe famullitar në Doblibarë të Gjakovës.
Don Roberti për disa vite ishte edhe anëtar i Këshillit Ndërfetar të Kosovës, po ashtu ka shkruajtur mjaft artikuj shkencor, kulturor, fetar dhe edukativ, kryesisht në Revistat “Urtia”, “Drita” dhe “Shpresa”. Po ashtu është bashkëpunëtor i zellshëm i Radio Marisë. Imzot Dodë Gjergji e emroi Don Robertin, famullitar të Doblibares, ku Doblibarja bën pjesë në rangun e famullive të mëdha në Dioqezën Prizren-Prishtinë. Don Roberti flet dhe shkruan rrjedhshëm gjuhët: anglisht, italisht, gjermanisht, sllovenisht dhe kroatisht.