
Patrioti Dorand Vojka iu bashkua sot më 30 Mars 2022 Federatës Vatra. Ai kreu studimet e mesme në Gjermani dhe të lartat në Amerikë. Zotëron 2 bachelor, një në Farmakologji dhe një nga Southern New Hampshire University në Politika Shkencore dhe Studime Humane. Punon në një kompani farmaceutike si drejtues i zonës Veri-Lindore të divizionit të saj në Amerikë. Babai i tij Gëzim Vojka u burgos në burgun e Spaçit për agjitacion dhe propagandë kur nëna e tij ishte 6 muajshe shtatzënë me Dorandin. Babai Gëzimi kreu një dënim prej 5 vitesh në Spaç. Është larguar nga Shqipëria me anijet e Marsit 1991 dhe jeton në Amerikë që nga viti 1996. Ai e përshkroi në bashkëbisedim me Editorin e Diellit Sokol Paja bashkimin e tij me Vatrën në këtë mënyrë: “Rrugëtimi im për t’iu bashkuar kësaj Federate ku kanë bërë pjesë figura të ndritura të kombit tonë si Faik Koniça, Lambi Chikozi, Fan S. Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere, etj. fillon në 1993 kur në Gjermani ku jetoja atëherë u njoha për herë të parë me disa atdhetare që kishin lënë Shqipërinë përpara pushtimit të saj nga regjimi komunist enverist. Më bëri shumë përshtypje atdhedashuria e tyre. Pasioni që ata kishin kur flisnin për atdheun. Edhe pse atëherë isha i vogël dhe nuk e kuptoja nga buronte ky pasion i paparë, mbresat e atyre takimeve lanë gjurmë në memorien e një djaloshi 17 vjeçar. Pasioni i atyre atdhetareve për atdheun akoma tingëllon i freskët në memorien time me një ndryshim të madh nga atëherë. Tani unë ata i kuptoj. E kuptoj atdhedashurinë e tyre. E kuptoj pasionin e tyre. U desh ta vuaja vetë largimin nga vendi për një kohë të gjatë që ta kuptoj dashurinë për Kombin. Kjo dashuri më sjell tek Vatra. Ndjehem mirë që jam në shoqëri njerëzish të mirë dhe që rrugën na e kanë hapur gjigandë si Konica, Noli etj. Vatra më bën të ndihem se zëri im do të dëgjohet. Se unë nuk jam vetëm një emigrant i cili ka humbur identitetin në këtë “det” kombësie që jetojnë në Amerikë. Vatra më bën të ndihem se jam pjesë e një komuniteti njerëzish të shquar, të ndershëm, të një komuniteti Shqiptar. Nqs edhe ti kërkon që zëri yt të dëgjohet, kërkon që të ndihesh pjesë e komunitetit tend, pjesë e një bashkimi ku rrugëtarë kanë qenë Konica, Noli, Cere dhe shumë mendje të ndritura shqiptare, mirësevjen në familjen tënde” deklaroi në përfundim të fjalës së tij vatrani më i ri Dorand Vojka.