


Sokol Paja/
New York, 22 shkurt 2026 – Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës u përkujtua në New York në një sesion shkencor të organizuar nga Fondi Humanitar “Trieshi” në “Tesoro D’Italia Restaurant” dhe me pjesëmarrjen e studiuesve, gazetarëve, historianëve e veprimtarëve të shquar të komunitetit shqiptar në mërgatën e Amerikës. Aktiviteti kulturor për të nderuar Dr.Athanas Gegajn si shembull i patriotizmit, shkencës dhe publicistikës me kontribute të qenësishme në shkencë, gazetari, fe e kulturë shqiptare u prezantua denjësisht nga Kolë Cacaj.
Në fjalën e mirëseardhjes kryetari i Fondit Humanitar Trieshi z.Gjon Gjokaj theksoi se Dr. Athanas Gegaj, një nga figurat më ikonike të kulturës dhe nacionalizmit shqiptar të shekullit të 20-të. Sipas z.Gjokaj, nga arritjet e mëdha të Dr. Athanas Gegaj dhe veprave të tij letrare në fusha të ndryshme të dijes teologjike, publicistike, politike dhe kulturore, dëshirojmë t’ju kujtojmë se emri i tij sot lidhet kryesisht me studimin monumental mbi historinë e “Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, një vepër e konsideruar nga shumë studiues si gurëthemeli i albanologjisë dhe historiografisë mesjetare të Shqipërisë.
Gazetari Gjekë Gjonlekaj diskutoi rreth kontributit të Gjon Gjekës Lucaj për hapjen e shkollës shqipe në Triesh, tezën e Gegajt se Kosova është e Shqipërisë dhe Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë. Ai ishte një rilindas besnik i atdheut, gjuhës shqipe dhe popullit shqiptar, persekutimin e Gegajt nga fashistët, bashkëpunimi me Mbretin Zog dhe miqësinë me Nolin e aspekte të veçanta të veprimtarisë dhe jetës publike e private.
Diplomati Virgjil Kule theksoi se e veçanta e Gegajt është se ndryshe nga ne të tjerët që kemi marrë si pikënisje Barletin, ai është bazuar në veprën e hershme të Anonimit ngaTivari për të shkruar në frëngjisht disertacionin e tij “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin XV). Vlerësimet e para shumë pozitive i erdhën Gegajt nga miku i tij i çmuar, i madhi Fan Noli i cili tha se vepra e Athanasit në frëngjisht mbi Skënderbenë ishte më e mbaruara që kishte parë dritën e botimit gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare. Po atë vit Noli kishte përfunduar veprën e tij mbi Skënderbeun. Po përse këta figura komplekse të historisë intelektuale të popullit shqiptar janë interesuar dhe kanë shkruar për Skënderbeun? Përgjigjen për këtë pyetje na jep vetë Gegaj kur thotë në një intervistë të tij: Interesimi im për historinë e Skënderbeut është një gjë tipikisht shqiptare. Ai është heroi i kombit tonë dhe një fytyrë ndërkombëtare që zotëron në historinë e Europës në të XV-tin shekull. Për më tepër Skënderbeu është ai personalitet që ka nderuar dhe nderon çdo kohë popullin shqiptar, tha ndër të tjera diplomati Kule.
Editori i Diellit Sokol Paja analizoi veprimtarinë e Dr. Athanas Gegajt si editor i gazetës Dielli. Dr. Gegaj si editor dhe funksionar i Vatrës ruajti ndershmërisht balancat në Federatën Vatra e gazetën Dielli, promovoi kulturën, vlerat dhe idetë amerikane në jetën e komunitetit shqiptar, promovoi kulturalisht historinë, gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar, luftoi pa mëshirë diktaturën, tiraninë dhe regjimin shtypës të Tiranës, bashkoi, promovoi, zhvilloi dhe integroi komunitetin shqiptar në Amerikë, shërbeu si urë lidhëse e përbashkues i intelektualëve shqiptarë në Amerikë e Europë, lëvroi teza historike dhe identitare në dobi të kombit, atdheut dhe historisë kombëtare. Në shkrimet editoriale të Diellit, Dr. Gegaj synonte bashkimin e shqiptarëve përtej ndarjeve politike, krahinore apo ideologjike, qëndrimeve ndaj historisë apo periudhave të caktuara, duke e konsideruar unitetin kombëtar si vlerë themelore të shqiptarëve kudo vepronin e punonin. Editorialet informuese, argumentuese, bindëse e analizuese të Gegajt jo vetëm që informuan e ndikuan komunitetin por edhe e drejtuan dhe organizuan atë.
Studiuesi Dr. Paulin Marku në fjalën e tij theksoi se Dr. Athanas Gegaj është një figurë e rëndësishme në
historinë e Vatrës, veçanërisht, në profilin e tij si editor i gazetës Dielli për periudhën 1963-1971. Ai kishte profil të spikatur në diasporë sepse ishte aktiv në jetën komunitare shqiptare tē diasporës dhe në lëvizjet politike si (Blloku Indipendent, sekretar dhe redaktor i gazetës L’ Albanie Libre, organizator në Ballin
Kombëtar, punoi pak kohë për Komitetin Shqipëria e Lirë dhe në shtator të vitit 1963 zgjidhet editor i gazetës “Dielli”, cili kishte jetuar më parë në Itali, deri në vitin 1960, pastaj emigroi në Francë ku qëndroi për dy vite, deri në 1962, dhe pastaj u largua për në Amerikë. Dr. Marku ekspozoi një letër shpirtërore e patriotike të Dr. Gegajt drejtuar Gurazezit: “unë do të kryej detyrën deri në pikën e fundit, dhe nuk do
të veproj, në asnjë mënyrë, që organizata të pësojë përçarje. Sot jam, nesër nuk jam më. Por Vatra duhet të vazhdojë, sepse është gjëja më e bukur që ka komuniteti ynë. Është një trashëgimi madhështore, për ne të gjithë. I vetmi trashëgim, tha Dr. Marku.
Historiani Zef Ujkaj analizoi veprat “Albania”, të autorëve Athanas Gegaj dhe Rexhep Krasniqi, një botim i emigracionit politik, publicistik dhe intelektual, duke synuar të informojë dhe sensibilizojë opinionin ndërkombëtar mbi realitetin politik, historik e shoqëror e Shqipërisë së bashku, por edhe për rrjedhat historike të saj. Historiani Ujkaj theksoi se në kumtesën e tij “Broshura “Albania” e Athanas Gegajt dhe Rexhep Krasniqit”, kapitulli i parë paraqet një analizë të përmbledhur të përmbajtjes dhe sinimeve kryesore të veprave “Albania”. Kapitulli i dytë fokusohet në jetën dhe veprimtarinë e autorëve Gegaj dhe Krasniqi. Kapitulli i tretë i trajton rolin e Asamblesë së Kombeve të Robëruara e Evropës, si organizmi që mundësoi botimin dhe shpërndarjen e kësaj broshure mbi Shqipërinë, duke e vendosur atë në kuadër të veprimtarisë antikomuniste dhe lobimit politik në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu analizon veprimtarinë së Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” si strukturë politike e emigracionit shqiptar që bënin pjesë Krasniqi dhe Gegaj dhe prej nga u iniciua dhe u botua vepra “Albania”.
Veprimtari Lulash Palushaj në kumtesën “Veprimtaria patriotike e shkencore e Athanas Gegajt” shpalosi vlerat akademike të Dr Athans Gegajt, formimin e tij si njohës i shumë gjuhëve të huaja, aspekte të veprimtarisë atdhetare në Amerikë, në Europë dhe profilin e tij si studiues i veprës së Skënderbeut etj.
Gazetari Zef Pergega në kumtesën “Origjina e Skenderbeut ne vepren e Athanas Gegajt” theksoi se Dr. Athanas Gegaj na tregoi se malësorët, si arbëreshët shqiptar në Itali, dhe jo arbëreshët e Italisë, janë esenca oigjinale e painfektuar e palcës kombëtare. Ai na mësoi se fatkeqësia e kombit tonë është se hyjnë në historinë e tij, njerëz nga politika, për të cilët u duhet njohur AND-ja, dhe dalin me brryla dhe arkivole, njerëzit që kanë merita! Të gjithë e
duam lirinë, por, pak vetë dalim, për ta mbrojtuar atë. Ka ardhur koha të mos e gremë flamurin e armikut dhe mos guxojë kush ta mbulojë fytyrën e Kastriotit në shesh të kombit. Ai na mësoi se s’ka si bëhet Shqipëria, kur braktiset nga dituria, se historia e Shqipërisë, nuk mund të shkruhet pa shqiptarët e botës së lirë dhe ata që jetojnë padrejtësisht në shtetet fqinjë dhe se pa malësorët s’ka komb me traditë
origjinale autoktone. Ai e konceptonte Gjergį Kastriotin si babai i kombit, por qeveritarët, nuk e pranuan si të tillë. Familjarë të Gjergj Kastriotit i gjen në Amerikë dhe në Kanada, që në fillim të shek. 17-të, madje në këto dy shtete, 400 prej tyre mbajnë mbiemrin Scanderbeg.
Ua kam shpjeguar se ky mbiemër, nuk është skocez, por shqiptar, tha ndër të tjera z.Përgega.
Gazetari Rafael Floqi, në kumtesën e lexuar nga Helena Lubonja Ujkaj shprehet se Athanas Gegaj nuk i besoi Biemmit nga naiviteti, por nga bindja se historia e Skënderbeut nuk mund të ndërtohet mbi një zë të vetëm. Debati mes Biemmit, Babingerit, Marineskut dhe Frashërit pasqyron rrugën e gjatë të historiografisë shqiptare: nga miti drejt dokumentit, nga rrëfimi heroik drejt analizës kritike.
Gazetari i shquar Frank Shkreli në kumtesën e lexuar nga Driton Sinishtaj shprehet se figura të larta të kombit si Athans Gegaj duhet të kthehen, njëherë e mirë dhe për hir të së vërtetës historike, në qëndër të debatit shkencor dhe akademik, jo vetëm si një përgjegjësi morale — por edhe si një detyrim akademik dhe kombëtar. Margjinalizimi zyrtar i figurave kombëtare anti-komuniste si Dr. Athanas Gegajt, një nga historianët më seriozë shqiptarë të shekullit XX, ishte një padrejtësi e madhe historike e regjimit komunist.
Nikollë Gegaj, nipi i Dr. Athanas Gegajt përshëndeti me një letër të pranishmit mbi rëndësinë e aktivitetit ndërsa nipi tjetër i Dr. Gegajt, Zef Volaj mbajti një fjalë falenderuese dhe emocionale. Gjithashtu, Ded Camaj njohës i Dr. Athanas Gegaj tregoi aspekte të veçanta të takimit me Dr. Gegajn në Itali kur organizohej festa e flamurit kombëtar.
Gjek Gjonlekaj apeloi në fund të aktivitetit që Shqipëria dhe Kosova duhet ti bëjnë nderimet më të larta Dr. Athanas Gegajt si personalitet i shquar kombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky sesion shkencor ishte një aktivitet i shkëlqyer patriotik e kulturor ku u nderua Dr. Athanas Gegaj një ndër personalitetet më të shquara të Vatrës, Diellit e të shqiptarëve të Amerikës në vitet 60-të – 70-të.