Thanas L. Gjika/
Dje, ditën e dielë, 15 Dhjetor Z. Elmi Berisha, Kryetari i Federatës Vatra të Amerikës bashkë me Z. Besim Malota, Sekretarin e Financave të Federatës, u nisën që në mëngjes prej NY për të bërë dy vizita pune në shtetin e Massachussetts-it. Së pari ata ndalën tek kisha shqiptare Fjetja e Shën Mërisë, Worcester MA, ku u ndalën të bënin një vizitë respekti ndaj anëtarëve të kësaj dege, të cilët brenda muajit nëntor kishin paguar kuotat për periudhën Dhjetor 2024 – Nëntor 2025.
Ata mbrritën tek hyrja e kishës në ora 11:00 AM, ku i prita unë, sekretari i degës së Worcester MA.
Fr. Mark Doku, prifti i kishës, ishte njoftuar një ditë më parë për këtë vizitë prej Z-njës Effi Qeleshi, Kryetare e degës së Vatrës, prandaj ai në fund të meshë përshëndeti mysafirët me emra dhe njoftoi gjithë të pranishmit se pas meshës mund t’i takonin miqtë tek salla e ngrënies, ku do të shërbeheshin të ndara për familjarët John, Bessie, James and Helen Spiro.
Tek salla poshtë u bashkuan rreth miqve Dr. Elmi Berisha dhe Besim Malota në dy tavolina të mëdha anëtarët e degës së Vatrës, midis të cilëve po përmend Z-onjat Effi Qeleshi e Adelajda Tego dhe vëllezërit Ndoc e Geg Delia, Tom Christo (Nënkryetar i degës së Vatrës), Beni Çika me zonjën, Milo Treko me zonjën, unë me Julian, Ilir Mihallari me zonjën, etj.
Në këto tavolina erdhi dhe Fr. Marku i cili u tregoi mysafirëve disa momente nga jeta e kishës sonë, kurse Z. Elmi shprehu kënaqësinë e veçantë që ndjeu gjatë vizitën te salla e madhe lart, e cila është e zbukuruar me piktura murale shumë të bukura prej piktorit të talentuar Dhimitër Çika. Ai e uroi Fr. Markun për faktin që ky e mban një pjesë të meshës shqip.
Më tej ai tregoi se Federata Vatra po përpiqet që me ndihmën e Ministrive të Arsimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës të arrihet që mësimi i gjuhës shqipe të dixhitalizohet, dmth që çdo fëmijë shqiptar i diasporës mund të mësojë gjuhën amëtare në kompjuter nga shtëpia e vet, sipas nivelit që ka nevojë.
Z. Elmi njoftoi se në vijim ata do të shkonin në Boston për të marrë pjesë tek ceremonia e njëvjetorit të krijimit të degës së Vatrës Boston MA.
Para largimit u bënë disa foto, prej të cilave po sjell këtu dy prej tyre. Gjatë largimit i uruam rrugë të mbarë dhe suksese të mëtejshme në krijimin e degëve të reja.