-Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari prezantojnë punën e rezultatet, planet dhe sfidat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit/
-Në foto: Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti/
-Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Ballina e numrit të fundit të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja – 30 dhjetor 2008Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Pallati Rilindja në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë
—Kosova 2017-AKP me 14 objektiva kryesore…Rilindja pret zgjidhjen/
-Drejt përfundimit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore/
-Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari bënë prezantimin e punës dhe aktiviteteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit 2016, ku theksuan edhe se çështjet e ngritura në objektivat e vitit 2017 janë përcaktuar që të jenë në përputhje me interesin e përgjithshëm të Kosovës për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore pa vonesa të mëtejme/
– Pritet zgjidhja edhe për gazetën tradicionale e historike të Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit, të mbajtur pikërisht para 73 vitesh, nga 31 dhjetor 1943 deri në 2 janar 1944, e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht para 15 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK-ut në 21 shkurt 2002/
-Në arsyetimin e kërkesës për privatizim që ka bërë kryeredaktori deri në numrin e fundit (tash edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli në SHBA, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës Vatra, e cila në 15 shkurt 2017 feston 108 vjetorin, më të herëshmes shqiptare në gjithë botën – përkrahëse e ridaljes së Rilindjes – gazetës së parë të përditëshme shqiptare në Kosovë), theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit/
-I pyetur nga Gazeta DIELLI, Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti: Me rastin e shpronësimit të aseteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Qeveria do kryejë të gjitha obligimet ndaj punëtorëve e kreditorëve/
SPECIALE – Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 2 Janar 2017/ Agjencia Kosovare e Privatizimit për vitin 2017 ka përcaktuar 14 objektiva kryesore, ndërkohë që ende nuk i ka shitur 1.764 asete të ndërmarrjeve shoqërore, ndërsa që nga qershori 2002 kur është themeluar, atëherë si Agjenci Kosovare e Mirëbesimit, ka nënshkruar 1.286 kontrata të shitjes së ndërmarrjeve të reja dhe të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim.
Ndër objektivat kryesore janë: Realizimi i gjithsej 12 valëve të shitjeve të aseteve përmes likuidimit; Identifikimi i aseteve të mbetura dhe përcaktimi se me çfarë metode mund të bëhet tjetërsimi i tyre; Vendosja e të gjitha ndërmarrjeve shoqërore në likuidim; Pagesat për kreditorët e ndërmarrjeve shoqërore në likuidim; Trajtimi i aseteve jashtë Kosovës.
Kjo u bë e ditur në një konferencë shtypi dhe pritje të fundvitit, ku Bordi i Drejtorëve kryesuar nga Petrit Gashi dhe Menaxhmenti i drejtuar nga Ekrem Hajdari bënë prezantimin e punës dhe aktiviteteve përmbledhëse të Agjencisë Kosovare të Privatizimit gjatë vitit 2016, ndërsa u theksua se çështjet e ngritura në objektivat e vitit 2017 janë përcaktuar që të jenë në përputhje me interesin e përgjithshëm të Kosovës për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore pa vonesa të mëtejme.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e ka përfshirë edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit në Planin e veprimeve 2015-2018 për zbatimin e programit qeverisës. Qeveria ka paraparë dy masa kryesore lidhur me Agjencinë Kosovare të Privatizimit: Përmbylljen e procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe rishikimin e legjislacionit që rregullon funksionimin e Agjencisë për të siguruar llogaridhënie të rregullt dhe efikase”, u bë e ditur në konferencë.
Në përshpejtimin e procesit të privatizimit dhe likuidimit në periudhën e ardhëshme, Agjencia Kosovare e Privatizimit thekson se mbetet e zotuar në synimet e saj për të përmbushur mandatin ligjor për të shmangur pengesat dhe për të kontribuar në rritjen e ekonomisë së Kosovës, ndërsa
Ndër sfidat kryesore të periudhës së ardhëshme theksohen përfundimi i studimit të fizibilitetit për Trepçën, mungesa e bashkëpunimit me disa komuna në pjesën veriore të Kosovës,si dhe vonesat në trajtimin e lëndëve nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe në gjykatat themelore.
Edhe pagesa e mjeteve nga qeveria e Kosovës për shpronësimet e vendosura në pronat shoqërore është ndër sfidat dhe angazhimet e ardhëshme, përfshirë vitin 2017.
“Që nga viti 2008, qeveria ende nuk ka paguar asnjë shpronësim për pronat shoqërore. Deri në 31 maj 2016 gjithësej janë marrë 699 vendime për shpronësime të pronave shoqërore. Në maj 2016 Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka dërguar letër Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor me kërkesë per pagesë të këtyre shpronësimeve”, bën të ditur raporti i prezantuar.
Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit theksuan se për asnjë ndërmarrje shoqërore nuk mund të mbyllet procesi i likuidimit pa i paguar fondet e shpronësimit, prej të cilave poashtu pritet të paguhet 20%-i për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore.
Në 23 majin e vitit 2014, pjesë e vendimeve të qeverisë së Kosovës ishte edhe vendimi përfundimtar i shpronësimit për interes publik të ngastrave kadastrale në të cilën ndodhen objektet e Ndërmarrjes Shoqërore Rilindja, e në këtë kuadër Pallati tash ndërtesë qeveritare, ku ishin ambientet e punës të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja. Zgjidhja edhe për këtë gazetë – Ndërmarrjen Shoqërore Gazetare Rilindja dhe të drejtat e punëtorve të saj do pasojë pagesën nga qeveria për shpronësimin dhe në angazhimet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit kjo pritet në vitin 2017.
Gazeta e përditëshme tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para 72 vitesh, në 12 shkurt 1945. Gazeta historike e Kosovës Rilindja, e cila ka filluar të dalë në frymën e Konferencës së Bujanit, të mbajtur pikërisht para 73 vitesh, nga 31 dhjetor 1943 deri në 2 janar 1944, e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana, është mbyllur detyrimisht para 15 vitesh me dëbim të kundërligjshëm e të padrejtë nga Pallati i saj në Prishtinë nga administrata e UNMIK-ut në 21 shkurt 2002. Pas kësaj date gazeta Rilindja ka dalë me numra protestues të jashtëzakonshëm, të kohëpaskohshëm.
Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008 dhe për njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e mëse 40 numrave protestues para mëse 8 viteve, në 30 dhjetor 2008, me numrin e festës së Vitit të Ri 2009, me paralajmërimin në ballinë: “Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë”.
Për privatizimin e gazetës tradicionale të Kosovës, pa u ndërlidhur me objektin e saj të shpronësuar, është edhe shembulli i gazetave në rajon dhe në botë, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje dhe në objektet ku kanë qenë.
Në arsyetimin e kërkesës për privatizim që ka bërë kryeredaktori deri në numrin e fundit (tash edhe korrespondent në Kosovë i Gazetës Dielli në SHBA, organ i Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës Vatra, e cila në 15 shkurt 2017 feston 108 vjetorin, më të herëshmes shqiptare në gjithë botën – përkrahëse e ridaljes së Rilindjes – gazetës së parë të përditëshme shqiptare në Kosovë), theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse 70 viteve, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati, dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.
“Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 shkurt 2014.
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) vitin e kaluar 2016 e ka nisur me Bordin e Drejtorëve, të ri, të munguar në 2015-ën. Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në 31 dhjetor, pak orë para ardhjes së Vitit të Ri 2016, ka mbajtur mbledhjen e parë, konstituive, të udhëhequr nga Petrit Gashi, kryesues i Bordit. Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit emërimi i Bordit të Drejtorëve të saj në fundin e seancës përmbyllëse të sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës dhe konstituimi i këtij Bordi në ditën e fundit të vitit 2015 ishte një ngjarje e rëndësishme dhe e pritur gjatë.
Në 19 maj 2016, Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në mbledhjen e 75-të, me konsensus të plotë, emëroi Ekrem Hajdarin në pozitën e Drejtorit Menaxhues të AKP-së. Avni Jashari u emërua në pozitën e Zv/Drejtorit Menaxhues për Likuidim dhe Vabona Dibra Zv/Drejtoreshë për Shitje.
MINISTRI I FINANCAVE NË QEVERINË E KOSOVËS, AVDULLAH HOTI: NE DO KRYEJMË TË GJITHA OBLIGIMET NDAJ PUNËTORËVE E KREDITORËVE
Në një pyetje të korrespondentit në Prishtinë të Gazetës Dielli, ndërlidhur edhe me të ardhëmen e gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në procesin e privatizimit, ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti tha se buxheti për shpronësime që ka bërë Qeveria për vitin 2017 është rritur për 5 milionë euro, nga 25 në 30 milonë dhe pagesa për shpronësimet varet nga prioritetet.
“Me rastin e shpronësimit të aseteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit ne paguajmë 20 përqindëshin për punëtorët dhe pjesa tjetër mbetet derisa të kryhen të gjitha kërkesat e kreditorëve të ndryshëm potencialë. Në momentin që kryhen ne si Qeveri kemi obligim të paguajmë diferencën. Por, mos të harrojmë që pronare e Agjencisë Kosovare të Privatizimit është qeveria e Kosovës. Ne kryejmë të gjitha obligimet ndaj punëtorëve, ndaj kreditorëve potencialë dhe mandaj diferenca vjen në buxhetin e Kosovës”, theksoi ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Pse duhen privatizuar të gjitha ndërmarrjet publike(shtetërore)? Shtetet e Europes perendimore i kanë të dy format e pronësisë: shtetërore dhe private. Le të konkurojnë me njëra tjetrën.
Në shtetet si Kosova dhe Shqipëria, ku nuk sundon ligji, privatizimi shoqërohet me grabitje nga pushtetarët dhe rritje papunësie.