
Duke parë në face book-un e Jozef Radit portretin e tij, portret në ngjyrë bronxi , më shfaqen si në film shumë vuajtje të këtij qytetari që lindi në internim dhe mbeti në Savër deri në moshën 35 vjeçare, kur ishte burrë i martuar me tre femijë. Në këtë fytyrë ndjej bekimin që mori nëna e tij, pas daljes nga burgu më 1956, kur shkoi gjunjazi e iu lut Shën Anout te kodra e Laçit për t’i dhënë një djalë, që të mos shuhej familja Radi. Dhe Zoti i a dëgjoi lutjen e ia polotësoi kërkesën duke i dhënë dy djem: Jozefin dhe Luçianin, si dhe një vajzë, Adrianën.
Në portretin e Jozefit ashtu si në atë të babait të tij, Lazrit, erërat e nxehta e të thata dhe ato të ftohtat plot lagështirë të Myzeqesë, kanë lënë gjurmët e tyre. Ua reshkë ballin këtyre të përndjekurve dhe bashkëvuajtëve të tjerë, por as erërat as fortunat politike nuk ua mposhtën shpirtin dhe mendjen. Ato ua kalitën e ua kthyen shpirtin dhe fytyrën në monumente broxi.
Jozefi i ndënji më pranë babait dhe e ndihmoi për t’i krijuar kushte pune si gjatë internimit dhe mbas tij. Frut i kësaj ndihme të përkushtuar janë botimi i veprës seriale në 17 volume i krijimtarisë së Lazër Radit, një korpus madhor i një të përndjekuri që ia kushtoi gjithë energjitë e tij krijuese emancipimit dhe formimit letrar e moral të popullit të vet.
Ky potret në ngjyrë bronxi dhe stilolapsi i varur në anën e majtë të buzëve, si cigarja e Petro Markos, dëshmojnë për përbuzjen ndaj vuajtjeve edhe për durimin këmbëngulës në punën krijuese. Kush ka pasur rast të lexojë shkrimet e Jozef Radit te revista internetike RADIANDRADI ndjen forcën krijuese të një talenti. Kush ka dërguar për publikim shkrime tek kjo revistë, ka shijuar ngritjen e nivelit të shkrimeve të veta përmes ilustrimeve të goditura dhe faqosjes plot gusto e zgjuarësi që u është bërë këtyre shkrimeve prej publikuesit artist.
Jozef Radi, bashkë me babain e vet Lazrin, me Profesor Sami Repishtin, Arshi Pipën, Martin Camajn, Atë Zef Pëllumbin, Jusuf Vrionin, Visar Zhitin, Jorgo Bllacin, Vehbi Skënderin, Zydi Moravën, Lek Pervizin, Eugjen Merlikën, Genc Korçën, Reshat Kripën, Fritz Radovanin, Profesor Idriz Luzajn, bijtë e bijat e familjeve Markagjoni, Kupi, Mirakaj, etj, me qërdrimin e tyre burrnor në burgjet dhe kampet e internimit dhe me veprën e tyre letrare artistike e publicistike, bëjnë pjesë në ajkën e inteligjencës shqiptare të këtyre 75 vjetëve të fundit të shoqërisë shqiptare. Vepra e tyre realiste letrare e publicistike ka krijuar rrymën e shëndoshë të mendimit politik e letrar shqiptar, së cilës i përket e ardhmja.
Avokati Spartak Ngjela ka të drejtë kur thotë se bijtë e këtyre të përndjekurvre, që kanë kryer shkollat e larta në botën Perëndimore, të cilët bëjnë pjesë në ekselencën e re intelektuale shqiptare, janë të gatshëm ta qeverisin Shqipërinë për ta shpënë me dinjitet në Bashkimin Europian.
I u lutem bijve dhe nipërve të ish-shërbëtorëve të diktaturës, që të lexojnë veprat e këtyre të përndjekurve për t’u kthjelluar si u kthellova unë pasi njoha jetën plot vuajtje dhe veprën e këtyre bijve të shquar të popullit tonë. Ky hap do t’i ndihmojë të kthjellohen dhe çlirohen prej drogës komuniste që kanë marrë nëpër familjet e tyre dhe gjatë viteve të shkollimit dhe do t’i afrohen kulturës së vërtetë qytetare, që nuk merret me sharje e fyerje personash, por me ndërtimin e një strategjie për mbarëvajtjen e çeshtjes kombëtare për krijimin e një kulture, të një letërsie kombëtare dhe të një shteti kombëtar shqiptar…