Historia e shqiptares me karakter të fortë në Toronto,që fillimisht i ofruan pozicionin e një pastruseje në një Institucion financiar, por që me vullnet dhe pasion shkollimi ajo i gjeti “çelsat” për të hapur kështjellën e mbyllur kanadeze. Pozicioni më i fundit i vajzës nga Peqini:Drejtoreshë e Financës për Amerikën e Veriut në një kompani me buxhet rreth 200 milion dollarë./
Nga Ruki Konda & Dalip Greca/
Aida Bejte (Lumi), vajza nga Peqini, që jeton në Toronto(Kanada) është një grua me karakter të fortë, që nuk di të tërhiqet në përballje me jetën, edhe kur ajo, jeta, përpiqet ta sfidojë. Fillimi i saj në Toronto ishte paksa ironik, asaj, ish studentes së shkëlqyer të Ekonomikut, i duhej që të bënte punët e pastruses në një institucion financiar, ku paguhej sa për bukën e gojës. Kërkesave për një punë më afër profesionit, i përgjigjeshin”Je e mbikualifikuar”, ose ”Nuk keni eksperiencë kanadeze”! Po ku ta merrte eksperiencën kanadeze Aida, në Shqipëri? Por ajo nuk u tërhoq, krahas punës së rëndomtë, fillimisht ndoqi kurse shkollimi dhe kualifikimi për konvertimin e diplomës, që të njihej e barabartë në nivelin e “Bachelor of Commerce” me universitetet Kanadeze. Pastaj ndoqi studimet e mëtejshme dhe fitoi titullin/ licensën për kontabilist i pavarur në fushën e Kontabilititetit Drejtues (CMA-Certified Management Accountant designation). Beteja për shkollim nuk mbaroi aty. Ajo nuk ndjehej e plotësuar në profesion pasi që kur ishte në Tiranë e kishte ëndërr të kryente një Master në një Universitet prestigjoz. Dhe kështu aplikoi dhe pati fatin mes shumë konkuruesve të pranohet dhe të kryejë studimet për Master Ekzekutiv (Executive MBA – Master of Business Administration) në një nga shkollat më te mira te bisnesit ne Kanada, tek “Ivey School of Business”. Dhe ajo, vajza me shumë ëndrra, që iu afrua pozicioni i pastruses në një institucion financiar, falë zotësisë, vullnetit dhe pasionit për shkollim,e gjeti celësin si ta “pushtonte” kështjellën kanadeze. Pozicioni më i fundit që ajo ka kapur është ai i Drejtoreshës se Financës për Amerikën e Veriut për një kompani me buxhet rreth 200 milion dollarë.
Beteja tjetër me të cilën u përball Aida ishte përballja me sëmundjen. Ishte pothuajse 35 vjec kur në një ditë të bukur Gushti, një ditë para se djali t’i bëhej 4 vjeç, shkëputet nga puna për një takim te zakontë tek mjeku gjenekolog. Dhe aty mësoi se në trupin e saj kishte kancer, po, po, kishte atë sëmundjen e tmerrshme, por sërish nuk u dorëzua. Ndiqni intervistën që i morëm Aidës:
Pyetje: Aida, si do ta prisje intervistimin nga gazeta më e vjetër në botim e botës Shqiptare”Dielli” që botohet Amerikë prej 104 vitesh?
Aida Lumi Bejte– Thellësisht e nderuar dhe njëkohësisht ndjehem shumë e vogël krahasuar me dritën e Diellit dhe ngrohtësinë e Vatrës.
– Cfarë e lidh Aidën me Vatrën? Keni pasë dikë që ka pasë aktivitet në organizatën më jetëgjatë shqiptare”Vatra”?
Aida– Më lidh emri i tim ati, Hamit Lumi. Gyshi im i mëncur, ndjesë pastë, Kadri Lumi, në kujtim dhe nder të xhaxhait të tij, patriotit Hamit (Çela) Lumi ia vuri këtë emër babait tim. Hamit (Çela) Lumi, i lindur në Vermik të Vlorës në vitin 1869, dhe më pas diplomuar në Janinë, pasi u kap dhe u burgos nga perandoria Osmane për shkak se jipte mësim shqip ku të mundej, ne fshatra të Vlorës, në qytet, madje dhe në burg (me abetaret që ia sillte miku i tij Hasan Prishtina), më 1912 u largua për në Boston ku deri në fund të jetës së tij u bë pjesë e pandarë e Diellit dhe Vatrës duke lëvruar çështjen shqiptare.
– Kush është Aida?- ju lutem një prezantim për lexuesit e Diellit(Te plotë do ta lexoni në Diellin e printuar)