
Javën e kaluar dolën nga botimi në Shtëpinë Botuese M&B në Tiranë edhe dy libra të rinj të kolanes të gjeopolitikës dhe të strategjisë ushtarake të vendeve kundershtare të SHBA-ve të cilët botohen për herë të parë në hapësirën ballkanike:
“Gjeopolitika e Koresë së Veriut” – 536 faqe me ISBN: 9789928851819
“Strategjia Ushtarake e Koresë së Veriut” – 600 faqe me ISBN: 9789928851895
Këto dy botime trajtojnë një nga sfidat më komplekse dhe më të rrezikshme të sigurisë globale në shekullin XXI.
Njëlloj si Rusia, Kina dhe Irani, edhe Koreja e Veriut përbën një kërcënim të vazhdueshëm ndaj stabilitetit rajonal dhe ndërkombëtar përmes programit të saj bërthamor, zhvillimit të raketave balistike dhe ndërkontinentale, modernizimit të forcave të armatosura, kapaciteteve të avancuara kibernetike dhe bashkëpunimit strategjik me Federatën Ruse, Republikën Popullore të Kinës dhe Republikën Islamike të Iranit.
Këto dinamika sfidojnë drejtpërdrejt interesat strategjike të Koresë së Jugut, Japonisë dhe SHBA-ve në Indo-Paqësor, por ndikimi i tyre shtrihet shumë më gjerë, duke prekur arkitekturën globale të sigurisë dhe stabilitetin ekonomik ndërkombëtar.
Megjithë përpjekjet e administratës së parë të Presidentit Amerikan Donald J. Trump (2017–2021) për përmirësimin e dialogut ndër-korean, situata mbetet e brishtë. Testet e vazhdueshme me raketa balistike, hipersonike dhe ndërkontinentale, të shoqëruara me retorikë agresive, rrisin rrezikun e një incidenti ushtarak të pakontrolluar me pasoja potencialisht katastrofike për rajonin dhe më gjerë.
Në këto libra argumentohet në detaje se diplomacia mbetet instrumenti më i rëndësishëm për të frenuar përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë dhe për të ulur tensionet në Gadishullin Korean.
Megjithatë, diplomacia duhet të mbështetet nga presion i koordinuar ndërkombëtar, mekanizma të besueshëm parandalimi, forcim i mbrojtjes raketore, bashkëpunim inteligjence dhe sanksione efektive ekonomike.
Libri “Strategjia Ushtarake e Koresë së Veriut” analizon në mënyrë të detajuar evolucionin e doktrinës ushtarake të Phenianit, duke argumentuar se strategjia e regjimit nuk është një anomali iracionale, por një doktrinë e mirëllogaritur, e ndërtuar mbi mbijetesën e regjimit, fuqinë asimetrike dhe parandalimin strategjik.
Analiza trajton në mënyrë të zgjeruar:
arsenalin bërthamor dhe raketor të Koresë së Veriut
raketat balistike dhe hipersonike
kapacitetet kimike dhe biologjike
modernizimin e flotës së nëndetëseve
luftën kibernetike dhe Forcat e operacioneve speciale
dislokimin masiv të artilerisë dhe raketave përgjatë kufirit me Korenë e Jugut
bashkëpunimin strategjik me Rusinë, Kinën dhe Iranin
implikimet për sigurinë rajonale dhe globale, etj.
Në përfundim, këto dy botime synojnë të ndihmojnë studiuesit, analistët dhe lexuesit të kuptojnë më qartë logjikën strategjike të Phenianit, transformimin e Koresë së Veriut në një aktor multidimensional të sigurisë dhe sfidat që ky realitet paraqet për rendin aktual ndërkombëtar.
Librat mund t’i gjeni pranë Shtëpisë Botuese M&B ose pranë z. Bujar Karoshi:
00355 69 206 8603
+355 68 650 8441
Dr. Dritan Demiraj, Michigan, USA.