
Rafaela Prifti/
Dy pjesët e mbrëmshme nga Teatri Kombëtar i Kukullave në auditorin e PS 108 pranë Morris Park, Bronx, përkuan me hapjen e vitit të ri shkollor dhe vijnë pak muaj pas arritjes historike të përfshirjes së shqipes në komunikimet zyrtare të shkollave publike të Nju Jork-ut. Pikërisht, në këtë shkollë sapo filloi për herë të parë programi dygjuhësh shqip-anglisht për fëmijët e kopshtit. Drita Gjongecaj, edukatore, prind dhe promotore e nismës ndien krenari si edhe besim se të rinjtë mund ta ruajnë trashëgiminë gjuhësore dhe identitetin e tyre në një shoqëri shumë-kulturore.
Në skenën e auditorit ishin improvizuar dekori dhe skenografia e teatrit me kukulla në sfondin e një perdeje të zezë. Fëmijët e ciklit të ulët me prindërit dhe motrat e vëllezërit ulur pranë ndiqnin shfaqjen e mysafirëve nga Shqipëria si pjesë e programit të aktivitet jashtëshkollor. Disa mbanin plisa të bardhë me shqiponjën dykrenore ndërsa dëgjonin regjisoren Klaudia Hila të prezantonte dy pjesët e Teatrit Kombëtar të Kukullave.
Shfaqja e parë E Bija e Hënës dhe e Diellit, e realizuar me kukulla me tel, me zëra dhe muzikë të regjistruar paraprakisht, përcillte rrëfimin e gjyshes për një trim i cili në emër të besës është i gatshëm të vetëflijohet. Shfaqja e dytë, Qeni që nuk dinte të lehë, realizuar mbi një platformë druri me kukulla dore (marioneta), ishte një fabul që lejonte pjesëmarrje të dyanshme midis aktorëve dhe fëmijëve në audiencë.
Dy aktoret e talentuara Esmeralda Kame dhe Ermonela Lika mbuluan të gjitha rolet me mjeshtëri interpretimi, lëvizje koreografike dhe këngë. Pas shfaqjes regjisorja i ftoi spektatorët e vegjël të fotografohen me kukullat në skenë. Përpara aparateve të prindërve, fëmijët iu afruan kukullave dhe disa mbanin ndonjë “personazh” në dorë. Në një grup fëmijësh, dikush formon me duar shenjën e shqiponjës për të shprehur pa fjalë atë çka ndjen në zemër.
Të dyja shfaqjet u dhanë në Boston dhe në Uster gjatë fundjavës nën kujdesin e Teatrit të Diasporës, i cili e mundësoi ardhjen e Teatrit Kombëtar të Kukullave në Amerikë, një nismë shumë e mirë që hap shumë perspektiva bashkëpunimi të reja. Në sajë të bashkëpunimit të tyre me aktivistin dhe Mark Gjonaj kryetar i Këshillit Kordinues të Diasporës dhe Drita Gjongecaj, pjesët teatrale erdhën përpara publikut të moshave të reja në Bronks, Nju Jork. Turneu në Amerikë vazhdon në shtetin e Connecticut ku do jepet shfaqja tjetër përpara se trupa të kthehet në Tiranë.