NGA ASLLAN BUSHATI/
I nderuar Famulltari i Kishës Zonja Pajtore: Dom Ndue Gjergji, të nderuar klerikë të pranishëm, të ftuar dhe bashkatdhetar.
Më lejoni që në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA , të Kryetarit, Kryesisë, Këshillit Drejtues, të degëve të Vatrës në gjithë SHBA, të çdo vatrani, si dhe të Degës së Michiganit; t’ju përshendes dhe t’ju uroj 28 Nëntorin -107 vjetorin e Pavarsisë. T’ju uroj ta gëzoni Qendrën e re Kulturore “Nënë Tereza”.
Për të jetuar në një bashkësi, të paktën në shtatë mijë vite qytetërim (dy mijë pas Krishtit dhe pesë mijë e më shumë vite para tij), njerzimi ka krijuar,formuar, përsosur e formësuar fondamentet bazë të jetës njerzore si: e drejta, e vërteta, ndershëria,dashuria, mirësia,respekti, sinqeriteti, virtutshmëria etj, etj. Por shpresoj se do të “murosen” tek fondamentet boërore edhe dy thënie brilante të Nënë Terezës si: “Paqa fillon me një buzëqeshje” dhe “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.
Ne jemi shumë afër punës, veprës e jetës së Nënë Terezës, por breznitë e ardhëshme shqiptare, do të krenohen shumë me shqiptaren e madhe Gonxhe Bojaxhiu që u bë shejt për gjithë njerzimin.
Shenjtorja jonë, ka predikuar me Krishtin në në zemër, mirësi e dashuri pakufi për këdo që e pranon dhe e adhuron dashurinë e mirësinë e zotit. Por fondamentet e saja , janë diametralisht të kundërta me fondamentalistët e të gjitha llojëve e kategorive, të cilët nuk kanë fe e atdhe, por janë e kundërta e fondamenteve njerzore.
Bashkatdhetarë, siç jemi të bashkuar sot këtu për Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” në Michigan, ju ftoj të bashkohemi për veprimtari të përbashkëta në dobi të kombit sa here na kërkohet. Organizmi më i motshëm përbashkues e me një përvojë gati 108 vjeçare në këtë fushë është Vatra. Antarët e simpatizantët e saj të mbledhur sot në Selinë Qëndrore të saj në NY, mblodhën 83 mijë dollar në ndime të tragjedisë që ndodhi në Shqipëri më 26 Nëntor 2019. Vetëm të bashkuar dhe të mirorganizuar do të jemi më të fortë si për ditë të mira dhe të vështira.
Paçi shëndet ,gëzim e lumturi në familjet tuaja , e gëzofshi brez pas brezi Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” këtë vepër të mbrekullueshme të komunitetit shqiptar në Michiganit. Gëzuar Krishtlindjet që po afrohen dhe vitin e ri 2020. Zoti e bekoftë popullin Shqiptar , zoti e bekoftë Amerikën këtë vend të mbrekullueshëm.
* Përshëndetje e ish nënkryetarit të Vatrës Asllan Bushati në përurimin e Qendrës Kulturore “Nënë Tereza” në Michigan dhe festimeve të 107 vjetorit të Pavarësisë me 30 Nëntor 2019.