

Agapi Gika/
Edicioni i pestë i Festivalit të Gastronomisë Shqiptare në Greqi, me iniciativë të L.G.Sh.G, u finalizua me sukses. Kopshti i universitetit New York College mikpriti në zemër të Athinës bashkatdhetarë, vendas, turistë e komunitete të tjera emigrantësh mes gatimeve autentike shqiptare, qerasjeve, kostumeve tona popullore, produkteve dhe punimeve artizanale dhe programit të pasur artistik.
Përshëndetën aktivitetin: Kryetarja e L.G.Sh.G. znj. Agapi Gjika, Diplomatja për çështjet e Diasporës pranë Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi znj. Joneda Dodaj, Anëtari i Këshillit Kombëtar të Diasporës për Greqinë z. Ermal Sulaj, Kryetarja e Komuniteti Shqiptar Greqi znj. Rovena Xhori, Sekretarja e Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi znj. Entela Ballaci Konti, si dhe Kryetarja e shoqatës “Progresi” znj. Eva Paloka. U lexua gjithashtu përshëndetje e z. Thanasis Cheimonas – Nënkryetar i Bashkisë së Athinës për Integrimin Social të Emigrantëve dhe Refugjatëve.
Të pranishëm njëkohësisht: përfaqësues të qendrave ACCMR dhe KEM të Bashkisë së Athinës, Forumit Grek të Emigrantëve,Komunitetit të Egjyptit në Greqi, Rrjetit e të Rinjve me Origjinë Emigrante “Horizonte”, Iniciativës së Emigrantëve Shqiptarë etj.
Në festival morën pjesë me gatimet e tyre përfaqësues të shoqatave: “Shoqata e Emigrantëve të Korinthit”, “Komuniteti Shqiptar Rafina”,“LiterArt”, “Lunxhëria”, “Studenti”, “Progresi”,”Busulla për n’Tironë”, “Me ju, për ju”, “Korça”, “Myzeqeja”, “Sofra e Tiranës”, “Bashkë me ju”, si dhe: furra “Ηπειρος”, shefja Katerina Hajna me gatime të “Stoa Gastromeze” dhe produktet e linjave ushqimore “Sporos Health Food”, të cilët nëpërmjet shijeve origjinale të pjatave shqiptare jo vetëm ngjallën mall tek bashkatdhetarët tanë, por edhe i njohën ato tek komunitet e tjera duke vënë në pah traditën tonë sa të pasur, aq edhe të vjetër.
U vlerësuan me Mirënjohje për promovimin e kulinarisë shqiptare në Greqi: kuzhinierja znj. Xhuli Ilirjani & z. Altin Hatia – drejtues i restorantit “P.S.”.
Në ambjentet e festivalit u përfshinë: tavolinë pune për fëmijë me hapje petësh për byrek nga znj. Afërdita Gjata, ekspozitë me punë dore nga anëtaret e L.G.Sh.G., bizhuteri nga Iken Qalliu, çanta nga Marjana Zejnelhoxha, si dhe piktura të punuara nga piktoret: Mira Dizdari, Lumnie Gjikopulli dhe Enkeleida Jorgollari.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të shijojnë gjithashtu kafen tradicionale “Argjiro”, si dhe një program të pasur artistik nga këngëtaret Erefili, Vasilika Kaçorri, Burbuqe Esti, maestro Keli Xhelili, si dhe grupet e valleve “Myzeqeja” & atë nën drejtimin e koreografes znj. Lura Llabani.
Falenderojmë në mënyrë të veçantë universitetin New York College për mundësimin e ambjentit, prezantuesen e këtij festivali znj. Vilma Baruti, si dhe fotografin Fredi Prendushi për materialin e pasur fotografik, i cili do të plotësohet në album gjatë ditëve të ardhshme.
Falenderojmë të gjitha shoqatat pjesëmarrëse dhe çdonjërën nga anëtaret dhe miqtë tanë që kontribuuan në mbarëvajtjen e kësaj feste te madhe të emigracionit. Mirënjohje për qindrat e bashkatdhetarëve dhe vendasve që u gjendën pranë nesh, duke e kthyer tradicionalisht këtë ditë në një pikë takimi vjetore të bujshme.
Lidhja e Gruas Shqiptare ne Greqi do të jetë gjithmonë urë përcjellëse e kulturës dhe trashëgimisë sonë të pasur.
Ky festival u zhvillua nën përkujdesjen e veçantë të Komunitetit Shqiptar në Greqi. ![]()
Mirë u takofshim në edicionin e gjashtë!